T’i ndërrosh vitet jashtë shtëpisë. Të gjendesh në një mjedis “kolektiv” dhe në praninë e njerëzve të panjohur, por me të cilët atë darkë ndan një moment special si ai i mbrëmjes së Vitit të Ri. Duke dëgjuar muzikë live dhe duke bërë “Gëzuar”, shoqëruar me një menu festive. Kjo është tendenca që prej shumë vitesh shqiptarët kanë preferuar ta ndjekin natën e Vitit të Ri e që duket se edhe sivjet do të bëhet e tyrja për shumë familje shqiptare. Sidomos për ato që jetojnë në kryeqytet, ku mundësitë të cilat ofrohen për t’u argëtuar jo vetëm që janë më të shumta, por edhe ato ekonomike për t’i përballuar ato janë më të larta, krahasuar me qytetet e tjera të vendit. “Kemi disa vite që preferojmë ta kalojmë darkën e Vitit të Ri në lokal. Është një gjë ndryshe. Përveçse argëtohemi, dëgjojmë muzikë dhe kërcejmë, nuk na duhet të lodhemi duke gatuar. Për më tepër, që kostoja e asaj nate aty-aty të shkon edhe në lokal”, thotë Marjeta K., një pensioniste, e cila ia lejon mesa duket vetes një “luks” të tillë, pasi i ka fëmijët emigrantë e me ta bashkohet çdo fundvit. Por sa i kushton vërtet një familjeje shqiptare të darkojë në restorant natën e ndërrimit të viteve? Ofertat e publikuara të paktën deri tani prej shumicës së tyre, edhe përmes rrjeteve sociale, tregojnë se çmimi mesatar i një eventi të tillë varion në kufijtë e 7-8 mijë lekëve. Sikundër ka edhe tarifa më të ulëta, apo edhe më të larta se kaq, në varësi të distancës nga qendra e kryeqytetit, menusë dhe luksit që ofrojnë, si edhe muzikës apo këngëtarëve që mund të kenë pajtuar për atë natë. Kështu, me një tarifë prej 5 apo 5.5 mijë lekësh për person, një familje shqiptare mund të gjejë në një restorant brenda unazës së Tiranës menu speciale, të cilat ofrojnë sallatëra apo antipasta të ndryshme, mic mishrash dhe në fund, gjelin tradicional të natës së Vitit të Ri. Edhe një element tjetër që u intereson të gjithave atyre që zgjedhin një variant të tillë: Pijet pa limit! Pra, kostoja e një familje shqiptare që mund të përbëhet prej 4-6 personash, për një mbrëmje të tillë të ndërrimit të viteve vërtitet në rreth 20-30 mijë lekë. Pa harruar këtu as faktin se për fëmijët nën 10 vjeç, thuajse në të gjitha menutë festive bëhet një skonto e çmimit deri në nivelin prej 40%-50%. Kurse sa i përket menusë mesatare prej 7-8 mijë lekësh brenda kryeqytetit, mund të thuhet se ajo përfshin brenda saj në shumicën e rasteve edhe muzikën live, me praninë e këngëtarëve të njohur që shoqërojnë të ftuarit e gjithë restoranteve që i zgjedhin ata pikërisht si alternativën e natës së ndërrimit të viteve.
TENDENCA
Edhe nëpër rrethe, gjithmonë e më shumë njerëz po e kalojnë darkën e Vitit të Ri në lokale
Tendenca e kalimit të natës së ndërrimit të viteve në një lokal, duket se gjithmonë e më shumë po bëhet e pranishme edhe në rrethet e vendit. Me një kosto më të ulët në fakt se menutë festive që ofrojnë lokalet e kryeqytetit, gjithsesi, mund të thuhet se ajo po ekziston si një alternativë, e cila po për-zgjidhet edhe nëpër qytetet e tjera të vendit, ku njerëzit e ndjekin traditën dhe ritet zakonore të natës së Vitit të Ri, ndoshta më shumë sesa në kryeqytet. Sipas të dhënave krahasimore të tyre, kostoja mesatare e një nate të tillë në lokal nëpër rrethe vërtitet në kufijtë e 3-4 mijë lekëve.
PAGESAT
Euro, shumica e lokaleve duan që të paguhen me valutë të huaj
Shumica e lokaleve, të cilët ofrojnë menu festive me rastin e festave të fundvitit, preferojnë që ta bëjnë këtë me monedhën evropiane, euro. Dhe ato të cilat e bëjnë një gjë të tillë janë kryesisht ato që ofrojnë muzikë live dhe paguajnë këngëtarët e ftuar. Në menutë e deritanishme të publikuara prej shumë prej tyre çmimet të cilat variojnë kryesisht janë ato rreth 100 euro, duke shkuar edhe në nivele më të larta, deri në kufijtë e 130-150 eurove. Ndërkaq, restorante të tilla ofrojnë mes të tjerash edhe menu ekstra, jo vetëm me produkte të huaja speciale mes tyre, por edhe me një kuzhinë të veçantë, deri edhe meksikane apo spanjolle. Duke justifikuar në këtë mënyrë edhe një pjesë të të ftuarve të tyre, të cilët janë shtetas të huaj të cilët zgjedhin pikërisht Shqipërinë për të kaluar festat e fundvitit.
TRENDI
Dhuratat e fundvitit, më shumë po mbizotërojnë shishet e verës
Qytetarët shqiptarë po bëjnë dhurata gjithmonë e më cilësore në kuadrin e festave të këtij fundviti. Këtë e tregojnë sidomos dhuratat e dërguara prej institucioneve të ndryshme, ku kanë mbizotëruar axhendat dhe kartolinat dhe më pak se herët e tjera, shportat. Por ajo që bie në sy në këtë prag festash është sidomos dhurata e shisheve të verës, një trend ky mjaft i preferuar për të nderuar jo vetëm një mik apo të njohur, por edhe dikë në mënyrë zyrtare. Ndërkaq, agjenci të shumta pohojnë se një risi e këtij fundviti është ajo e dërgesave më të mëdha në Kosovë, duke qenë se bizneset shqiptare kanë dërguar atje më shumë se vitet e kaluara. Kurse sa u përket kartolinave si të tilla, ajo që është vënë re sivjet, është fakti se ato tashmë kanë nisur të zëvendësohen me kartolinat elektronike. Një risi kjo që në fakt është aplikuar prej disa kohësh në vendin tonë.