BERMUDË ME KRIM, PUSHTETARË DHE NDËRKOMBËTARË – OPINION NGA SONILA MEÇO

BERMUDË ME KRIM, PUSHTETARË DHE NDËRKOMBËTARË – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse do të bëhej një listë e lajmeve më të bujshme, nga shtatori e deri më sot, do duhej të bëhej një marrëveshje e fortë, për të vendosur mbi kriteret. Kronologjia? Afërsia me pushtetin? Afërsia me Brukselin? Afërsia me Washingtonin? Pushteti mbi pushtetin? (ai i natyrës p.sh.)

Diversioni që krijohet në media, nuk lë informacionin kryesor të shquhet mes shumë të tjerëve, megjithëse më pak të rëndësishëm. Por në përpjekjen e shmangies së diversionit, mund të bëjmë një marifet teknik. Me deduksion të arrijmë tek shkaku që prodhon këto lajme.

Që nga rrëzimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri, pas daljes së emrit të tij në dosjet e përgjimit të grupit të Habilajve, tek mungesa e reagimeve për skandalet e koncesioneve, mbështetja e fortë e përfaqësuesve të Brukselit për reformat e ndërmarra, por ende të pazbatuara nga qeveria, apo nisja e procedurës për pasardhësin e kryeprokurorit Llalla në kundërshtim me Kushtetutën, e duke moszbatuar procesin e shumëpritur të vetting-ut, raporti i Europol mbi primatin shqiptar të tregut të kanabisit drejt BE-së, të gjitha kanë një të përbashkët, të munguarin e madh “shtetin e së drejtës”. Kjo nuk ngjan me një mungesë rastësore. Për këtë argument na vjen në ndihmë një tjetër lajm i rëndësishëm, por që me drojë gjen mundësinë të kapë ca radhë periferike në shtypin e ditës:

Pak ditë më parë, një studim i fondacionit gjerman, Heinrich Böll, për kapjen e shtetit në vendet e Ballkanit, do të pohonte se në Shqipëri, shteti është kapur nëpërmjet sistemit të drejtësisë. Studimi nuk është një opinion, as i deklaruar nga rrogëtarë administrate në Tiranë, Bruksel, apo kancelari europiane. Si i tillë, përmban gjetjet e veta, të shoqëruara me fakte dhe analizë. Sipas tij, shqetësim i madh është përdorimi i shtetit në mënyrë të hapur dhe pa asnjë pengesë, për mbrojtjen e njerëzve në pushtet dhe familjeve që janë të lidhur me të. Studimi thotë se aktorët politikë të rajonit, kanë një gjë të përbashkët: Reformat janë bllokuar gjerësisht, kritikët janë deklaruar si armiq, ndërsa artistët dhe gazetarët janë margjinalizuar. Pushtetarët e Ballkanit e dinë mirë se, nëse reformat demokratike funksionojnë, sistemi i drejtësisë vihet në lëvizje dhe kjo rrezikon bazën e pushtetit.

Studimi ka pohuar çfarë realisht njohim e dimë nga zhvillimet e brendshme në Shqipëri, nga paaftësia e drejtësisë për të vepruar mbi skandalin e madh të shndërrimit të Shqipërisë, në kryeqytetin europian të prodhimit dhe eksportit të kanabisit. Meqë nga skandal i kësaj qeverisjeje, tashmë sipas qëndrimeve mediatike dhe atyre zyrtare vendase e të Brukselit, po shndërrohet në meritë të saj për t’i dhënë fund, një herë e mirë, kultivimit të lëndëve narkotike le të sjellim në ndihmë raportin më të fundit të Europol-it, për ndikimin e tregjeve të drogës në rritjen e aktivitetit kriminal në Europë. Europol është Agjencia Ligjzbatuese e Bashkimit Europian, me qendër në Hagë, që mbështet vendet anëtare të BE-së, në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe atij kibernetik. Sipas raportit, Shqipëria kryeson tregun e kanabisit drejt Bashkimit Europian. Në faqen 12 të raportit, qartësisht, Shqipëria merr statusin e kryeqendrës së prodhimit dhe eksportit të kanabisit.

Dy lajme që dëshmojnë kalbëzimin e plotë të shtetit, si një entitet vendosur në shërbim të aktiviteteve kriminale në 4 vitet e fundit. Lajmet janë të freskëta, nuk përbëjnë opinione, por përmbajnë fakte, e në burim nuk qëndrojnë politikanë, apo zyra propagande. Ndaj mund të konsiderohen lajme shumë të rëndësishme, të besueshme dhe referuese lidhur me fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në kaq kohë të konsumimit të një prej skandaleve më të mëdha në historinë e një vendi, shndërrimin e tij në kryeqytet të prodhimit të drogave, drejtësia e kapur nga pushteti politik nuk ka vepruar. Dhe ja ku formohet trekëndëshi i Bermudës, brenda të cilit humbet çdo skandal, çdo lajm e fakt, ku hollohet gjer në asgjësim shteti i së drejtës dhe vetë shteti sovran. Krimi, pushteti dhe ndërkombëtarët.

Sa herë plas një skandal krimi lidhur me drogën, që implikon njerëz me pushtet, do të shfaqet një ndërkombëtar që do të lustrojë imazhin e pushtetit në Shqipëri. Dhe emocionet me të cilat kjo gjë përcillet në media, e kanë bllokuar aq shumë anën racionale të gjykimit të publikut, sa bëhet e pashmangshme tërheqja drejt humbëtirës së këtij trekëndëshi bermudian.

Ja të përpiqemi t’i rezistojmë tundimit, për të mos u tretur në humbëtirë:

Çdo ditë e më shumë, publikohen fakte se kryeministri i vendit ka patur dijeni për veprimtarinë kriminale të disa përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, në kultivimin e kanabisit në vend. I fundit qe Europol, me raportin e cituar më lart. Por në Bruksel, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Mogherini si dhe presidenti i Komisionit Europian, Juncker, nuk e përmendin këtë fakt në takimin e drejtpërdrejtë më Kryeministrin shqiptar, duke iu referuar një pune të jashtëzakonshme, bërë deri tani me ecurinë e reformave. Kësisoj nuk marrin parasysh as raportin e Agjencisë Ligjzbatuese të vetë BE-së, as faktet kokëfortë të cituara në raporte të ndryshme ndërkombëtare, por me retorikë që nuk i shërben asgjë konkrete Shqipërisë, e përcjellin me një shkëlqim fasade kthimin në atdhe të kryeministrit të shtetit ballkanik, ndotur krimit.

Ndërkohë, në përpjekjen disavjeçare për t’i dhënë drejtësisë mundësinë të bëjë të vetën kundra krimit dhe shtetit të kapur prej tij, nëpërmjet një reforme kushtetuese dhe vetting-ut, nisja e saj lëndohet nga një akt krejt kundra frymës që sublimoi këtë proces. Opozita pohon se, me një akt antikushtetues, kryeministri kërkon të zgjedhë prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm, vetëm me votat e PS-së, pa iu nënshtruar vetting-ut. Sërish me një vektor ndërkombëtar në ndihmë, si Brukselin, ashtu edhe SHBA-në, nëpërmjet ambasadorëve respektivë në vend, kryeministri në drejtimin e të cilit, Shqipëria zuri ballinën e faqeve të shtypit e raporteve ndërkombëtare për trafikimin e drogës, që kapi median, kërkon të kapë edhe drejtësinë.

Në ç’mënyrë? Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me votat e tre të pestave të Kuvendit. Kandidaturat duhet të vlerësohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, para se të mbërrijnë në Kuvend. Në tetor të vitit 2016, shumica vendosi të miratojë një ligj për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë, sipas të cilit, në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, atëherë zgjidhet një prokuror i përgjithshëm i përkohshëm. Por, megjithëse Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka përfunduar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është formuar ende (edhe pse ka kaluar një vit e gjysmë nga miratimi i reformës në drejtësi). Atëherë, shumica socialiste është e vendosur të zgjedhë, me shumicë të thjeshtë, një prokuror të përgjithshëm të përkohshëm. Dhe për këtë i vijnë në ndihmë ndërkombëtarët. Kryetari i Komisionit të Ligjeve i kërkoi disa javë më parë, krejt në fshehtësi një opinion misioneve të OPDAT-it dhe EURALIS-it në Shqipëri, për të interpretuar ligjin dhe Kushtetutën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në këtë situatë. Sipas tyre, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm mund të zgjidhet me shumicën e deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit në momentin e votimit, pra 36 të tillë. Edhe pse institucioni që mund të japë interpretime mbi ligjet dhe Kushtetutën, është Gjykata Kushtetuese, dy misione ndërkombëtare hyjnë në lojë për të shtyrë para drejt duarve të pushtetit, një proces që do duhej të mbronte drejtësinë prej tij. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur prokuroria ka nëpër duar hetime shumë të rëndësishme për përfshirjen e funksionarëve të lartë socialistë dhe krerëve të policisë në trafikimin e drogës. Dhe vektori ndërkombëtar sërish hyn në skemë, duke formuar kulmin e tretë të një trekëndëshi që zhyt, një herë e mirë, sistemin e drejtësisë në vend, kur na kish bindur, për vite me radhë, se reforma në drejtësi do të garantonte më së pari moskapjen e drejtuesve nga politika, nga pushteti.

Dhe sot në turbullirën e trazimit që shkaktojnë propaganda e keqinformimi i medias së kapur, shqiptarët konsumohen emocionalisht nga thirrjet e një kryeministri që akuzon opozitën e gazetarët, se po nxijnë qëllimisht imazhin e vendit për të bllokuar procesin integrues.

Dhe të bëjmë edhe një përpjekje të fundit për të mos iu nënshtruar tundimit drejt trekëndëshit asgjësues të logjikës me krim, pushtet e ndërkombëtarë: fati i hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Sa për kujtesë, Turqia këto negociata i ka hapur që në vitin 2004. Mali i zi, 5 vjet më parë, Serbia në 2013 dhe po atë vit Maqedonia. Kjo e fundit e ngrirë për shkak të vetos së Greqisë, për emrin. Vetë Brukseli është nën një presion të fortë për të avancuar me projektin integrues, për të mos lënë në Ballkan një vatër lehtësisht të ndikueshme nga Rusia, apo Turqia. Dhe këtu interesi është i fortë edhe i Shteteve të Bashkuara. Në gjeopolitikën e madhe, Shqipëria është e vogël, por pjesë e një grupi vendesh që konsiderohen si një rajon i tërë, lehtësisht i trazueshëm. Ndaj problemet me krimin, drejtësinë e kapjen e shtetit që ka Shqipëria, relativizohen nga kryeministri, duke i shërbyer logjikës së një interesi më të madh që ka sot Europa dhe Amerika. Andaj, dëgjojmë në retorikën e një udhëheqësi autoritarist, të një vendi të vogël e të varfër, të kapur nga droga e krimi, të flasë për Rusi e Turqi me lehtësinë e një personazhi të Dhomës së Lordëve.

Dhe ja ku ndodhemi sot, me një kushtetutë miratuar me nxitim, nën presion politik të brendshëm e ambasadorësh, me përplasje dispozitash kalimtare, me nisjen e një reforme në drejtësi në shkelje të kushtetutës, duke mos respektuar frymën e saj në zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, me gjykata jashtë funksioni të paplotësuara në numër anëtarësh, me misione ndërkombëtare që ndërhyjnë edhe në shkelje të kushtetutës, me ambasadorë që kanë humbur çdo kredibilitet, por që shtojnë kredite personale me zgjidhje artificiale krizash. Sot po i afrohemi qendrës së trekëndëshit të Bermudës, ku krimi nuk ka si të njohë ndëshkim, sepse drejtësia është në kolaps mes kapjes së djeshme dhe rikapjes së sotme, ku ndërkombëtarët kanë hesapet e gjeopolitikës së madhe e lejojnë përfaqësuesit e bezdisjeve të vogla të shuajnë çdo zhurmë që iu ndërhyn në antena. Dhe çfarë përhumbet në shkuarjen drejt epiqendrës është shteti i së drejtës, i cili shqiptarit të thjeshtë i ha kokën, i merr shpirtin. Ndërsa për krimin është shpëtim, për pushtetin garanci triumfi pa kontroll, për ndërkombëtarët një togfjalësh I harruar prej realpolitikës që po ngjall fantazmat e Churchill dhe Stalinit, duke ndarë kufijtë e Europës Lindore, më shumë se 70 vjet më parë.

Ndaj krimi, pushteti e ndërkombëtarët, përballohen vetëm duke i rënë në kokë epiqendrës. Në Shqipëri nuk fitohet stabilitet pa shtetin e së drejtës dhe për të mos u bezdisur antenat nga zhurma e shtetit të vogël ballkanik, nuk mund të konsiderohet pushteti aktual si alternativa e vetme. Kjo kartë duhet t’i digjet në dorë kryeministrit. Dhe për këtë, rrugët nisin nga gjeneza e problemit, Kuvendi që doli nga zgjedhjet e 25 qershorit. Nëse zgjedhjet janë vjedhur nga krimi i lidhur me pushtet e ndërkombëtarë, atëherë Kuvendi i sotëm nuk ka arsye të ekzistojë. Kush e ka në dorë të dëshmojë këtë si bezdinë e vërtetë për Brukselin, janë ata që ende presin kryeministrin t’i vërë në lojë me kërkesa për pakte kombëtare. I vetmi pakt që garanton kryeministri, është trekëndëshi i Bermudës. Kush nënshkruan, duhet të presë “zhdukjen” në humbëtirë, duke marrë me vete edhe shqiptarët.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: