BASHA, MES SHILËS DHE KARIBDËS – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

BASHA, MES SHILËS DHE KARIBDËS – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

2017-ta ishte një vit i vështirë për Bashën.

Kur protestonte në çadrën para kryeministrisë (në periudhën prill-maj), dukej se PD-ja do të krijonte një front të përbashkët me LSI-në (e cila dukej se e ndihmonte çadrën tërthorazi). Por në 18 maj, Basha bëri një kthesë të papritur, pas marrëveshjes me Ramën, duke mos ua krijuar mundësinë e koalicioneve LSI-së dhe partive të tjera të vogla. Nga një aleat i mundshëm në zgjedhje, LSI-ja u kthye në objektivin kryesor të sulmeve të Bashës, gjatë fushatës së tij elektorale.

Logjika që e bëri Bashën të merrte këtë kthesë të papritur, dukej se bazohej në faktin se, LSI-ja ishte rritur në çdo palë zgjedhje, kur kishte qenë pjesë e koalicioneve të mëdha (të shpallura apo të pashpallura). Në të vetmet zgjedhje ku kishte qenë mes dy zjarreve (në zgjedhjet e 2009-ës), ajo kishte zbritur në kuotën më të ulët, qysh nga themelimi i saj (vetëm 75 mijë vota).

Marrëveshjen me Ramën, duket se Basha e bëri me bindjen se, PS-ja nuk do të ishte në gjendje të merrte e vetme 71 mandate e, si rrjedhojë, do të pranonte një Große Koalition (koalicion të madh) të dy partive më të mëdha, për të përfunduar reformën në drejtësi dhe për të ndryshuar sistemin elektoral, në mënyrë të tillë që LSI-ja dhe partitë e tjera të vogla, të ç’faktorizoheshin politikisht.

Por ajo që nuk parashikoi mirë Basha, ishte rënia e ndjeshme e pjesëmarrjes së votuesve të djathtë të zonave urbane (ndoshta e shkaktuar nga kthesat ekstreme të Bashës), si dhe transferimet e votave në zonat rurale, nga djathtas, drejt PS-së, LSI-së dhe PDIU-së.

Si rezultat, edhe pse PS-ja mori në qershor vetëm 95% të votave që kishte pas marrë ajo dhe partitë e veta satelite, katër vjet më parë, arriti të sigurojë plot 74 mandate. Pra, ajo mori më shumë mandate, jo sepse u rrit vetë, por sepse PD-ja mori 225 mijë vota më pak, se sa kishte pas marrë ajo dhe partitë e veta satelite, katër vjet më parë.

Dhe pas zgjedhjeve, LSI-ja vërtet mbeti jashtë pushtetit (siç e kishte parashikuar Basha), por jashtë pushtetit mbeti edhe PD-ja (siç nuk e kishte parashikuar Basha).

Dhe me fillimin e vitit 2018, Bashës i duhet të zgjedhë, nëse do ta fusë PD-në në garën e ardhshme elektorale, në koalicion me LSI-në, apo si konkurrente paralele të kësaj të fundit.

Të qenit në koalicion me LSI-në, krijon rrezikun e një tkurrjeje të mëtejshme të PD-së. Grafiku shoqërues na sugjeron se ka një korrelacion të fortë mes rënies së PD-së dhe rritjes së LSI-së.

Nga ana tjetër, një garë më vete mbart rrezikun e madh të një gare të pabarabartë. PS-ja dhe satelitet e saj, kanë ruajtur kuota të larta në tri zgjedhjet e fundit, ndërkohë që PD-ja dhe satelitet e saj, kanë rënë në kuotat më të ulëta.

Në fakt, grafiku shoqërues na tregon një pamje që të sjell në mendje shkëmbinjtë mitikë të Shilës dhe Karibdës. Nga sipër, PD-ja ka kërcënimin e PS-së, e cila luhatet në kuotën e rreth 800 mijë votave. Ndërsa nga poshtë, ka kërcënimin e LSI-së, që synon të rritet mbi 225 mijë vota.

Dhe jo më kot, Lulzim Basha mohoi çdo aleancë dhe koalicion të mundshëm të PD-së me LSI-në, gjatë një interviste në televizionin "Top Channel". Por menjëherë pas këtij mohimi të prerë, ai bëri pohimin se "ka një front të përbashkët opozitar, të krijuar pas shpërthimit të skandalit Tahiri, në vetëdijen e të gjitha forcave politike, të PD-së e të LSI-së dhe të forcave të tjera politike, se e vetmja rrugë për t'u përballur me këtë të keqe të madhe, është lënia mënjanë e çdo diference tjetër dhe bashkimi për kauzën e drejtësisë dhe të qeverisë antimafia, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme".

Pra, sipas Bashës, gjatë vitit që vjen, edhe mund të kemi një koalicion PD-LSI, por edhe mund të mos kemi...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: