“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet procesverbali i themelimit të PKSH-së: Të pasurohen miqtë tanë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet procesverbali i themelimit të PKSH-së: Të pasurohen miqtë tanë!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes", në këtë 8 nëntor, ka mundur të gjejë një pjesë nga procesverbali i mbajtur në Mbledhjen Themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Kujtojmë, pasi shumë si ju bëni sikur e harroni që, kjo ndodhi fiks sot 76 vjetë më parë, në një shtëpi të thjeshtë tiranase, me disa dhoma. Këtë dokument historik, janë përpjekur ta shtien në dorë fashistë, komunistë, postkomunistë, etj., por nuk kanë mundur. Ç'nuk kanë bërë fashistët e jashtëm dhe të brendshëm ta gjenin, por pa rezultat. Po kështu edhe komunistët, por pa përfundim pozitiv. Ne, si rubrikë, mundëm ta siguronim atë, pa asnjë përpjekje. Madje, na erdhi vetë në redaksi. Thjesht morëm vesh se, kush e kishte dhe i afruam pará këtij personi. Kot nuk thotë populli ynë i mrekullueshëm që, paraja e hedh ujin përpjetë, siç do ta hedhë së shpejti, me ndërtimin në lumenjtë Vjosë dhe Valbonë, të turbinave të hidrocentraleve.

Duke i lënë në hallin e tyre turbinat, kthehemi te ajo pjesë e procesverbalit të cilën siguruam. Nga ky procesverbal, kuptojmë se ngjarjet e sotme, siç thonë edhe shumë politikanë dhe historianë, e kanë fillesën e tyre te ajo ngjarje e zezë, e historisë sonë. Atje dhe vetëm atje, duhet parë e keqja e sotme, që kalon vendi ynë.

Nga ky procesverbal, mësojmë se shoku Vasil Shanto ka kërkuar që, në Shqipëri të futet grurë nga Serbia. Ai si një njohës i mirë i grurit (pasi babanë e kishte furrtar dhe ai vetë e ndihmonte shpesh të atin), ka bërë thirrje në mbledhjen themeluese të PKSH-së që, në vitin 2017, gruri të blihet në Serbi dhe bujqit shqiptarë, mos të mbillnin fare grurë. Shoku Vasil ka kërkuar me këmbëngulje që, çdo fshatar të jetë i detyruar të marrë një thes miell e në këmbim të japë votën për partinë. Kundër propozimit të miellit, ka qenë për një çast, një tjetër anëtar i mbledhjes, por shoku Vasil ka kapur koburen dhe ai që ishte kundra, heshti. Propozimi i shokut Vasil është hedhur në votë dhe me 15 vota pro dhe asnjë kundër, është pranuar që mielli të vijë nga Serbia.

Në procesverbal shfaqet edhe diskutimi rreth çështjes së pasurisë, apo e thënë më mirë, e pasurimit të disave. Nga procesverbali që na ra në dorë, mësojmë se shoku Qemal Stafa i prekte përherë me dorë syzet e tij, kur fliste. Nga ky procesverbal, ne shkëpusim një pjesë të fjalimit të tij.

Qemal Stafa: Shokë, pa u zgjatur! Unë kërkoj që në vitin 2017, ta marrim hekurin për ndërtim, nga jashtë vendit. Çimenton, një pjesë ta prodhojmë vetë në Shqipëri, por ama, me kushtin e pabisedueshëm që, furrat e djegies brenda vendit, t'i kenë të fortët e zonave. Nëse kërkesa për hekurin që ta sjellim nga importi, nuk bëhet e mundur, ne duhet të kërkojmë që, atë ta prodhojë një firmë e huaj dhe ata që duan të blejnë hekur, të shkojnë atje, me pará në dorë. Kërkoj gjithashtu që, minierat t'i jepen me koncesion atyre që do na sjellin pará dhe vota. Barin ta sjellim nga Maqedonia. E kam llafin për barin që hanë bagëtitë. "Barin" që tymoset, ta prodhojmë në vend, e ta mësojmë rininë ta përdorë sa më shumë. Meqë ra llafi te mësimet. Të krijojmë kushte për miqtë tanë, që të ngrënë ca godina ku të shesin diploma.

Kalojmë te patatja e cila, ashtu siç i thotë edhe shoku im Enver, shoqes time Nexhmije, është edhe bukë edhe gjellë. Unë mendoj që ato t'i sjellim me anije nga jashtë. Kështu vëmë në punë edhe pronarët e anijeve, me të cilët jemi lidhur. Veç se ata duhet t'i qëndrojnë llafit, që do na japin përqindjen e fitimit. Mbi të gjitha, kërkoj të kem syze të shtrenjta, apo siç do t’i thonë në vitin 2017, syze firmato, e pakta 12 mijë euro.

Nga procesverbali mësojmë se, kërkesa për syze të shtrenjta, u kalua pa asnjë votë kundër. I vetmi që foli pak kundër kësaj ideje, ishte shoku Anastas Lulo, por edhe ai nuk kundërshtoi shumë, pasi edhe vetë mbante syze. Partia nuk ia harroi kurrë kundërshtimin, e për këtë, edhe e ndëshkoi. Ajo që na bie në sy, pas çështjes së syzeve, është fakti që shoku Qemal ka kërkuar që votuesit e vitit 2017, të fotografojnë votën e tyre dhe këtë ta paraqesin te partitë. Si duket, pasioni i Qemalit për fotografinë, e ka bërë të hedhë këtë ide që edhe sot, po gjen zbatim në dhomën e votimit.

Bën përshtypje në këtë procesverbal, kërkesa e shokut Koçi Xoxe. Kërkesa e tij në mbledhje është bërë me shkrim, pasi ai vetë nuk ishte i pranishëm. Ai, nëpërmjet letrës, ka kërkuar të formohet "Arma e Sigurimit të Facebook-ut". Ja çfarë shkruhet në letrën e tij:

Koçi Xoxe: Të dashur shokë! Ju përshëndes nga biruca, këtu ku jam për momentin. ...Ju kërkoj të miratoni kërkesën time që, kush të jetë i punësuar në administratën shtetërore, mos të guxojë të shkruajë kundër qeverive që do të kenë pushtetin. Ndryshe, le ta gjejë belaja! Për kontrollin e komenteve në Facebook, të vendosen roje të posaçme, të cilët do të kenë për detyrë të raportojnë çdo gjë. Kontrolli të shtrihet edhe te babatë, mamatë, burrat apo gratë e të punësuarve në administratë. Kushdo prej tyre që bën koment kundër punës së qeverisë, t'i largohet djali, gruaja apo burri, menjëherë nga puna edhe në vitin 2007, apo 2017 e në vazhdim.

Post Scriptum: Procesverbali që mundëm të gjenim, nuk ka asnjë llaf të thënë nga Enver Hoxha. Ai vetë foli më vonë, siç dinte të llafoste...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: