2017, TRI KOLONAT E NJË VITI POLITIK QË PO LEMË PAS – OPINION NGA ALFRED PEZA

2017, TRI KOLONAT E NJË VITI POLITIK QË PO LEMË PAS – OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edhe nëse nuk do të ishte një vit elektoral, 2017 do të ishte i kompletuar politikisht, nisur nga dinamika e zhvillimeve, në funksion të reformës në drejtësi dhe procesit të integrimit tonë europian. Ndaj, pyetja që shtrohet tashmë në përfundim të këtij viti kalendarik, është: A ishte reforma në drejtësi ajo që përcaktoi fatin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare? Apo ishte rezultati i këtyre zgjedhjeve, ai që në fakt, i vuri vulën reformës vetë? E nga ana tjetër, nëse këtyre dy kolonave të rëndësishme, i shtojmë edhe atë të diplomacisë në funksion të zhvillimeve tona të brendshme, atëherë kompletohet "trinitria" e zhvillimeve të Shqipërisë, përgjatë këtij viti.

Le t’i marrim me radhë këto tri dimensione, në kontekstin e shënjimit që ato i bënë këtij viti, për t’i vendosur më pas në funksion edhe të ndikimit që ato mund të sjellin, për zhvillimet e pritshme, gjatë vitit të ri 2018.

Së pari, zgjedhjet e 25 qershorit treguan se rituali ciklik i qëndrimit herë të të majtëve dhe herë të të djathtëve, me nga dy mandate rresht, për tetë vjet me radhë në pushtet, nuk është një rastësi këto 20 vitet e fundit. Sepse ky ritual nuk u prish as këtë radhë kur socialistët fituan edhe një mandat të dytë qeverisës deri më 2021, nëpërmjet realizimit të dëshirës së liderit të tyre Edi Rama, për ta drejtuar të vetëm timonin e qeverisjes.

PD-ja e Lulzim Bashës e bazoi strategjinë e rikthimit në pushtet, te loja politike e ngujimit në një çadër në mes të bulevardit në Tiranë, nën projeksionin e kërkimit të instalimit të një Republike të Re. Përtej retorikës, u pa se nuk kishte asgjë tjetër që t’i frymëzonte njerëzit për këtë, kur kryetari i PD-së u ul në mesnatën e 17 dhe 18 majit me Edi Ramën, që çoi në një marrëveshje për të hyrë në zgjedhje, me garancinë e futjes në qeveri të më shumë se gjysmës së ministrave, me emra të propozuar nga PD-ja. Me listën e deputetëve që paraqiti në KQZ, Basha e çoi PD-në drejt çarjes së saj më të madhe, duke marrë një humbje turpëruese ditën e votimit. Fakti që PD-ja nuk del parti e parë politike në Shqipëri, që nga viti 1996, tregon se ajo ka nevojë për një organizim të thellë, program të ri dhe ide e frymë të re drejtimi.

Ndërsa LSI pas tetë vitesh në pushtet herë në koalicion me PD (2009- 2013) e herë me PS (2013- 2017) doli në opozitë, duke ruajtur numrin e mandateve të përfaqësimit në Parlament. Përpara kësaj, Ilir Meta u zgjodh Presidenti i Republikës me votat e PS, duke ia lënë stafetën e drejtimit të partisë, bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit. Sfida më e madhe e LSI-së, konsiderohen zgjedhjet e përgjithshme lokale të 2019, për të testuar forcën e saj reale elektorale dhe politike, pas dy vitesh të qëndrimit në opozitë, në kushtet kur nuk do të ketë më postet dhe funksionet e shumta që zotëronte në administratën qendrore.

Së dyti, reforma në drejtësi u ngadalësua përgjatë pothuajse gjithë këtij viti, duke mos u implementuar sipas një kalendari të menduar në fillim. Shkak u bënë pengesat teknike e procedurale të paparashikuara, por më së shumti edhe pengesat politike në prapaskenë. Kjo bëri që të minohej krijimi në kohë i institucioneve të reja që do të bënin procesin e vettingut, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, përpara ngritjes së institucioneve të reja.

Mosngritja në kohën e caktuar e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bëri që debati të fokusohej mbi çështjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe mënyrën e zëvendësimit të tij. Nga zgjedhja e një Prokurori të ri të Përgjithshëm, me një mandate të plotë 7-vjeçar, energjitë u kanalizuan tek zgjedhja e një kryeprokurori të përkohshëm. Ambasadat e SHBA-së dhe BE-së si dhe OPDAT e EURALIUS, u bënë përcaktues me mbështetjen e tyre, në zgjidhjen e një ngërçi juridik e kushtetues, i cili u tentua që të shndërrohej nga ana e opozitës, në një ngërç politik.

Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e atij të gjyqësorit, janë bllokuar nga kandidaturat e shoqërisë civile fillimisht dhe nga ato të prokurorisë më pas, që nuk kanë kaluar ende procesin e vettingut. Brenda dy muajve nga ngritja e këtyre dy institucioneve, ndoshta nga pranvera e 2018-s, pritet që të ngrihen edhe dy institucionet e tjera: Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata Speciale. Duke i dhënë, në këtë mënyrë, formën strukturës së re të drejtësisë, që pritet pas kësaj të japë frutet e para, të një reforme të thellë kushtetuese miratuar rreth një vit e gjysmë më parë, me 140 votat e deputetëve në Kuvend.

Së treti, në planin ndërkombëtar, standardi i zgjedhjeve të 25 qershorit dhe nisja e procesit të implementimit të reformës në drejtësi, i kanë hapur Shqipërisë ndoshta perspektivën më të qartë për integrimin europian. E favorizuar veç kësaj, edhe një në konjukturë gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, brenda 6 mujorit të parë të 2018-s, BE-ja pritet që të na japë një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Nëse gjërat do të shkojnë siç duhet dhe duke patur pak fat, Shqipëria mund të bëhet një vend anëtar i BE-së, në vitin 2025.

Kjo axhendë është shoqëruar edhe me zhvillime të tjera, në planin diplomatik, siç ishte rasti i fundit i votës sonë "kundër" SHBA, për çështjen e përcaktimit të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Shqipëria ishte pjesë e një liste prej 128 shtetesh, që votuan pro mbajtjes së qytetit të shenjtë, në statusin e derisotëm, të njohur e pranuar historikisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë që me Maqedoninë, kemi patur një përafrim të politikave tona mes fqinjësh, për shkak të disa zhvillimeve pozitive politike në Shkup. Ndërsa me Greqinë, pas takimit të dy ministrave të Jashtëm në Kretë, duket se ka nisur një proces që pritet të zgjidhë njëherë e përgjithmonë, të gjitha çështjet e mbetura historikisht pezull në marrëdhëniet tona. Një hap ky që Greqia duket se po e hedh edhe me Maqedoninë, çka do ta ndihmonte rajonin tonë të ecte shumë më shpejt drejt integrimit europian.

Kjo axhendë europiane e brendshme dhe rajonale, si dhe përcaktimi i Shqipërisë ndër destinacionet kryesore turistike në botë, nga agjencitë më prestigjioze të kësaj industrie, pritet të jenë dy shinat mbi të cilat do të ecin zhvillimet tona, gjatë vitit 2018.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: