Turqia, Lilaj&Veseli: Kundërshtari i një niveli më lart, ne nuk humbasim asgjë

Turqia, Lilaj&Veseli: Kundërshtari i një niveli më lart, ne nuk humbasim asgjë
Një ditë para miqësores me Turqinë në Antalia, Sabien Lilaj i rikthyer  në kombëtare nga trajneri Cristian Panucci, teksa po kalon një moment të shkëlqyer te Skënderbeu, thotë para miqësores së nesërme me Turqinë,  se tani pret që të luajë sadopak me fanellën kuqezi.

Në radhë të parë jam i lumtur që jam rikthyer te kombëtarja, sepse është gjithmonë kënaqësi të luash për ekipin kombëtar. Jam stërvitur mirë dhe jam në formë, ndaj shpresoj që të kem disa minuta në dispozicion, në sfidën e nesërme”, tha Lilaj.

Lidhur me kundërshtarin, Lilaj thotë:

Natyrisht që kundërshtari është i një niveli të lartë dhe këtë e dinë të gjithë. Kanë futbollistë që luajnë në klube të mira, por ne do të bëjmë lojën tonë. Do të kërkojmë të paraqitemi mirë dhe pse jo, të marrim edhe rezultat pozitiv në këtë sfidë”, tha korçari.

Sabien Lilaj tregoi se nuk e kishte takuar Panuccin, para se ai t’i besonte një vend në kombëtare.

Nuk e kisha takuar asnjëherë Panuccin, por kjo nuk është e rëndësishme, sepse në kombëtare vlen vetëm paraqitja dhe forma e mirë, për t’u aktivizuar. Këto ditë këtu na shërbyen për t’u njohur më mirë, si me trajnerin, ashtu edhe me njëri-tjetrin dhe besoj se kemi bërë një punë të mirë. Roli im i preferuar është mesfushor para mbrojtjes, sepse aty ndihem mirë dhe besoj se jap më të mirën, por gjithsesi jam i gatshëm të luaj ku të më kërkojë Panucci.”

Mesfushori momentin e tij e lidhi edhe me periudhën e mirë që po kalon skuadra e tij, Skënderbeu, që e mbylli pa humbje fazën e parë të kampionatit.

Jemi duke kaluar një moment të mirë, sepse kemi një grup lojtarësh që luajmë prej kohësh bashkë. Niveli i profesionalizmit është i lartë dhe kjo është përkthyer në rezultate. Natyrisht që do të jetë e vështirë të ruajmë ecurinë pa humbje, por e rëndësishme është që të mos e vëmë në dyshim asnjëherë fitoren e titullit, që është edhe objektivi ynë në këtë sezon”, tha Lilaj.

Mbrojtësi Frederik Veseli theksoi se gjatë kësaj jave, skuadra ka njohur më mirë trajnerin Christian Panucci dhe është bashkuar më shumë si grup.

Është ndeshje shumë e rëndësishme, për të cilën kemi një javë që përgatitemi. Kemi pasur pak kohë në grumbullimet e tjera, ndërsa këtë javë kemi punuar mirë dhe jemi bashkuar si grup”, tha Veseli. Sipas tij në miqësore çdo lojtar i Shqipërisë kërkon të bindë sa më shumë,  ndërsa vlerësoi se nuk ka presion rezultati, çka shton optimizmin për një ndeshje sa më bindëse për tifozët.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: