1.5 MILIARDË DOLLARË, NË GROPËN THITHËSE TË KORRUPSIONIT –ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

1.5 MILIARDË DOLLARË, NË GROPËN THITHËSE TË KORRUPSIONIT –ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gropa thithëse e korrupsionit, mbushet me paratë publike, në dy mënyra kryesore.

Së pari, te gryka e pompës fiskale (ku mblidhen taksat e doganat), bizneset paguajnë mita, për të mos paguar sa ç'duhet të paguajnë realisht. Në këtë mënyrë, xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe të biznesmenëve korruptues mbushen, ndërkohë që thesari i shtetit (ku mbahen paratë publike), nuk mbushet sa duhet. Pastaj, publikut i thuhet se nuk ekziston mundësia të rriten ndjeshëm pensionet, rrogat publike, etj., etj.

Së dyti, pasi paratë mblidhen në thesarin e shtetit, jo në sasinë e duhur, edhe shpenzohen jo në mënyrën e duhur – një pjesë e tyre mbush xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe të biznesmenëve korruptues, përmes tenderëve, koncesioneve dhe shërbimeve private, ndaj shtetit.

Por sa para mblidhen në gropën thithëse të korrupsionit shqiptar, përmes këtyre dy burimeve kryesore?

Për të bërë një matje të përafërt të burimit të parë, na shërben një krahasim i rendimentit fiskal të Shqipërisë, me të Malit të Zi. (Me fqinjin tonë verior, kemi të ngjashme shumë gjëra – gjeografinë, historinë, kulturën, ekonominë, sistemin fiskal dhe politikën – dhe duhet të kemi edhe një rendiment të ngjashëm fiskal). Ndërsa, për burimin e dytë, na shërben një studim i Bankës Botërore për vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Në projektbuxhetin e Shqipërisë për vitin 2018, parashikohet që të ardhurat të jenë 4.5 miliardë dollarë, ose sa 27.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërsa në projektbuxhetin e Malit të Zi, parashikohet që të ardhurat të jenë sa 34% e PBB-së. Në qoftë se rendimenti ynë fiskal, do të ishte sa ai malazez, në thesarin e shtetit do të futeshin 1 miliard dollarë më shumë, nga ç'janë parashikuar (shihni grafikun shoqërues).

Tani, le të shohim se ç'do të ndodhë me 4.5 miliardë dollarët që do të futen në thesarin e shtetit (që, në fakt, duhej të ishin 5.5 miliardë).

Sipas një studimi të Bankës Botërore, mesatarisht, 11% e parave të buxheteve shtetërore të vendeve në zhvillim (ku përfshihet edhe Shqipëria), shkojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe të biznesmenëve korruptues. Kështu, në një tender 100 milionë dollarë, mesatarisht, 11 milionë ndahen mes zyrtarëve që e organizojnë tenderin, sekserit dhe biznesmenit që e fiton tenderin.

Në qoftë se Shqipëria është tek mesatarja e vlerësuar nga Banka Botërore (mund të jemi edhe më lart apo më poshtë), i bie që 500 milionë dollarë (nga 4.5 miliardë që është buxheti) do të shkojnë në xhepat e zyrtarëve, të sekserëve dhe të biznesmenëve që fitojnë tenderët, koncesionet dhe porositë shtetërore e bashkiake.

Duke i përmbledhur të dy burimet e mësipërme, i bie që, në vitin e ardhshëm, gropa e korrupsionit do të thithë rreth 1 miliard e gjysmë dollarë në Shqipëri.

Për krahasim, me gjysmën e parave që do të shkojnë në gropën thithëse të korrupsionit vitin e ardhshëm, mund të financohen të gjitha punimet për parandalimin e përmbytjeve të përvitshme (Sipas një studimi të Bankës Botërore, duhen 720 milionë dollarë për të riparuar/fuqizuar digat, argjinaturat, hidrovorët, kanalet kulluese, si dhe për të ripyllëzuar zonat ujëmbledhëse të lumenjve).

Për krahasim, me paratë që do të shkojnë në gropën thithëse të korrupsionit vitin e ardhshëm, mund të financohen të gjitha rrugët që parashikohen të ndërtohen deri në vitin 2020.

Për krahasim, në buxhetin e 2018-ës, janë parashikuar vetëm 18 milionë dollarë për rritjen e pensioneve (pensionistët do të marrin mesatarisht një shtesë prej 3 dollarësh në muaj).

Për krahasim, në buxhetin e 2018-ës, janë parashikuar vetëm 18 milionë dollarë për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë dhe të pasardhësve të tyre.

Dhe krahasimet mund të vazhdojnë edhe për shumë nevoja të tjera, që ka ky vend...

Analiza e mësipërme i referohet vitit 2018, por, pak a shumë, të njëjtat rezultate do të prodhonte, edhe në qoftë se do t'i ishte referuar vitit 2008. Në atë vit, buxheti i shtetit shqiptar, pati të ardhura sa 26.9% e PBB-së, ndërkohë që Mal i Zi sa 34.5% e PBB-së. Ndërkohë, shpërdorimi i parave buxhetore në tenderë, koncesione e porosi shtetërore, ishte në 2008-ën i ngjashëm me atë të vendeve në zhvillim, që ishin objekt i studimit të sipërcituar të Bankës Botërore...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: