Ambasada sqaron “shpërblimin” për azilkërkuesit e kthyer: Nuk ka “kokërr leku”

 Ambasada sqaron “shpërblimin” për azilkërkuesit e kthyer: Nuk ka “kokërr leku”
Ambasada gjermane në Tiranë ka përgënjeshtruar lajmet se azilkërkuesit shqiptarë që kthehen vullnetarisht, mund të marrin një mbështetje financiare nga shteti gjerman.

“Azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare apo asistencën financiare për kthim”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada saktëson se Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës: kërkesat për azil nga shtetasit/et shqiptarë/e – sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast.

“Azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri dhe mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre por kthehen forcërisht në Shqipëri,” thuhet në deklaratë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: