Abazaj, një kristal mes Partizanit dhe Skënderbeut

Abazaj, një kristal mes Partizanit dhe Skënderbeut
Pritet “e nxehtë” merkatoja e janarit, për të rrëmbyer sulmuesin kryesor të Luftëtarit

Skënderbeu u rikthehet përgatitjeve të vitit tjetër më 3 janar, ku fillimisht skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të qëndrojë në Durrës e më pas do të zhvendoset drejt Turqisë.

Skënderbeu është skuadra e parë që ka zyrtarizuar përgatitoren e dimrit, ku për 11 ditë do të qëndrojë në Turqi, prej datës 6-16 janar. Klubi do të akomodohet po ashtu si vitin e kaluar, në kompleksin “Titanic Hotel Lara” të Antalya-s. Gjatë përgatitjeve të dimrit do të zhvillohen 3 ndeshje miqësore, që do t’i shërbejnë trajnerit Daja dhe stafit teknik, për “kolaudimin” e ekipit. Bursaspor, Beshiktash dhe Viitorul Costanta, do të jenë rivalët e Skënderbeut në Turqi, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe, pritet t’i bashkohen 2-3 lojtarë cilësorë.

Mësohet se në orët e fundit, sulmuesi i Luftëtarit, Krisal Abazaj, ka marrë një ofertë nga Skënderbeu, që t’i bashkohet këtij ekipi në Antalia, teksa korçarët janë futur në një betejë të ashpër merkatoje me Partizanin. Të kuqtë të cilët e mbyllën sezonin plot 12 pikë larg kreut, ende nuk kanë zbardhur planet për përgatitoren e dimrit. Por në mungesë të një sulmuesi cilësor dhe largimit të Xhavahir Sukajt drejt Vllaznisë, Kristal Abazaj shihet si emri i duhur që do të mund të bindë tifozët e kuq, për një pjesë të dytë më të mirë. Abazaj pati konfirmuar pak ditë më parë për “Albanian Free Press” se, në janar nuk është më në kontratë me Luftëtarin. Ai vetëm në rast të një oferte nga jashtë vendit, do të mund të largohet duke refuzuar ofertat e fundit të Skënderbeut e Partizanit.

 

Skënderbeu, programi në Antalia

6 Janar / Udhëtimi drejt Turqisë

8 Janar / Skënderbeu – Bursaspor

12 Janar / Skënderbeu – Beshiktash

15 Janar / Skënderbeu – Viitorul

16 Janar / Rikthimi në Shqipëri

Shpërndajeni me miqtë tuaj: