TREMBJA E OPOZITËS NGA ZGJEDHJET – OPINION NGA PLATOR NESTURI

TREMBJA E OPOZITËS NGA ZGJEDHJET – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Skena e sotme në të cilën po ekranizohet lufta politike, është përqendruar tashmë tek kanabisi, krimi dhe lidhjet e tij me politikën. Duket një casus shumë i mirë për opozitën, për të ushtruar trysni mbi një pushtet që dukej se nuk do t’i hynte asgjë në këmbë, të paktën për 4 vitet e ardhshme. Por nëse kujtesa nuk na ka lënë, në shtator, opozita kishte ndërtuar një tjetër strategji për aksionin e vet, - pikërisht reforma zgjedhore dhe një ligj të ri për të shmangur dhe demotivuar vjedhjen e votave, apo deformimin e rezultateve nga ndërhyrjet së jashtmi, nga vullneti i elektoratit. Në fakt, emëruesi i përbashkët i normalitetit për çdo palë zgjedhjeje të shkuar, ka qenë se asnjëra prej tyre nuk ka marrë certifikatën e standardit demokratik nga ana e ndërkombëtarëve. Por, përveç kësaj, një tjetër e përbashkët e proceseve zgjedhore, me rezultat të pranuar ose jo, është një fakt tjetër i paprecedentë që, në asnjë rast, nuk kemi patur dënime për manipulues dhe hajdutë të rëndomtë të rezultateve të votimit. Në këtë mënyrë, problemet, por edhe vjedhjet me protagonistët e saj, janë mbarsur nga njëra zgjedhje në tjetrën, çfarë e bën edhe më të koklavitur zgjidhjen e nyjes, për të arritur zgjedhje të ndershme.

Duket se kjo betejë e opozitës, është harruar tashmë. Ndonëse nga raportet e OSBE- ODHIR-it për zgjedhjet në Shqipëri, u renditën një sërë faktorësh dhe elementësh negativë, ku më i rëndi ishte fenomeni i vjedhjes së votës, opozita e la tashmë këtë drejtim.  Dhe kjo në një kohë kur nga skandalet që tashmë po dalin si rezultat i shërbimeve të huaja mbi trafikun dhe përfshirjen në të, të njerëzve me pushtet, nga krerët e opozitës, jo pak herë, është kërkuar që të dorëhiqet Rama nga kryeministër, çka do të sillte mundësisht dhe zgjedhje të parakohshme.

Në vend të kësaj, pra krijimit të kushteve për zgjidhje të qëndrueshme, që do të hapin rrugën për zgjedhje të lira e së paku të pranueshme nga të gjithë, thjesht po vijohet me politikën e tensionit dhe mbajtjen pezull të një mjedisi luftarak. Por luftarak fjalaman e që thjesht bën grindavecin në Parlament. E keqja e gjithë kësaj çka po përcillet, është se politika e tensionit po shndërrohet edhe në një skemë të pandryshueshme zgjedhore, ku manipulimi ka mbetur qëllimi final e ku asgjë nuk ndryshon si për tani dhe për të ardhmen. Duket se vetë opozita i trembet termit zgjedhje dhe ballafaqimit real me elektoratin.

Tashmë së fundmi, në tryeza debatesh, përveç aspektit të votimit elektronik, është futur dhe çështja e votës së emigrantëve jashtë vendit. Në këto debate, kryefjala e politikës është se synohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe sa më pranë standardeve europiane, por pas kuintave, eksponentë të saj nuk harrojnë të krijojnë struktura pikërisht për të shmangur rezultatin e votës popullore. Pra, synohen edhe standarde, por edhe më pak mashtrim brenda; edhe votë e lirë, por edhe struktura antiligjore që e dhunojnë pa pikë ndrojtje votën. Përsëritja e përhershme e kësaj skeme, ndërsa nuk merret asnjë masë administrative dhe ligjore kundër shkeljeve, duket si një përpjekje e pranuar në heshtje nga ana e politikës, për të shartuar votën e lirë me manipulimin. Gjithsesi, kjo bashkëjetesë e sforcuar midis së ligjshmes dhe antiligjores, që po shoqëron proceset zgjedhore në Shqipëri, po na nxjerr gjithmonë e më gjysmakë në demokracinë tonë dhe pothuaj rast i pashpresë në sytë e ndërkombëtarëve. Si ka mundësi që në vendet fqinje dhe me një përvojë më të shkurtër demokratike, si në Mal të Zi, Serbi, por edhe në Maqedoni, zgjedhjet të vlerësohen jo thjesht të pranueshme, por dhe brenda standardeve të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare? Ndërsa ne, pas 18 zgjedhjesh në 27 vjet pluralizëm, ende vlerësohemi negativisht për mënyrën se i menaxhojmë dhe zhvillojmë zgjedhjet. Është kjo një papjekuri demokratike e vetë shqiptarëve, se nuk dinë të bëjnë zgjedhje, tezë që amplifikohet dhe nga qarqe jashtë vendit, apo faji për këtë, më tepër sesa tek populli, duhet kërkuar në klasën politike të vendit?

Ndërsa historitë me hajdutët elektoralë dhe manipuluesit e zgjedhjeve, kanë marrë një status normal ndër vite, në realitetin shqiptar. Këto raste të përsëritura po bëhen gjithmonë e më bezdisëse për veshët e ndërkombëtarëve. Ndaj, nuk do ishte çudi që nga gjithë kjo mejhane elektorale, ta paguajë i gjithë vendi penalizimin në procesin e integrimit dhe në hapjen e dyerve drejt Europës. Është tepruar së tepërmi në këto 27 vjet, dhe kësaj rruge i duhet vendosur një cak, për të mos u përmbysur në shtigjet e thepisura të konflikteve politike. Pasi ashtu siç janë lodhur shqiptarët, që të diskutohet ende sot e kësaj dite nëse vota e tyre manipulohet apo jo, po ashtu dhe ndërkombëtarët mund të lodhen një ditë së besuari se, mund të jemi partner të besueshëm në rrugëtimin e përbashkët të shoqërive demokratike.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: