“Ura e Dajlanit”, atje ku nënat shesin trupin për të rritur fëmijët

“Ura e Dajlanit”, atje ku nënat shesin trupin për të rritur fëmijët
Trotuari që zgjatet nga Stacioni i Trenit tek Ura e Dajlanit është kthyer në “rrugën e seksit”. Vajza dhe gra, shesin trupin për 2 mijë lekë aktin. Rrëfimi i Albanës, nënë e dy fëmijëve, që burri e dhunonte dhe e nxirrte për të lypur me foshnjën në gji. Si e gjeti forcën të denonconte të shoqin dhe të divorcohej. Shkatërrimi i familjes së prindërve nga bixhozi dhe fati i trishtë që sot e detyron të dalë në rrugë

Alket Aliu

Kilometri që fillon tek stacioni i trenit të Durrësit deri tek Ura e Dajlanit, është njëkohësisht edhe “parajsa” e seksit me pagesë. Vajza dhe gra të reja, kryesisht të komunitetit egjiptian, bëjnë shëtitjen e ngadalshme në trotuarin pranë hekurave të stacionit hekurudhor ku rrallë e tek mbërrin ndonjë tren me dy-tre vagonë. Ecin duke kthyer kokën mbrapa, për të parë nëse po vjen dikush, dhe ecin sërish me hap të ngadaltë. Kalojnë semaforin dhe mbërrijnë deri tek mbikalimi i urës së Dajlanit, një ndër zonat e para të rikonstruktuara në kuadër të Rilindjes Urbane. Ndonjëherë ulen në stolat ngjyrë vishnje. Në pritje të automjeteve që u ndalen tek këmbët.

Është një ecejake që përsëritet si ritual prej më shumë se 15 vjetësh, me vajza e gra që shfaqen për ca kohë dhe, në mënyrë thuajse të programuar, ikin duke i lënë vendin fytyrave të reja, të panjohura.

Trotuar nuk ngelet kurrë bosh. Si një shfaqje që nuk ndalet, ajo fillon çdo ditë rreth orës 10.00 të paradites dhe mbyllet rreth orës 22.00 të mbrëmjes. Me “bileta” që variojnë nga 20-30 mijë lekë të vjetra.

Kaq kushton seksi me pagesë në këtë trotuar. Ndonjëherë edhe më lirë. Vajzat e veshura me pantallona te ngushta apo minifunde, bëjnë pazar.

Albana dallon nga të tjerat. E veshur me një bluzë të bardhë sipër një fustani me vija të zeza që i arrin pak më sipër gjurit. Në pamje të parë, teksa ecën me nxitim në trotuar, duket si një femër që po shkon në zyrë apo për të mbërritur në stacionin e autobusit urban. Por e tradhton një vështrim i shpejtë, vjedhurazi, që u hedh automjeteve që ngadalësojnë shpejtësinë në këmbët e saj.

Edhe ajo është një nga femrat e komunitetit egjiptian që përfiton nga klientela e këtij trotuari. Por është disi ndryshe. Ajo nuk thotë se ka dalë për “punë”, edhe kur dikush i ofrohet ta shoqërojë me makinë. Ndërsa e ftoj për një kafe, ajo buzëqesh dhe pohon me kokë.

Albana mbart mbi vete një histori të trishtë, sikurse shumë prej femrave që detyrohen të shesin trupin. Është vetëm 24 vjeç, e divorcuar prej shtatë vjetësh dhe me dy fëmijë që duhet t’i ushqejë. Një djalë 10-vjeçar dhe një vajzë 8-vjeçare. “Jam mësuar të punoj gjithë ditën për të paguar qiranë dhe për të mbajtur fëmijët, thotë Albana. Prej shumë vitesh shes rroba të përdorura nëpër fshatrat këtej rrotull, por puna ka rënë shumë. Dikur nxirrja edhe 20 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa sot jam me fat nëse nxjerr 10 mijë”, tregon Albana për “Albanian Free Press”.

Por jeta është e vështirë. “Paguaj 50 mijë lekë të vjetra në muaj qira dhe jetoj bashkë me dy fëmijët e mi në një dhomë të vetme. Aty gatuaj, aty hamë, aty bëjnë fëmijët mësimet, aty flemë të tre. Jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, ndërsa fitimi gjithnjë e më i vogël”.

24-vjeçarja thotë se ka dalë për herë të parë në rrugë rreth tre muaj më parë. “Kisha vajzën të sëmurë dhe më duheshin 30 mijë lekë të vjetra për të blerë ilaçe. Në dyqanin e fshatit kisha borxhe të papaguara. Askush nuk më gjeti dot lekët, por vajzën nuk e lija dot në atë gjendje. U vesha dhe dola këtu. Atë ditë nxora 50 mijë lekë me tre klientët e parë. Bleva ilaçet, u bleva fëmijëve ca fruta dhe ushqime të tjera dhe...nuk mbeti asgjë. Të nesërmen dola sërish për të shitur rroba të përdorura”.

Nëna e dy fëmijëve thotë se është ndjerë keq atë ditë dhe shumë ditë të tjera më pas, por halli i fëmijëve e shtyn të bëjë çdo lloj sakrifice.

“E kam ndarë mendjen, do të sakrifikoj sa të mundem që të rris dhe të shkolloj fëmijët. Nuk dua të mbeten si unë, me 5 klasë shkollë dhe pa asnjë zanat. Ata nuk e dinë si e siguroj mbijetesën”, tregon Albana teksa ca pika lot i rrëshqasin syve. “Nuk e beson dot, por, edhe pse lodhem gjithë ditën, nuk blej as gjënë më të vogël për të vënë në gojë, sepse asgjë nuk më shkon në stomak pa fëmijët e mi”.

Por jeta e Albanës nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Ajo tregon se, edhe pse fëmijë i birësuar, është rritur nga prindërit adoptues në Elbasan me gjithë të mirat që ata mundnin t’i siguronin. “Babai punonte me tregti dhe arriti të ngrinte një biznes. U martova me djalin që dashurova që 13 vjeç dhe 14 vjeç isha kur linda djalin. Unë vazhdoja të punoja në dyqanin e babait, ndërsa im shoq nuk e kishte me qejf punën. Por bixhozi e shkatërroi familjen e prindërve të mi. Babai i la të gjitha në kumar dhe tani është pa punë, ndërsa shtëpinë e mban nëna ime, që mbledh gjithë ditën shishe plastike.”

Ishte koha kur jeta nisi ta zhysë Albanën gjithnjë e më poshtë. “Nuk kisha punë dhe babai nuk më ndihmonte dot më. Vajza ishte disamuajshe. Im shoq nuk punonte. Më detyronte të dilja për të lypur nëpër trena, me foshnjën në gji, ndërsa në mbrëmje më priste tek stacioni i trenit. Më merrte gjithë paratë që kisha mbledhur gjatë ditës, sepse blinte hashash. Më ka marrë edhe qindarkat e fundit. Pastaj më thoshte se isha fajtore për këtë jetë të poshtër dhe më rrihte”.

Teksa vazhdon rrëfimin, Albana mezi i nxjerr fjalët. “U detyrova të shkoja në polici. Tim shoq e arrestuan, e dënuan me 4 vjet burg për dhunë në familje dhe për hashashin që i kapën. Kërkova menjëherë divorcin. Nuk e kam parë më, edhe pasi ka dalë nga burgu, por një shoqe që takova rastësisht nga Elbasani, më tha se ishte sërish në burg, këtë radhë për vjedhje.

Pas divorcit, Albana është shpërngulur në një nga fshatrat e Durrësit, ku jeton me qira. Ajo thotë se nuk ka dëshirë të kthehet sërish në Elbasan, pasi atje është edhe më keq se këtu. Dhe ndërsa bisedojmë, shkëputet ca minuta për një telefonatë. “Ishte nusja e dajës, më thotë. Daja është në burg. E kapën duke vjedhur një derë hekuri për ta shitur për skrap. Nga gjithë hajdutët që ka ky shtet, vetëm ne na kapin”.

Albana ka ide të qarta për jetën e vet. “Nuk dua as burrë, as të dashur. Jam ngopur me atë që kisha, por edhe me histori të shoqeve të mia. Meshkujt duan vetëm të na shfrytëzojnë. Jam në mjerim, por të paktën jetoj jetën time, pa njeri mbi kokë”.

Gruaja e re thotë se, edhe pse del dy-tre herë në javë në rrugë, e di shumë mirë se kjo nuk do ta bëjë të pasur dhe as nuk e lakmon pasurinë. “Nuk rri dot gjatë, pasi duhet të marr fëmijët në shkollë. Mjaftohem me dy klientë, sa për të plotësuar lekët që më mungojnë për të mbajtur familjen. Ditët e tjera të javës, vazhdoj të dal në treg, të shes rroba. Ndoshta do të vijë një ditë që të kem një punë sa për të mbajtur familjen, pa patur nevojë të dal në rrugë”.

Deri atëherë, Albana vazhdon të mbijetojë me shpresë. Duke shitur rroba të përdorura dhe, kur paratë nuk mjaftojnë, duke shitur edhe trupin. /Albanian Free Press/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: