Zbulohet piktura e panjohur e Pavarësisë dhe poezia për Ismail Qemalin

Zbulohet piktura e panjohur e Pavarësisë dhe poezia për Ismail Qemalin
Piktura në vaj e Hamid Ruçit ka në qendër një vajzë me flamurin kuqezi dhe ushtrinë shqiptare që zbret nga Kalaja e Kaninës për të pritur Ismail Qemalin. Vepra e realizuar në vitin 1921 në SHBA, ruhet në banesën e njërit prej nipave të autorit. Flet për “Albanian Free Press” Fazilet Bejleri vajza e patriotit të shquar. Historia e takimit të jashtëzakonshëm me Zonjën e Parë të Amerikës për të garantuar moscopëtimin e Shqipërisë dhe harresa pas kthimit në vendlindje. Vargjet e shkëputura nga libri “Ngjarjet e tmerruara”

Alket Aliu

Një pikturë e panjohur me temë shpalljen e Pavarësisë është realizuar që në vitin 1921. Por piktura vetë dhe autori i saj kanë mbetur në hije për gjithë këto vite. Hamid Ruçi Libohova ka publikuar edhe një libër me poezi me tema patriotike me titull “Ngjarjet e tmerruara”, i cili u publikua në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1920. Në këtë libër spikat poezia “Ngritje e flamurit”.

Historia e Hamid Ruçit

Vajza e patriotit Hamid Ruçi, Fazilet Bejleri (Ruçi) sot është 86 vjeç. Ajo jeton në një apartament në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, së bashku me bashkëshortin. Teksa rrëfen për “Albanian Free Press” historinë e babait të saj të ndjerë, ajo nuk resht së përsërituri se brezat e sotëm duhet të dinë më shumë për ata burra që sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë.

Hamit Ruçi lindi në vitin 1898 në Libohovë, dhe u shkollua në Janinë për gjeometër. Emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në vitin 1914, kur ishte vetëm 16 vjeç. Ishte një nga anëtarët e shoqërisë patriotike “Vatra” dhe, së bashku me Fan Nolin, ishte tepër i angazhuar në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare.

“Mbahu nëno, mos ki frikë/se ke djemtë në Amerikë”, shkruante Noli në ato vite.

Një nga këta djem ishte edhe Hamid Ruçi.

Takimi më Zonjën e Parë të SHBA-ve

“Babai im shkoi deri në Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur çështjen kombëtare”, tregon vajza e tij, Fazileti, e cila e ka dëgjuar këtë histori nga babi i saj i ndjerë që kur ishte në moshë të re. “Ishte viti 1918. Babai kërkoi takim me Presidentin Uilson. Në fillim doli një sekretar që e pyeti se përse kishte ardhur. Hyri brenda dhe doli pas pak minutash me një hartë të vjetër në dorë. -Ku është Shqipëria? Nuk e gjej në hartë. Babai i tha se harta ishte e vjetër, paraqiste territoret e Perandorisë Osmane dhe i shpjegoi se shteti shqiptar ishte krijuar në vitin 1912, në vitin 1913 ishin copëtuar trojet shqiptare duke lënë vetëm territorin aktual, por edhe ky tashmë ishte në rrezik nga Traktati i Fshehtë i Londrës”.

Bëhet fjalë për traktatin famëkeq të 26 prillit të vitit 1915, ku Shqipërisë i mbetej vetëm territori nga Vjosa në mat, kurse pjesa tjetër u kalonte vendeve fqinjë.

Fezilet Bejleri tregon se sekretari i Shtëpisë së Bardhë e la të priste pak kohë në paradhomë. “Pastaj e futi në një zyrë tjetër. Atje e priti Edith Wilson, Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkëshortja e Presidentit Woodrow Wilson, i cili është i njohur si mbrojtësi i madh i shqiptarëve. Babai më ka treguar se Zonja e Parë i tha vetëm ca pak fjalë: Bisedova me Presidentin për çështjen tuaj dhe më tha se, sa të kem unë jetë, nuk preket Shqipëria”.

Kthimi në atdhe

Pas 16 vjetësh qëndrimi në Amerikë, ku u publikua në gjuhën shqipe edhe libri “Ngjarjet e tmerruara”, Hamid Ruçi vendos të kthehet në atdhe. Vjen në Libohovë, ku fillon punë si gjeometër i bashkisë.

Familja Ruçi ishte e lidhur me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte bazë e çetës territoriale. Por historia e takimit me bashkëshorten e Presidentit amerikan kishte bërë të etiketohej si “njeri i amerikanëve” dhe të fillonin krisjet e para edhe me komunistët. Derisa filluan ta ndiqnin për ta vrarë.

“Duket e çuditshme, por babai është strehuar në atë kohë për dy muaj në shtëpinë e Heroit të Popullit Muhamet Gjollesha në fshatin Lazarat. Babai im dhe Ismal Gjollesha kishin jetuar në një shtëpi për 16 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe ishin si vëllezër. Ismail Gjollesha mblodhi lazaratasit dhe u tha se në shtëpinë e tij strehohej një patriot i madh se Hamid Ruçi që ishte në besën e tij dhe, nëse e spiunonte kush, as foshnjën në bark të nënës nuk do të linte gjallë në familjen e spiunit”.

Hamid Ruçi zhvendoset në Vlorë deri në vitin 1943, por profesionin e gjeometrit nuk e ushtroi dot më kurrë. Pas luftës, ai u la në hije dhe punoi si punëtor fabrike derisa doli në pension. Ndërroi jete në Vlorë, në vitin 1970.

Piktura e panjohur

Hamid Ruçi nuk kishte sjellë ndonjë pasuri të madhe nga Amerika. Por, ndër gjërat më të çmuara ishin një libër dhe një pikturë.

Libri “Ngjarjet e tmerruara”, u publikua në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1920. Libri i shkruar me stilin e poezisë popullore, flet për hallet dhe fatin e Shqipërisë së asaj kohë dhe përpjekjet për ruajtjen e tërësisë territoriale. Fezileti tregon se kopja që kishte babai ishte djegur gjatë luftës, por ajo arriti të gjente një kopje në Bibliotekën Kombëtare. Institucioni e kishte blerë librin e rrallë nga një qytetar.

Ndërsa piktura i kushtohet shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 dhe është realizuar në vitin 1921 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikturë, Ruçi përshkruan ardhjen e Ismail Qemalit. Ushtria shqiptare është paraqitur duke zbritur nga Kalaja e Kaninës, ndërsa Ismail Qemali vjen nga deti. Si figurë qendrore është nja vajzë e veshur me fustan të kuq dhen pelerinë të zezë, e cila mban në kokë qylafin e bardhë dhe në dorë një flamur.

Piktura është realizuar në vaj dhe aktualisht ndodhet në apartamentin e njërit prej nipave të patriotit Hamid Ruçi, në lagjen “28 nëntori” në qytetin e Vlorës.

Fazilet Bejleri (Ruçi) thotë se, ndonëse nuk kërkoi kurrë merita dhe lavdi, babai i saj, ndër patriotët më të mëdhenj të kohës, u la në harresë të plotë. Vetëm në vitin 2015, Hamid Ruçit iu dha (pas vdekjes) titulli “Qytetar nderi” nga Bashkia e Libohovës, duke i njohur kontributin në shoqërinë patriotike shqiptare “Vatra” në Sh.B.A., si “atdhetar dhe bashkëluftëtar me Fan Nolin dhe Faik Konicën për mbrojtjen e lirive dhe aspiratave kombëtare”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: