Avokatja e Shtetit, flet për “Albanian Free Press”: Fati i dosjeve shqiptare në Strasburg

Avokatja e Shtetit, flet për “Albanian Free Press”: Fati i dosjeve shqiptare në Strasburg
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Flet Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Alma Hicka: Vjet, vlera totale e çështjeve të gjykuara në gjykatat kombëtare ishte afërsisht 120 miliardë lekë, nga të cilat 93% janë fituar nga shteti shqiptar

Plot 89 dosje pronash gjenden aktualisht për gjykim në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Me një shifër totale pretendimesh prej 671.4 milionë eurosh. Këto shifra konfirmohen për “Albanian Free Press” nga Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Alma Hicka, gjatë një interviste të posaçme, në të cilën ajo tregon përmes rastesh konkrete, edhe sesa i është dashur të paguajë deri tani shtetit shqiptar për çështjet e humbura në organin e lartë gjyqësor të Strasburgut. “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (2016) ku fatura ishte 10.701.300 euro, “Karagjozi kundër Shqipërisë” (2016) me faturë 5.919.850 Euro, “Halimi kundër Shqipërisë” (2016) me faturë 755.150 Euro dhe “Aliçka dhe Vasha kundër Shqipërisë” (2016) me faturë 801.300 euro, “Delvina” (2013) me faturë 2.045.744 Euro, “Sharra” (2015) me faturë 5.384.950 Euro etj”, citon ajo. Ndërsa në lidhje me pretendimin e ngritur së fundmi nga opozita se 4 çështjet që po ndiqen aktualisht në arbitrazh nga shteti shqiptar, nëse ato humben, mund t’i kushtojnë atij  mbi 2 miliardë euro, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit sqaron së pari se shifrat e dëmshpërblimeve të kërkuara në raste të tilla janë gjithmonë të larta. Dhe së dyti, nuk mund të aludohet se ato do të humben. “Jo domosdoshmërisht mund të materializohen në vendim arbitrazhi”, citon saktësisht ajo lidhur me një fakt të tillë...

***

 Znj. Hicka, cila është situata aktuale ku gjendet Shqipëria lidhur me arbitrazhin ndërkombëtar? Cilat çështje janë të hapura për momentin dhe si parashikohet ecuria e tyre?

Në kushtet e krijimit të një serie marrëdhëniesh në kuadër të së drejtës ndërkombëtare private, arbitrazhi ndërkombëtar, si një nga metodat e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve private si dhe këtyre të fundit e autoriteteve publike të një shteti, ka patur zhvillimet e veta. Në lidhje me çështjet e parashtruara për zgjidhje para arbitrazhit ndërkombëtar dhe parashikimet mbi ecurinë e tyre, nuk jam në gjendje t’iu jap informacion duke qenë se ky proces karakterizohet nga konfidencialiteti në të gjithë ecurinë e vet, duke përfshirë por pa u kufizuar, palët, ekspertët, dëshmitarët, konsulentët, avokatët përfaqësues dhe çdo palë të tretë të lidhur direkt apo indirekt me palët ndërgjyqëse, mosmarrëveshjet, elementët proceduralë dhe materialë të çështjes si edhe çdo informacion/dokumentacion lidhur me pretendimet dhe prapësimet përkatëse.

A dispononi shifra konkrete sesa detyrim i janë arkëtuar deri tani palës shqiptare nga humbja e çështjeve të ndryshme në arbitrazhin ndërkombëtar? Si janë shlyer ato?

Nuk kam informacion për sa pyesni. Investimi i Avokaturës së Shtetit në rastet e arbitrazhit ndërkombëtar fillon në momentin e inicimit të këtij procesi dhe përfundon me nxjerrjen e vendimit dhe përcjelljen e tij institucionit shtetëror/entit publik të interesuar, të cilët marrin masat e duhura për zbatimin e vendimit të arbitrazhit në përputhje me kuadrin ligjor rregullues.

Disa nga paditë ngritur prej të huajve ndaj shtetit shqiptar kanë ardhur pas prishjes së njëanshme të kontratave, edhe pse mund të kenë qenë të miratuara nga Parlamenti. Sa shanse kemi ne të fitojmë ndaj tyre në një situatë të tillë?

Në dijeninë time, asnjëherë nuk ka ndodhur inicimi i një procesi arbitrazhi ndërkombëtar për shkak zgjidhjeje të kontratave që janë miratuar nga Parlamenti.

A ju ka kërkuar mendim qeveria juve si institucion, para se ta zgjidhë një kontratë, e cila ka përfunduar më pas në Arbitrazh? Po ju vetë, si institucion a i keni paraqitur asaj situatën konkrete me të cilat paraqiteni teksa e mbroni atë në çështjet gjyqësore, në mënyrë që të mos përfundoni në të tilla?

Në referencë dhe bazë të kuadrit legjislativ të zbatueshëm ndaj Avokaturës së Shtetit, institucionet shtetërore/entet publike kërkojnë mendimin/këshillimin e Avokaturës së Shtetit kur u duhet asistencë e specializuar, në mënyrë të veçantë për lidhjen e kontratave administrative që kanë impakt në interesat financiarë të shtetit, asistencë e detyrueshme kjo, të cilën Avokatura e ka siguruar në çdo rast. Përpos kësaj Avokatura e Shtetit, kur është përfshirë paraprakisht në vlerësime paraprake të konflikteve të mundshme, ka siguruar qëndrimet e saj përkatëse mbi skenarët e pritshëm të ecurisë së një mosmarrëveshjeje potenciale, duke përfshirë por pa u kufizuar, avantazhet dhe disavantazhet e arbitrazhit në fjalë, si edhe hapat për t’u ndërmarrë nga institucionet shtetërore/entet publike, para apo gjatë procesit të arbitrazhit. Ne jemi mësuar të dëgjojmë kritika, por edhe të japim llogari, si për vendimet e arbitrazhit, ashtu edhe për rastet kur zgjidhja është me mirëkuptim.

Lidhur me çështjen mjaft të debatuar të pronave, cila është situata aktuale e ndjekjes së tyre në Gjykatën e Strasburgut? Sa çështje janë të hapura realisht dhe cila është kostoja e tyre në rastin e humbjes së tyre?

Në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë gjithsej 89 raste për të cilat jemi njohur me pretendimet e aplikantëve, si dhe kemi paraqitur komentet tona mbi pretendimet e tyre. Për këto çështje pritet që gjykata të dalë me një vendim.

Shifra e përllogaritur e pretendimeve të ankuesve në këto 89 çështje është përafërsisht 671.415.787 euro. Të gjitha këto raste i referohen ligjit të ri të kompensimit të ish-pronarëve.

A mund të na thoni një shifër konkrete që shteti është i detyruar t’ua paguajë ish-pronarëve që kanë fituar deri tani në Strasburg?

Shteti shqiptar është i angazhuar të ekzekutojë detyrimet që kanë lindur nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë këtu edhe ato për çështjet e pronave. Vendimet për çështjet e pronave, të cilat kanë të përcaktuar vlerë financiare kryesisht janë ekzekutuar, duke përmendur këtu “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (2016) ku fatura ishte 10.701.300 euro, “Karagjozi kundër Shqipërisë” (2016) me faturë 5.919.850 Euro, “Halimi kundër Shqipërisë” (2016) me faturë 755.150 Euro dhe “Aliçka dhe Vasha kundër Shqipërisë” (2016) me faturë 801.300 euro, “Delvina” (2013) me faturë 2.045.744 Euro, “Sharra” (2015) me faturë 5.384.950 Euro etj.

Sa dosje pronash janë ndërkohë pezull atje dhe si pritet që të trajtohen ato, bazuar në ligjin e ri të pronave, ndryshimet e të cilit arritën deri në Kushtetuese?

Siç sqaruam më lart, ne presim një vendim për 89 rastet. Pretendimi ynë është që ato të shqyrtohen me ligjin e ri të pronave, si një mekanizëm efikas i zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronave.

Po në gjykatat shqiptare, në sa raste të çështjeve të pronave po ndërhyni ju si institucion? A mund të na thoni disa kryesoret prej tyre dhe si janë zgjidhur ato? Cila ka qenë kostoja në shifra konkrete?

Avokatura e Shtetit në zbatim të ligjit nr.10018 dt.13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit” dhe ligjit nr. 133/2015, gjatë vitit 2017 ka ndjekur të gjitha çështjet që janë në gjykim në gjykatat e shkallës së parë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, si dhe Gjykatën Administrative të Apelit. Ne nuk kemi një sistem menaxhimi çështjesh.

Avokatura e Shtetit ka përgatitur dhe depozituar pranë gjykatës, 87 kërkesë-padi sipas materialit te ardhur nga Task-Forca, të ngritur në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr.70, datë 13.02.2014, "Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore", të cilat po gjykohen dhe janë në proces gjyqësor.

Në analizën vjetore të punës së Avokaturës së Shtetit për vitin 2016 vlen të theksohet se vlera totale e çështjeve që janë diskutuar në gjykime brenda vendit në vitin 2016 është afërsisht 120 miliardë lekë, ose afërsisht 1 miliard dollarë amerikanë nga të cilat 93% janë fituar nga shteti shqiptar në gjyqe të përfaqësuara nga Avokatët e Shtetit në gjykatat kombëtare.

Në një këndvështrim krahasimor, në analizën e vitit 2013 rezultonte se vetëm 30% e çështjeve të fituara në vlerë ishin në favor të shtetit. Kjo përqindje e çështjeve të fituara ka ardhur në rritje në vitet në vijim duke arritur sot në rezultatin rekord prej 93%. Sa i takon sipërfaqes së tokës në diskutim në gjykata shqiptare, ju informojmë se në vitin 2016, në gjykime në të gjitha nivelet janë diskutuar gjithsej rreth 66 mijë dynym tokë nga të cilat 81% janë fituar nga shteti shqiptar (më shumë se 53 mijë dynymë).

Ish-ministri i Drejtësisë, para disa kohësh ka ngritur në publik pretendimin se shpesh për të mbrojtur shtetit shqiptar në çështje të caktuara zgjidhen studio pa konkurrencë, duke lënë kështu shteg për abuzime? Sa të vërtetë ka në këtë histori dhe cili është realiteti?

Pretendimet e ish-ministrit të Drejtësisë nuk kanë asnjë pikë takimi me të vërtetën. Asnjëherë nuk është zgjedhur ndonjë firmë avokatore pa procedurë konkurruese dhe ish-ministri është në dijeni të plotë të kësaj, pasi sipas kuadrit ligjor rregullues të zhvillimit të këtyre procedurave është një autoritet i përfshirë në disa faza të procedurave të përzgjedhjes; përzgjedhjet e firmave avokatore miratohen nga ministri i Drejtësisë, sikundër parashikon kuadri legjislativ përkatës. Të gjitha firmat me të cilat shteti shqiptar ka patur një kontratë të lidhur janë përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit dhe i janë nënshtruar miratimit të Ministrit të Drejtësisë, ato për të cilat nuk është dhënë miratimi nuk është lidhur kontratë.

Sa i kushton Shqipërisë në praktikë teksa mbrohet në rastin e konflikteve juridike ndërkombëtare? Si përzgjidhen studiot, kriteret dhe çfarë kostosh ka kjo? Kostot e konflikteve juridike ndërkombëtare nuk mund të përcaktohen në mënyrë shteruese dhe të plotë, pasi varen nga natyra e mosmarrëveshjeve, hapat e ndërmarrë nga palët, para, gjatë dhe pas lindjes së mosmarrëveshjes, forumi i zgjedhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ligji rregullues i akteve nga të cilat kanë rrjedhur mosmarrëveshjet, vlerësimet e ndryshme me karakter teknik që mund të paraprijnë, shoqërojnë apo pasojnë lindjen dhe zhvillimin e mosmarrëveshjeve dhe pretendimet e prapësimet përkatëse të palëve të përfshira në konflikt. Procedura e përzgjedhjes së firmave avokatore është e rregulluar në Rregulloren e Avokaturës së Shtetit (VKM 392/2009), përfshirë edhe kriteret e përgjithshme e të posaçme të përzgjedhjes, në varësi të çështjes, objekt përzgjedhjeje. Kostot e rrjedhura nga procedura e përzgjedhjes i nënshtrohen vlerësimit të institucionit përkatës shtetëror/entit publik, palë në mosmarrëveshje, i cili, në varësi të vlerësimit të vet, mund të ankohet për ofertën financiare të firmës fituese pranë Ministrit të Drejtësisë.

A disponon vendi ynë një staf të mirëfilltë profesional për t’i zgjedhur siç duhet ato?

Lidhur me pyetjen tuaj, po ju parashtroj shkurtimisht filtrat në të cilët kalon përzgjedhja e avokatëve:

  1. Komisioni i përzgjedhjes përbëhet nga avokatë shteti të nivelit qendror të ASH (kryetari është avokat shteti në zyrën e përfaqësimit pranë gjykatave të huaja, ndërkombëtare dhe arbitrazhit ndërkombëtar);
  2. Komisioni i përcjell Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit raport të detajuar të vlerësimit të ofertave bashkë me rekomandimin për fituesin, dhe APSH merr vendim mbi firmën fituese;
  3. ky vendim i APSH bashkë me raportin e Ministrit të Drejtësisë i dërgohet për miratim Ministrit të Drejtësisë, i cili shërben gjithashtu edhe për të vlerësuar ankesat e firmave të tjera pjesëmarrëse mbi procedurën e përzgjedhjes dhe ankesave të institucionit shtetëror kundrejt ofertës financiare të firmës fituese.

 

QËNDRIMI

“Rreziku nga katër çështjet në arbitrazh?

 Jo domosdoshmërisht mund të humben”

Në një letër të publikuar pak ditë më parë në media, ministria e Drejtësisë (në datën 10 prill 2017) e paralajmëronte qeverinë se për 4 çështjet që po ndiqen aktualisht në arbitrazh sipas saj, nëse ato humbeshin, mund t’i kushtonin shtetit shqiptar mbi 2 miliardë euro. Sa të vërtetë ka në këtë pretendim? A ekziston realisht një rrezik i tillë?

“Së pari, shpreh keqardhjen që një informacion konfidencial si ky qarkullon në media. Së dyti, vlerat e dëmshpërblimeve të kërkuara në forumet e arbitrazheve ndërkombëtare gjithmonë kanë qenë të larta, për një arsye shumë të thjeshtë, parashtrimi i një mosmarrëveshjeje në arbitrazh, në më të shumtën e rasteve përkon me një pikë vdekjeje të marrëdhënies kontraktuale në fjalë dhe pala kërkuese, nëse ka si kërkim të parë dëmshpërblimin financiar për gjithë investimin e saj, kuptohet që vlera e këtij dëmshpërblimi do të jetë e lartë. Por ka edhe raste kur kërkimi i parë i Paditësit është zbatimi i kontratës/detyrimeve kontraktore sipas leximit të Paditësit, dhe vetëm në mënyrë alternative, kërkohet dëmshpërblim financiar, këto raste përfshihen edhe në çështjet e përmendura në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me ekzistencën e rrezikut për pagesë të pretendimeve financiare në arbitrazhin ndërkombëtar, është mëse e kuptueshme që sado të larta të jenë pretendimet e Paditësit, ato jo domosdoshmërisht karakterizohen nga bazueshmëri e tyre në dhe prova dhe ligjin e zbatueshëm dhe rrjedhimisht jo domosdoshmërisht mund të materializohen në vendim arbitrazhi. Gjithsesi, duke qenë se arbitrazhet e përmendura në shkresën e MD janë ende në proces, është e pamundur të bëhet një vlerësim sot mbi mundësinë apo gjasat e vendimmarrjes së trupave të gjykimit në arbitrazhet ndërkombëtare të investuara për zgjidhje të mosmarrëveshjeve”.

2

Miliardë euro, ose gati gjysma e buxhetit të shtetit, sipas opozitës, është fatura që e kërcënon atë nga katër çështjet që po ndiqen aktualisht në arbitrazh ndërkombëtar nga shteti shqiptar

LISTA

Sa pará ka paguar deri më tani shteti për çështjet e humbura prej tij në Strasburg?

“Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”          10.701.300 Euro

“Karagjozi kundër Shqipërisë”                      5.919.850 Euro

“Halimi kundër Shqipërisë”                          755.150 Euro

“Delvina”                                                       2.045.744 Euro

“Sharra”                                                       5.384.950 Euro

“Aliçka dhe Vasha”                                  801.300 Euro etj.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: