Albian Ajeti kuqezi, përmes dilemës zvicerane: Rusi 2018

Albian Ajeti kuqezi, përmes dilemës zvicerane: Rusi 2018
Sulmuesit të Basel, i është bërë ftesë nga stafi kuqezi që pret prej tij përgjigjen përfundimtare në janar, sikurse janë të shumtë tifozët e kombëtares që në kor, i bëjnë thirrje vëllait të Arlindit të bëjë të njëjtën zgjedhje. Zvicra refuzohet prej tij, nëse nuk e merr në ekipin A për “Rusi 2018”      

Aranit Muraçi

Albian Ajeti, sulmuesi i Basel, duhet të vendosë brenda janarit, për të ardhmen kuqezi. Stafi i Kombëtares shqiptare ka kohë që i ka bërë ftesë sulmuesit të talentuar me origjinë shqiptare, por ai ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare. Shkak është oferta që i është bërë nga ekipi përfaqësues i Zvicrës. Albian Ajeti ka qenë deri tani, pjesë e skuadrave përfaqësuese zvicerane, por mund të zgjedhë për kombëtaren A, mes Shqipërisë e Zvicrës. Më 26 shkurt të vitit që po vjen, Albiani mbush 21 vjeç, çka do të thotë se duhet të bëjë zgjedhjen më të rëndësishme në karrierë. Burime pranë stafit kuqezi, bëjnë të ditur për “Albanian Free Press” se, po bëhen përpjekje sikurse ka një dëshirë të madhe që ai të zgjedhë Kombëtaren e Shqipërisë, për shkak se pëlqehet shumë edhe nga trajneri, Christian Panucci.

Gjatë pjesës së parë të këtij sezoni me Basel në Zvicër, Albiani ka shkëlqyer, duke shtuar njëkohësisht edhe interesin e kombëtares së Zvicrës, pjesëmarrëse në finalet e Kupës së Botës, “Rusi 2018”.  Vëllai i tij më i madh, mbrojtësi i kombëtares sonë, Arlind Ajeti, nuk ka dashur të ndërhyjë në zgjedhjen e tij, ndërsa është Taulant Xhaka, mesfushori i Basel e shok skuadre i Albianit, ai që po bën përpjekje për ta bindur që të zgjedhë Shqipërinë. Ajo çka konfirmohet dhe kuptohet nga stafi kuqezi, është se Arlind Ajeti ka marrë premtimin dhe pret një ftesë nga Zvicra, për të qenë pjesë e finaleve të Kupës së Botës, në Rusi. Në të kundërt, Ajeti është gati të vishet kuqezi. Në Zvicër tifozët e shumtë shqiptarë i bëjnë thirrje Albianit t’i bashkohet Kombëtares shqiptare, pas çdo postimi që ai hedh në rrjetet sociale, mbi paraqitjet te Basel.

Profili i tij zyrtar Facebook, është mbushur me thirrje të tifozëve që të zgjedhë Shqipërinë. Në një nga rastet e fundit, Ajeti shkruan në anglisht se po festonte Krishtlindjet, ku shihej nën shoqërinë e Taulant Xhakës. Ishte rast ideal i tifozëve që reaguan, duke i kërkuar të vishte fanellën e Shqipërisë, në vend që t’i bënin një urim për festat e fundvitit. Taulant Xhaka është vënë gjithashtu nën presion, nga tifozët shqiptarë në Zvicër. Megjithatë, janari besohet se do të jetë muaji kur Albiani do të vendosë, ndërsa nga muaji shkurt e më tej, ai do të fokusohet tek ekipi përfaqësues që e pret.  Albiani gjithsesi duhet theksuar se ka një staf menaxhues që e këshillon, ku dilema e vërtetë e momentit është mes Zvicrës, që ka më shumë shanse të jetë në botëror apo europian, dhe Shqipërisë ku mund të ketë më shumë hapësira.

Para vendimit

Historia e Albianit e ngjashme me atë të Adnan Januzajt

Historia e Albian Ajetit ngjason me atë të një ish-lojtari tjetër me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj, i cili për disa muaj u bë “mollë sherri”, mes Belgjikës dhe Shqipërisë. Januzaj i cili në moshën 20-vjeç po kalonte momente të shkëlqyera në Premier League me Manchester United, u kërkua me ngulm nga Gianni de Biasi, por e refuzoi Shqipërinë pas ftesës së Belgjikës, për të marrë pjesë në finalet e Kupës së Botës, Brazil 2014. Januzaj ishte në botëror, nuk luajti asnjë minutë dhe më pas humbi vendin në kombëtare, si dhe të ardhmen e shkëlqyer. Ndaj, edhe disa tifozë shqiptarë i kanë uruar Albianit të ketë fatin e Adnan Januzaj, nëse zgjedh Zvicrën, vetëm për të qenë pjesë e Kupës së Botës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: