Xhevat Limani Shpirtin që pranojmë të parin, e dorëzojmë të fundit

Xhevat Limani  Shpirtin që pranojmë të parin, e dorëzojmë të fundit
 

 Xhevat Limani/ Flet aktori dhe regjisori i njohur nga Maqedonia: Unë isha shpirt kryengritës si aktor, rihulumtues si regjisor, me platformë të qartë dramaturgjike shqiptare, poet dhe shkrimtar me vulën e shpirtmërdhirit shqiptar që desha t’ua fal zjarrin me të cilin ngroheshin vetëm të shiturit dhe satrapxhinjtë. Së fundi, unë isha orator me shumë virtyte të larta dhe plot përparësi që më kthyen në një tribun të vërtetë. Jo vetëm pushteti, por edhe mercenarët e partive shqipfolëse e ndjenin rrezikun e fjalës së lirë shqipe që po lëkundte themelet edhe ashtu të kalbura sintetike të kreaturës titiste, ndaj vendosën për likuidimin tim.

 

Ai është padyshim një nga figurat më të rëndësishme të artit në trevat shqiptare të Maqedonisë. Pikërisht prej andej, ku në vitin 2002, pas një atentati të dështuar ndaj tij në skenën e teatrit, do të merrte rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tashmë ka krijuar teatrin shqiptar. Xhevat Limani, ky promotor dhe mbrojtës i kauzës shqiptare, rrëfen në këtë intervistë të posaçme për “Albanian Free Press” rrugëtimin e tij artistik, i ndërthurur edhe me një përpjekje të vazhdueshme për të lançuar shqiptarizmin sit ë tillë në mbarë botën…

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Fadil Shehu

 

Njiheni si ndër organizatorët e mitingjeve për aspiratat shqiptare, ndaj diskriminimit nga shteti maqedonas. E kishit menduar se kjo pjesëmarrje do të kishte pasoja ndaj jush?

Kur në vitet ‘90, shqiptarët nën Maqedoni po zgjoheshin me insistim të shumë personaliteteve, unë pranova rolin e tribunit me të vetmin qëllim të ndihmojë popullin tim që pushteti sllavo-maqedonas që nga Kushtetuta e arnuar titiste e emërtonte si pakicë, i prirë nga kasapi Gligorov dhe argatët e tij shqipfolës, duke dashur të prezantojnë një utopi paqësore. Natyrisht që isha i vetëdijshëm për pasojat. Në fillim kisha frikë, më tepër për familjen sesa për vete, por duke e mundur frikën shesheve të qyteteve bashkë me popullin tim, filluan të lëvizin proceset e zgjimit kombëtar. Merreni me mend, në mitingun e parë askush nuk kishte guxim të fliste veç meje. Tani folësa kafenesh e broçkulla të tjera njeriu mund të dëgjojë nga më të marrëzishmet. Unë pranova të flijohem për popullin tim. Fati më desh dhe Zoti më mori në mbrojtje që unë mbeta gjallë. Ndoshta sepse unë ende nuk e kam kryer misionin. Pasojat erdhën atëherë kur u bindën se nuk mund të më blinin për asnjëfarë çmimi. Unë isha i bindur shqipërisht dhe sot ndjehem ballëhapur para popullit tim viktimë. Tani që jam arratisur larg, duke dremitur lirinë e popullit tim, po e kuptoj pse gjatë leximit të shumfishtë të kryeveprës të Servantesit “Don Kishoti i Mançes”, nuk mund të parapëlqeja asnjë presonazh me formë njeriu, por gjithnjë pa ndonjë analizë të thellë zgjidhja ime ishte kali Rosinant. Unë isha shpirt kryengritës si aktor, rihulumtues si regjisor, me platformë të qartë dramaturgjike shqiptare, poet dhe shkrimtar me vulën e shpirtmërdhirit shqiptar që desha t’ua fal zjarrin me të cilin ngroheshin vetëm të shiturit dhe satrapxhinjtë. Së fundi, unë isha orator me shumë virtyte të larta dhe plot përparësi që më kthyen në një tribun të vërtetë. Jo vetëm pushteti, por edhe mercenarët e partive shqipfolëse e ndjenin rrezikun e fjalës së lirë shqipe që po lëkundte themelet edhe ashtu të kalbura sintetike të kreaturës titiste, ndaj vendosën për likujdimin tim. Dhe sot disa prej  gërdallave që ngordhën dhe që kanë gisht në atentatin mbi mua në 22 mars 2002 në Tetovë, në shtëpinë e kulturës, ku demonstrohej paralel koncepti Makiavelist dhe i Monteskiesë, i forcës së pushtetarëve të cilëve po u luhatej posti, karriera dhe privilegjet. Fati im ishte që akti ndodhi në programin “Luftojmë terrorizmin”, nën tutelën e ambasadës amerikane në Shkup e Tiranë, ku realizues dhe përgjegjës i projektit isha unë. Desh Perëndia dhe mbeta gjallë. Mjerisht, shumë kolegë e “miq” u gëzuan para kohe, duke menduar se vdiqa. Unë ende nuk e kisha kryer misionin tim. Kur do vijë koha, shpirtin që pranojmë të parin, e dorëzojmë të fundit. Natyrisht, edhe unë ashtu do të jem i bindur.

 

A jeni ndjerë i zhgënjyer?

Unë jam optimist. E di se populli im nuk më ka zhgënjyer. I kërkuam ndihma na dha, e ftuam të dalë në rrugë në mitingje e protesta doli, duke pranuar të shkelmohet, të përgjaket dhe të vritet për liri. Por liderët e shpifur nga premtimet e mëdha dhe boshe çfarë i ofruan vallë? Asgjë, përveç vazhdimit të diktaturës dhe robërisë. Popujt e mëdhenj lindin nga një burrështetas i madh gati në çdo 300 vjet, ndërsa ne krijuam heronj prej balte dhe dylli. Bile u kënduan edhe këngë, por ata ranë ende pa mbaruar refreni i parë i këngës. Sa mjerim! Ky është zhgënjim për popullin tim durim e shpirtmadh.

Ndoshta gjatë kësaj periudhe shteti maqedonas e policia kërkuan largimin tuaj nga Maqedonia. Çfarë fshihej pas këtyre kërcënimeve?

Unë u largova me familjen time meqë për kryet tim kishte çmim. Doja ta shpëtoja familjen time. Njërën vajzë e kisha në Tiranë. Ndërsa vajzën e madhe ma larguan nga Akademia e Arteve në Shkup, dy ditë pas atentatit që m’u bë mua. Ia kanë dhënë dokumentat në dorë duke i deklaruar idiotësisht: ”Shko studio në Shqipëri, se babai yt Shqipërinë do”. Erdhi vajza duke qarë. Kjo skenë ishte më e rëndë se atentati. Pas disa skenave dramatike në akademi, takova Zana Shuteriqin dhe ajo më këshilloi ta regjistroja në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ashtu veprova. Me mua erdhi dhe Zana të më ndihmojë, por edhe atje burokracia kishte sharruar thellë. Nuk deshin ta regjistronin vajzën për të vazhduar studimet. Pas ecejakeve, korridoreve të ndryshëm institucionalë, ndodhi mrekullia. Më pranoi kryeministri Ilir Meta. E dinte tregimin tim përmes kanalesh diplomatike dhe me urdhër të tij rektori Kastriot Çaushi solli indeksin në kryeministri. Puna mbaroi përtej situatave të neveritshme. Falenderova kryeministrin dhe të nesërmen u ktheva në Shkup. Pas dy ditësh së bashku me bashkëshorten time, fluturova për Nju Jork. Zbrisja në tokën e bekuar pa ditur asnjë fjalë anglisht. Aty luhet drama ime personale.

 

Jeni pjesë edhe skenës së filmit, ndaj të cilit po flisni me shumë pasion dhe dashuri. Ku jeni ndjerë më i sukseshëm?

Natyrisht që në teatër. Aty kam investuar tërë qënien time prej krijuesi. Të vetmin isntitucion  që kishim ne shqiptarët e ngratë atje, ishte ai gjysmë teatri. Po them gjysmë teatri, se skenën e ndanim me dramën turke. Pra, diskriminimi fillonte që tek ditët e javës. Çdo teatër normal në botë ka repertoar javor, ndërsa ne kishim program gjysëm-javor. Dhe po ta kërkoje të hënën për ditë provash, nga administrata shtetërore dhe ministria e diskriminimit kulturor i kishin gati shigjetat plot helm duke të akuzuar për nacionalizëm e separatizëm. Ky ishte absurditet profesional dhe politik. Po të kërkonim paga si sllavo-maqedonasit na thoshin “ndani paratë e buxhetit dedikuar për shfaqje”. Teatri pa shfaqje, është teatër. Sa i përket filmit, duhet të ishe kuadër “vëllazërim-bashkim” që të hidhnin ndonjë zorrkë qorre sa për t’u tallur me aktorët shqiptarë që të përbuznin edhe para opinionit vendas dhe të huaj, se nuk ka aktorë shqiptarë. Aktorë kishte, por filma, projekte, regjisura, skenarë dhe role për krijues me bindje shqip nuk kishte. “Kosova-filmi” që ende e kish frerin e Serbisë na ftonte si individë sipas ndonjë interesi apo profiterie fisnore, klanore, apo kuadro të verifikuar të sistemit. Kur u hap Shqipëria pas viteve 90-të, filloi të na ftojë më tepër nga një detyrim patriotik sesa nga ndonjë rezultante cilësish artistike. Morën guximin Kujtim Çashku dhe Esat Musliu, të cilëve u shpreh mirënjohje publike. Kinostudioja u katandis në mjerim dhe gati po e copëtonin ambiciozët për të shqyer kufomën që po drithëronte shpirt.

 

Njiheni për skalitjen mjeshtërore artistike ndaj figurës të Gjergj Kastriot Skënderbeut, shfaqur me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku së bashku me 100 burra struganë, ju përshkuat në këmbë, tre ditë rrugën nga Struga në Vlorë. Si e kujtoni këtë moment historik?

Iniciativa u përket atdhetarëve struganë Agim Dauti dhe Ajrush Miftari. Ata më lutën mua të qëndroj në ballë të aktivitetit të veçantë kombëtar. Prezent ishte dhe miku im Adonis Filipi, regjisor i cili u entuziazmua nga ideja që me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 100 struganë, burra dhe gra, djem e vajza, të marshonin nga qyteti i Strugës për  në Vlorën historike. Punuam bashkarisht mbi katër muaj me një grup te mirë atdhetarësh të kulluar. Ftuam shumë personalitete që luhasin kot flamurin e atdhetarizmës, por ata nuk na u përgjigjën. Do rikujtonim tetë struganët, pjesëmarrës në aktin e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, katër prej tyre firmëtarë të aktit të shpalljes së pavarësisë. Ky numër dinjitoz na motivoi edhe më tepër që të ecnim gjurmëve të rilindasve tanë dhe të ndjeheshim të barabartë me të gjithë të zgjedhurit e tjerë në këtë ngjarje të madhe historike. Unë u vesha me kostumin e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe u përkujdesëm që të bëjnë rrugën bashkë edhe Adem Jashari, duke shoqëruar dhe mbrojtur plakun e urtë Ismail Qemali, të cilin e hipëm në një qerre të dekoruar me simbole kombëtare autoktone.Ishte një udhëtim plotë peripeci, lodhje dhe kënaqësi e ndjenjës së triumfit që ne bijtë e flamurit me shkabë kujtonim Nënën Shqipëri, bashkë me mendjendriturin Ismail Qemalin. Pati përjetime të bukura dhe dramatike. Ne qëndruam në nivel të misionit dhe nuk u përulëm para lakejve, mercenarëve dhe argatëve profiterë. Detajet e tjera mund t’i gjeni tek romani im “Artisti pa Atdhe”.

 

Si do e kujtonit sot çastin e largimit tuaj për nëAmerikë, duke lënë pas një pjesë të shpirtit tuaj? Ishte mars i vitit 2002.      

Pas atentatit të 22 marsit 2002 u detyrova dhunshëm të largohesha në SHBA, për të shpëtuar veten dhe familjen nga kriminelët, mercenarët dhe tradhëtarët të ndërsyer nga ca laro e balo, që lëpinin kockat e policisë dhe pushtetit. Mora vendim me shumë dhimbje dhe insistim të disa miqve dhe përfaqësues të ambasadës amerikane. Kurrë nuk ma merrte mendja se do ta lëshoja teatrin, atë tempull ku kisha investuar tërë qenien time krijuese dhe vepruese. Prej Shkupi në NjuJork, përmes Vjenës ishte një fluturim i gjatë mbi fole qyqesh e qyqarësh, korbash e laraskash, konesh e zagarësh shpirt mercenarësh, bukëshkalësh  e tradhëtarësh, të cilët ngritën dorë publikisht për të linçuar një artist. Prijësat e rekruatuar që nuk patën kurrë kod moral shëronin komplekset e tyre duke eliminuar zërin dhe shpirtin kryengritës të Xhevat Limanit, që po kthehej në një tribun absolut. Xhelozia, smira, urrejtja, tradhëtia dhe ligësi të tjera, kaluronin Iliridës së mjerë. Të shpallen shpëtimtarë ca kalemxhinj të rafinuar nga përgatitjet nëpër Beograd e Prishtinë, nën tutelën e liberalizmit jugosllav, do të thotë që robërisë sonë po i vazhdohej mandati. Policia vriste shqiptarë. Ushtria bashkë me policinë u shpalli luftë shqiptarëve. Ata rrinin në qeveri dhe kërcënonin luftëtarët, se do t’i pastronin hesapet me ata banditë që po prishin rendin në ”Oazin e Paqes”, IRJM. Dhe përsëri Tirana e Prishtina nxituan t’i marrin në mbrojtje sa edhe t’i rehabilitojë këta metuzalemë politikë. Vetë fakti që shqiptarët nën Maqedoni vazhdojnë me problemet elementare për ta shmangur skllavërinë, flet qartë se atje nuk kishte vizionar, e as politikanë të mëdhenj.

 

Sa i vështirë ishte fillimisht për ju integrimi në jetën amerikane?

Nuk e kisha të lehtë. Nuk dija asnjë fjalë anglisht. Isha i papërgatitur gjuhësisht për Amerikën. Kur nuk di gjuhë, je si ai personazhi i shurdhmemecit të Eugjen Joneskos tek drama “Këngëtarja tullace”. Motivi për të dëshmuar, ambicia krijuese dhe dinjiteti im prej aktori, më dhanë kurajo, forcë e gjetje që të nis të fluturoj pa krahë. Herë më dukej vetja qesharak e herë idiot, por unë me çdo kusht desha të komunikoj me njerëzit, pra amerikanët. Flisja mbarë e prapsht shqip, frëngjisht e gjermanisht tek-tuk, vetëm e vetëm të bëj që të më kuptojnë bashkëbiseduesit e mi.

Si do i vlerësoni bashkëpunimet me artistë shqiptarë në Nju Jork dhe shtete të tjera?

Ka individë të talentuar, por pak punojnë për veprimtari artistike. U mungon vetë iniciativa. E kanë të vështirë të sigurojnë ekzistencën. Shumica detyrohen të punojnë në punë të rënda. Pak kohë u mbetet për veprimtari profesionale. Artistët nuk mbështeten fare nga milionerët egoistë dhe me tangarllëk antikulturor. Faj për këtë mbajnë edhe pushtetarët shqiptarë, që sa herë vijnë përvidhen mes lakejve dhe surrogatëve, pa I suportuar fare individët krijues, qoftë edhe moralisht. Ky është vërtet kapitalizëm i ashpër. Mbijeto vetëm dhe triumfo vetë. Mos prit nga laro balot, të cilët gëzohen shumë nëse i ke punët keq. Artistët shqiptarë nderohen vetëm aq sa për të shfrytëzuar famën e tyre, qoftë edhe për ndonjë foto hipokrizie. Ka edhe fisnikë që ndihmojnë artin, por ata janë shumë pak.

 

Kohët e fundit jeni përkushtuar mjaft realizimit të figurës së Skënderbeut në poemën dramatike “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Sa kohë ju desh juve ta realizonit  këtë figurë gjigande të historisë së popullit tonë?

Mbi nëntë vite punova tekstin. Kisha shumë informacione historike, dokumentesh kronikale, udhëpërshkrime, letra, përshtypje, vepra autoriale shqiptare dhe të huaja. U njoha me burime folklorike, këngë, tregime, përralla, mite, anekdoda dhe natyrisht materiale të panjohura arkivore. Pastaj shtrova platformën se bashku me aktorin holivudian, Michael Tylo. Thirra për ndihmë durimin tim kreativ dhe vendosa bindjen time në embrionin e bërthamës për të rilindur burrin e madh, kryeheroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ishte një udhëtim i gjatë fantazmagorik, epik, lirik, dramatik, kronologjik, psikologjik, filozofik e strategjik. Nëse nuk funksionon koha e tashme, kot lodhesh me të kaluarën apo mundohesh për të ardhmen. E dija se po ballafaqohem me përgjegjësinë para publikut, popullit. Ti nuk mund të improvizosh me një figurë apo kryefigurë kombëtare. Duhen hulumtime konkrete në shumë plane, fusha, degë dhe disiplina shkencore, gjuhësore dhe artistike për t’u ngjitur në “Harkun e Triumfit’.

 

Mendoni se mjekra e bardhë origjinale, sytë shkëndijues, fiziku juaj energjik, kanë ndikuar pozitivisht në realizimin me vërtetësi të Skënderbeut?

Aktori është i zgjedhur për shkak të dhuntisë, talentit, imagjinatës, anatomisë fizike, diagramit psikologjik, ngjyrimeve emcionale të gjuhës së tij, qëndrimit dhe raportit për t’u distancuar nga e përgjithshmja, kolektivja, nga turmat dhe turret e injorancës kompiluese, plagjiatore dhe imituese. Nëse e lë figurën me të meta dhe shëmti improvizuese atëherë ti padashur po bën krim. Duartrokitesh apo fishkëllehesh. Ndoshta për hir të educates, publiku del duke mërmëritur korridoreve apo bifeve teatrore. Në këso raste, aktori ka nënshkruar rënien si personalitet krijues. Teatri nuk është jetë private. Është institucion që domosdoshmërisht  i nënshtrohet gjykimit publik.

 

Një muaj më parë me projektin teatror “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” të Teatrit shqiptar në Amerikë, ju organizuat një turne në Europë, Kroaci, Austri, Zvicër, dhe Francë. Kalabri etj. Sa u mirëprit kjo vepër artistike nga publiku europian i këtyre shteteve?

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, atleti që mbrojti Evropën nga hordhitë otomane është simbol i dinjitetit evropian. Ndieja një borxh artistik e kombëtar për t’ia rikthyer Evropës plakë që mjerisht vazhdon me hipokrizi dhe demagogji duke shprehur mosmirënjohje dhe cinizëm ndaj popullit viktimë, shqiptarëve. Në bashkëveprim me mjaft persona arrita të koordinojmë kohën, terminet, fluturimet dhe rrugëtimet, menaxhimet me teatrot e ndryshme, prezantimet para publikut, seancat me gazetarët dhe fotoreporterët, mediat e shumta dhe takimet e pranimet nga përfaqësues eminentë të ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë dhe të Kosovës, bënë që ky turne të fitojë dimensionin përtej artistik, historik e diplomatik. Të gjithë këtyre individëve të shkëlqyer iu shpreh mirënjohje dhe falenderim publik në emër të teatrit shqiptar në Amerikë dhe në emrin tim personal. Kritika e përqafoi shfaqjen me shumë respekt dhe qasje profesionale. Misioni ishte ngadhënjimtar. Një turne të tillë deri më sot nuk e ka organizuar asnjë teatër shqiptar, pjesa më e madhe e të cilëve subvencionohen nga shteti dhe taksapaguesit. Le të turpërohen para institucionit tim që po e mbaj gjallë me mendjen, zemrën,shpirtin, dijen dhe paratë e mia. Unë nuk dua të kursej para nëpër banka. Gjithë pasurinë time dua ta investoj në vazhdimësi për të fisnikëruar popullin e zotit, shqiptarët si raca më e rrallë ‘sui generis’ në univers. Unë dua t’i lë popullit tim, shpirtin dhe gjithë dashurinë time.

 

Ç’do të thoshit për partneren tuaj në këtë shfaqje, sopranon Era Hoxha, e cila është njëkohësisht vajza juaj?

Gjatë gjithë kohës mendoja variante se si ta prezantoja Donikën, një princeshë tipike e aristokracisë shqiptare, të bijën e Arianit Topisë, të cilën Skënderbeu nuk e bëri vetëm mik, por edhe partner strategjik. Skënderbeu theu një kod duke u martuar me princeshë shqiptare dhe jo të huaj siç vepronin pararendësit dhe pasardhësit jo të denjë të gjakut arbëror. Kështu, ai duke bashkuar zemrat, bashkoi kombin dhe dha shembullin më të ndritur si ndërtohet shtetësia dhe si funksionon natyrshëm vazhdimësia e trungut të madh pellazgo-ilir. Për këtë skenë, kërkoja një prezantim ndryshe. Me guxim dhe bindje angazhova vajzën time, soprano Era Limani-Hoxha në rolin e Donikës.Libretot e shkruara nga unë i kompozoi i shkëlqyeri Aleksandër Peçi, ndërsa Era duhej të këndonte ariet. Kjo nuk ishte aq e lehtë kur duhet të luante edhe të vallzonte skenat si aktore dhe natyrisht parallel, të këndonte. Lypsej një teknikë e përsosur diafragme. E ftova në Nju Jork dhe i pagova specializimin 6-mujor tek kryemjeshtri i shkollës amerikane, Kvok. Dhe ia dolëm me sukses. Provat filluan me ritëm uragan në një kohë ngushticë për të arritur termin në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, projekt ky i cili u shkrua dhe u përgatit enkas për kremten e madhe të kombit shqiptar. Ky projekt vazhdon e do të kulmojë edhe me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Teatri shqiptar do të prijë me flamur këtë kremtim nacional nga 5 maji deri në 17 shkurt 2018-2019. Era dëshmoi talentin e saj të rrallë, ndërsa unë mbulova një borxh timin ndaj vajzës sime viktimë, që institucionet televizive antishqiptare nuk e angazhojnë vetëm pse është vajza e një disidenti, artist pa atdhe. Ajo paguan tagrin e rëndë të politikave diskriminuese antishqiptare. Kjo më gëzon jashte mase. Era shumë shpejt,do triumfojë në shumë skena botërore.

 

Sa ka ndikur prania e bashkëshortes tuaj Lule, si spektatore dhe kritike e parë e roleve dhe krijimtarisë tuaj?

Zonja ime Lule ka qenë, është dhe mbetet kritiku im sekret. Shija e saj e rrallë estetike, kultura e gjerë intelektuale, shoqëruesja dhe njohësja ime e rrallë në shumë aspekte. Durimi i saj për të gjetur detajet që ndonjëherë i kanë dalë mendsh edhe regjisorit, pastaj energjia e saj pozitive për të krijuar e jo për të kritikuar, i japin asaj të drejtë absolute jo vetëm ta shprehë mendimin dhe bindjen, madje të insistojë në rigjetjen e modaliteteve që do të më nderonin mua si aktor, regjisor dhe shkrimtar. Kur unë interpretoj në skenë, e di se ajo dridhet nga frika mos gaboj diku. Ndaj unë ndjej përgjegjësi të dyfishtë para publikut, si dhe para kryezonjës sime. Kjo është dhuratë dhe privilegj. Partnere jete më të mirë nuk do më kishte dhuruar as Perëndia. E bukura rrëmbehet, ndaj ia vlen edhe të vetëflijohesh.

 

PROJEKTI

 

“I lumtur që kam krijuar

teatrin shqiptar në Amerikë”

 

“Teatri shqiptar në Amerikë “Albanian Theatër in Amerika”, është institucioni i parë teatror ndër shqiptarët e Amerikës. E themelova vetë, pa ndihmën e askujt. Më ndihmoi vetëm aktorja angleze Vanesa Redgrave, me të cilën isha njohur gjatë luftës së Kosovës. Miqësia ime vazhdoi edhe në SHBA me aktoren e madhe dhe njëkohësisht mike të shqiptarëve. Vanesa për bindjen time është një Edit’h Durham i shekullit tonë. Ajo ka lindur të jetë artiste e madhe, njeri i mirë dhe humaniste e rrallë. Pa dashur të fyeja personalitetin e Konicës dhe të Nolit, prej të cilëve kam pasur çfarë të mësoj, deklarova bindshëm dhe shqipërisht, se as Noli e as Konica nuk e njohin teatrin, nuk kanë pasur përgatitje profesionale, as talentin e dhuntinë e Xhevat Limanit. Bëra premierën e parë Anatema, një tekst i imi, me tre personazhe të Babazotit, Djalli dhe Engjëllina. Ishte kjo një histori dramatike ku në bosht të veprimit sillej e pështillej historia shqiptare përtej dhe këtej dymijëvjeçarit tragjik Pellazgo-Ilirik-Arbëror-Shqiptar. Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ngrita projektin, “Unë Adem Jashari” shkruar nga Lebit Murtishi dhe luajtur bindshëm nga Pajazit Murtishi, një pasionant i rrallë teatror. Deri tani kam punuar tetë premiera. Janë luajtur mbi 200 herë nëpër SHBA-së dhe Evropë. Unë mbaj llogari që në tetarin tim të ketë përparësi drama kombëtare. Të luajnë aktorë shqiptarë me krijues të spikatur shqiptarë”.

 

 

 

TEATRI

 

Një ditë“Skënderbeu” do flasë

anglisht për publikun amerikan

 

“Mendoj se kjo ngjarje do të ndodhë së shpejti. Variantin që luhet në shqip e ka përkthyer Michael Chugg, një gjuhëtar i shkëlqyer, me të cilin po mbaj orë perfeksionomi të ngjyrimeve emocionale në gjuhën angleze. Shpresoj se do të jetë një surprizë teatrore që pritet të ndodhë në Brodvej, Nju Jork. Shfaqja duhet luajtur anglisht për hir të një frekuentimi më të madh dhe prezantimi para popujve të tjerë që nuk kanë informacione për Shqipërinë dhe për shqiptarët aq sa duhet, për të pasur një imazh më konkret rreth përkatësisë sonë properëndimore. Vetë ideja e prezencës së luftëtarëve në radhët e ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut nga 17 kombe të ndryshëm evropianë për të luftuar perandorinë osmane, rezulton drejt idesë së madhe NATO, që ka për qëllim të marrë në mbrojtje popujt e vegjël dhe të sigurojë paqen. Strategjia e Skënderbeut, sulmi me tërheqje mësohet lëndë në Uest Point, akademinë ushtarake në  SHBA. Mes të tjerash do të nderohet aktrimi shqiptar, i cili nuk qëndron më poshtë se shumë shkolla amerikane. Po përshpejtojmë procesin e rikrijimit të një shfaqje me dinjitet profesional dhe kombëtar”.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: