Xhesika Polo: Do shkoja në fund të botës për muzikën

Xhesika Polo: Do shkoja në fund të botës për muzikën
Për herë të parë e ka “përqafuar” skenën në moshën 14-vjeçare; zë “black” të importuar, portret të kolmë e forcë karakteri. Xhesika Polo arriti t’u tregonte të gjithëve se, ishte aty për të qëndruar gjatë e sot që është vetëm 20-vjeçare, ka disa paraqitje dinjitoze në festivale, këndon “live” në të gjithë Shqipërinë dhe ky sezon e gjen me dy këngë në dy festivalet më të rëndësishme të muzikës sonë të lehtë, në “Këngën Magjike” dhe në festivalin legjendar të RTSH-së. Vjen në këtë intervistë ekskluzive, vajza që kaloi përtej të qenit mbesa e këngëtares së mirënjohur, Valbona Mema, me zërin e fuqishëm dhe magjinë rinore të një vajzë të dashuruar.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

E ke nisur në skenë 14-vjeçare, sot je tek të njëzetat, nuk i druhesh konsumimit që ndodh me artistët që e nisin kaq të rinj?

Mendoj se, për aq kohë sa një artist di ta ruaj veten, nuk konsumohet lehtë. Është më e lehtë ta nisësh karrierën në atë moshë, sepse e ke kohën aleate për çdo plan apo ndryshim që do të bësh gjatë rrugës. Plus mësohesh më lehtë me prapaskenat e një fushe që në fasadë, duket si një ëndërr perfekte.

Sigurisht që u pikase nga juria dhe publiku për zërin potent, që të shquan edhe sot. Nga e ke këtë trashëgimi?

Unë vij nga një familje ku arti ka qenë gjithmonë kryefjala. Babai im ka kënduar në rininë e tij me Tingullin e Zjarrtë, tezja ime është këngëtare, gjyshja ime ka qenë këngëtare, mamaja ime është piktore dhe vëllai im, Marko Polo është producent muzikor. Nga llogaritë, unë kurrsesi nuk do dilja mjeke ha ha ha.

Përveç se me zërin, sa merresh me kultivimin e muzikologjisë? Pra, merresh vetë me këngën që do të interpretosh?

Unë punoj me vëllanë tim, për çdo projekt që kemi në plan. Kryesisht, unë merrem me vijën melodike, por sigurisht që përfshihem në të gjithë procesin e bërjes së një kënge.

Tek kënga magjike konkurron me një këngë ide të vëllait tënd; sa të ndihmon bashkëpunimi me të dhe sa të kushtëzon?

Kënga është produkt i vëllait tim, jo vetëm ide. Marko e ka kompozuar dhe orkestruar. Nuk më kushtëzon në asnjë aspekt. Ka qenë një bashkëpunim shumë i bukur, plot ndjesi dhe dashuri.

Nga kënga magjike, tek festivali në RTSH, si e përballon këtë ngarkesë dhe si lindi kënga me të cilën do të paraqitesh në festival?

Më pëlqen që, për aq kohë sa jetoj në Shqipëri, të jem e angazhuar me festivalet tona. Adrenalina e konkurrimit, lodhja në prova, procesi i finalizimit të një produkti muzikor e duartrokitjet e publikut, janë të gjithë elemente që e mbajnë shpirtin tim artistik në lëvizje. Kënga e festivalit është një kryevepër, meritë e talentit të Markos. Vazhdimi mbetet për t’u parë.

Mediat janë marrë shumë edhe me stilin tënd, veshjen, stilimin e flokëve, buzët etj. etj. Nuk mendon se kështu ikën disi vëmendja nga zëri yt, që në fakt. është pasuria jote më e madhe?

Përkundrazi, të gjitha këto ia zgjerojnë jehonën zërit tim. Për aq kohë sa e lakojnë emrin tim, kur ta kërkojnë në youtube, përsëri që zëri do ua marrë vëmendjen.

E ke jetuar me shumë intensitet dashurinë tënde, e kjo është normale për një vajzë kaq të re. Por sa të ka mbushur shpirtin e krijimtarisë, kjo dashuri?

Kur e ke zemrën të mbushur, sytë shkëlqejnë më bukur në kamera, zëri del më i pastër e intuita muzikore është më e theksuar.

Ndërron modele flokësh shumë shpesh, aq sa vështirë të gjesh dy foto të tuat njësoj. Nuk tregon kjo një brishtësi tek ti? Apo thjesht e ke pasion?

Nuk jam natyrë që pasiguritë e mia i fsheh pas këtyre ndryshimeve. Më pëlqen të eksperimentoj me look-un, sepse më largon nga monotonia e të përditshmes.

Jashtë këngës dhe të kënduarit live, ku të pëlqen ta kalosh ditën tënde?

Kryesisht në shtëpinë time të dashur, kafe dhe dreka të qeta me shoqe. Më pëlqen qetësia në kohë të lirë, sepse balancon vrullin e profesionit tim.

Nuk doja ta prek faktin e lidhjes me gjakun tënd me Vlabona Memën, që unë e vlerësoj shumë. Por po të pyes vetëm këtë: Të ka këshilluar ndonjëherë të mos futesh në botën e artit, sepse është botë e egër?

Qysh e vogël, kam qenë natyrë e vendosur, këmbëngulëse dhe nuk e ka bërë këtë gjë. Pastaj kur e mendoj, do t’ishte mëkat që zëri im t’i mungonte skenës.

Ngjan me këtë apo ngjan me atë, i kam lexuar këto për ty. Por, e vërtetë është që, nga zëri, nuk ngjan me askënd. Si të duket ky lloj individualiteti?

Për mua është bekim të jesh ndryshe. Individualiteti është një nga cilësitë më të mira që mund të ketë një artist, sidomos në kohën tonë ku fenomeni copy-paste është në nivele shumë të larta.

Të kam dëgjuar live në një mjedis në plazh. Më bëri përshtypje që i menaxhoje mirë emocionet. Si ke arritur në këtë pikë?

Eksperienca është shkolla më e mirë e menaxhimit të emocioneve. Pas 6 vitesh në skenë, çdo dalje e imja është më profesionale se tjetra.

E përballon vetë jetën, ekonomikisht?

E them me krenari se, ka disa vite që unë e përballoj vetë jetën ekonomikisht dhe sigurisht, kontribuoj edhe për familjen time.

Deri ku do të shkoje, për të ndjekur pasioni tënd? P.sh., do arrije të ikje larg, duke lënë kështu familjen dhe dashurinë?

Do shkoja deri në fund të botës, por do t’i merrja me vete. Nuk do ta lejoja kurrë profesionin të më bënte jonjerëzor.

Ke pritshmëri nga dy interpretimet e tua më të fundit? Si mendon se janë pritur ato?

Gjithmonë kërkoj të marr atë që meritoj nga interpretimet e mia. Publiku është gjykuesi. Unë deri tani jam e kënaqur.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: