Treni do të përshkojë qytetin e Tiranës

Treni do të përshkojë qytetin e Tiranës
Treni do të përshkojë qytetin e Tiranës. Kjo u pohua dje nga vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, duke e cilësuar atë madje si edhe investimin e parë serioz në fushën e hekurudhave në vend. “Një nga projektet prioritare është projekti me BERZH-in për ndërtimin e rrjetit modern hekurudhor  Tiranë-Rinas-Durrës. Por jemi duke diskutuar  edhe me Bashkinë e Tiranës për të bërë edhe një lidhje të brendshme të rrjetit hekurudhor duke u kthyer edhe si një rrjet i brendshëm transporti për një pjesë të qytetit të Tiranës”, tha saktësisht ai para deputetëve të komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Duke pranuar se hekurudhat janë një fushë që sipas tij, ka mbetur shumë mbrapa në Shqipëri.

Por në pamundësi për të mësuar më shumë prej ministrit rreth këtij projekti, “Albanian Free Press” i është drejtuar këshilltarit të tij, Dardan Malaj, i cili ka pohuar se ai gjendet në fazën e studimit. Duke saktësuar më tej se zgjatimi i linjës hekurudhore për Tiranën do të bëhet thuajse sipas linjës së vjetër, me plus apo minus brenda saj, kjo edhe për shkakun sepse shumë gjëra  kanë ndryshuar. “Por pak a shumë si zonë aty rrotull do të jetë, ku ka qenë e vjetra”, ka shtuar ai. Ndërkaq, bëhet me dije se studimin rreth kësaj linje, po e bëjnë të njëjtët ekspertë që kanë bërë edhe atë për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.

Kujtojmë se për ndërtimin e kësaj të fundit, është akorduar një financim prej 36.8 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, teksa ajo është parashikuar të nisë së afërmi dhe afatet për ta përfunduar janë rreth tre vjet. Nga ana tjetër, të pyetur nga “Albanian Free Press”, punonjës të dikasterit të Infrastrukturës që kanë punuar aty në mandatin e kaluar qeverisës, shtojnë se projekti që do përfshinte Tiranën në hekurudhë parashikonte kalimin e tij tek gjurma ekzistuese e linjës hekurudhore, pra te ajo që ka qenë. “Sepse po të hapet linjë e re, vete shumë e lartë kostoja, do të ketë shpronësime, ndërsa e mira e ndërtimit të trenit është se ndërtohet tek hekurudha ekzistuese dhe nuk ka shpronësime apo nevojë për shpenzime ekstra”, kanë sqaruar ata. Dhe nëse do të ndiqet ende kjo linjë, sipas tyre, i bie që brenda linjës së re hekurudhore të jetë e përfshirë edhe një pjesë e mirë e kryeqytetit. Njësoj në fakt edhe siç tha dje vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, flet për “Albanian Free Press”

 “Kemi bërë disa kërkesa se si duhet që të lidhet linja e trenit me qytetin”

“Ne kemi bërë disa kërkesa mbi mënyrën sesi ne mendojmë se duhet të lidhet linja e trenit me qytetin”. Ky është sqarimi që vetë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka dhënë dje për gazetën “Albanian Free Press”, pikërisht lidhur me diskutimet që ky institucion është në zhvillim e sipër mbi rrjetin hekurudhor ku do të përfshihet edhe kryeqyteti. Por gjithsesi sipas tij, është ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës ajo që i ka informacionet kryesore rreth një projekti të tillë. Ndërkaq, burime zyrtare të Bashkisë së Tiranës shtojnë se po shihet mundësia që tek Bulevardi i Ri të ketë një lidhje hekurudhore, të ketë një stacion ndalimi, por jo qëndrimi ku të mblidhen trenat në kryeqytet. Gjë e cila sipas tyre, është thënë në fakt edhe nga vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: