Borxhi, Shqipëria parashikon të marrë sërish një Eurobond

Borxhi, Shqipëria parashikon të marrë sërish një Eurobond
Shqipëria mund të dalë shumë shpejt në tregjet e huaja të kapitalit për të kërkuar borxh, i njohur ndryshe edhe si Eurobond. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë autoritetet shqiptare të Financave. Konkretisht, në dokumentin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2018- 2020, ata theksojnë saktësisht se “gjatë kësaj periudhe parashikohet të ketë një shtesë të financimit të huaj përmes daljes në tregjet ndërkombëtare me Eurobond”. Një metodë kjo që sipas tyre shërben si balancuese për mungesën e huamarrjes në tregun e brendshëm. Duke dalë garant gjithsesi, se pavarësisht rritjes së këtij financimi të huaj, “niveli i borxhit të jashtëm do të vazhdojë të mbetet brenda objektivit duke synuar uljen e rrezikut nga kursi i këmbimit”. Kujtojmë sakaq, se kjo praktikë e pati fillesën e saj plot shtatë vjet më parë, konkretisht në vitin 2010, kur Shqipëria mori në tregjet e huaja plot 300 milionë euro, i cili u cilësua edhe si Eurobondi i parë shqiptar. Me një afat maturimi 5-vjeçar, shqiptarët për këtë borxh paguanin jo pak, por rreth 22.5 milionë euro në vit. Por interesi me të cilin ai u arrit të kapej, prej vetëm 7.5% u cilësua si një sukses atëherë nga ana e qeverisë së djathtë.  Teksa opozita e majtë e kritikoi aplikimin e një praktike të tillë, edhe pse kur erdhi vetë në pushtet, pesë vjet më pas, do të merrte Eurobondin e dytë shqiptar në tregjet e huaja. Këtë herë, bëhej fjalë për një shumë edhe më të madhe parash, plot 450 milionë euro. Duke përdorur si argument qetësues për opinionin publik, atë të normës më të ulët të interesit që i sigurua ndaj tij, deri 5.75%. Ndërsa blerësit e bondeve shqiptare thuhet se përfshijnë 115 investitorë në tregjet ndërkombëtare. Sipas zonave gjeografike, ata rezultonin se ishin 30% nga Britania, 23% nga SHBA dhe 46% nga Europa.

300

Milionë euro, me maturim 5-vjeçar, për të cilat shqiptarët paguanin jo pak, por rreth 22.5 milionë euro në vit, ka qenë Eurobondi i parë i marrë nga Shqipëria në vitin 2010

450

Milionë euro, me maturim 5-vjeçar, ka qenë shuma e Eurobondit të dytë të marrë nga Shqipëria në vitin 2015 në tregjet e kapitaleve, pra pesë vjet pasi shleu të parin

 

Kursi i këmbimit, rrezik i madh moskthimi i borxhit në euro

Mbiçmimi i lartë i monedhës evropiane, euro, mund të përbëjë një rrezik të madh për moskthimin dot të borxhit të jashtëm që qeveria shqiptare ka marrë në këtë valutë.  “Ajo që paraqet rrezik është fakti se portofoli i borxhit, në masën rreth 65% të tij, në monedhën euro, duke e bërë të ndjeshëm atë ndaj luhatjeve të kësaj monedhe”, pohojnë vetë ekspertët e Financave lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se këto ritme në fakt kanë qenë në rritje gjatë viteve të fundit, duke ulur sipas tyre gjithmonë e më shumë aftësinë riparuese të shtetit në valutë. “Ritmet e rritjes së borxhit kanë qenë më të larta se ritmet e rritjes së eksporteve dhe të rezervës valutore. Që do të thotë se borxhi në valutë po vjen gjithmonë në rritje në vendin tonë”, cilësojnë ata. Duke shtuar se ekspozimi ndaj rrezikut të kursit të këmbimit paraqitet shumë i lartë, por gjithsesi, ai pritet që të zbutet. “Euro parashikohet deri në 143 lekë, duke ardhur drejt mesatares historike të saj”, është parashikimi i ekspertëve rreth normës ku do luhatet kursi i këmbimit të monedhës evropiane, euro.

Ekspertët: Huamarrja në tregjet e huaja mund të ketë implikime

Huamarrja në tregjet e huaja mund të ketë implikime, të cilat varen nga politikat fiskale të vendeve të tjera, por edhe nga Banka Qendrore Evropiane. Ky është një tjetër konstatim i bërë nga ekspertët e Financave, sipas të cilëve, janë pikërisht këto kushte të cilat do të kushtëzojnë rritjen e  pavullnetshme, por edhe të kostove të borxhit të jashtëm si i tillë. Dhe duke paralajmëruar në këtë mënyrë një risk të madh të moskthimit të borxhit të jashtëm. “Niveli i kufizuar i eksporteve dhe  rezervave valutore mund ta vendosë shtetin në vështirësi për të likuiduar detyrimet në valutë duke rrezikuar qëndruesh-mërinë e monedhës vendase dhe të treguesve makroeko-nomikë”, sqaron gjithashtu Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2018- 2020.

Synimi, borxhi publik të ulet deri në nivelin prej 63% të PBB-së në 2020-n

Qeveria synon ta ulë borxhin publik deri në nivelin prej 63% në fund të vitit 2020. Kjo parashikohet në Strategjinë Afat-mesme të Menaxhimit të Borxhit, i cili është një plan afatmesëm nga 3-5 vite. Sipas këtij dokumenti, gjatë periudhës së viteve në fjalë, tregu i brendshëm do të vazhdojë të mbetet burimi kryesor i financimit dhe do të mbulojë të terma bruto mesatarisht mbi nivelin prej 75% të nevojave të përgjithshme të qeverisjes qendrore për kredi. “Instrumentet kryesore që do të përdoren për sigurimin e financimit janë titujt shtetërorë. Ndërsa garancitë shtetërore parashikohen të kapin një interval 5%-6 % te borxhit. Shërbimi i borxhit pritet që në vitin 2020 të kapë vlerën e 45 miliardë lekë”, citon strategjia në fjalë.

Shtohen borxhet e prapambetura të institucioneve, 570 milionë lekë

Shteti shqiptar vazhdon që të kryejë borxhe të prapambetura ndaj kategorisë së biznesit. Edhe pse prej disa vitesh, ai u angazhua për shlyerjen e tyre përfundimtare, duket se ende nuk e ka përfunduar dot këtë “betejë”, teksa sipërmarrjet private vazhdojnë ende që të mos paguhen për punët e bëra apo shërbime të kryera nga administrata shtetërore. Pothuajse të gjitha dikasteret qendrore kanë krijuar detyrimeve të prapambetura. Referuar të dhënave më të fundit të ministrisë së Financave, rezulton se vetëm për periudhën e muajve korrik-shtator  2017, vlera e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucione të ndryshme arrin në 568.7 milionë lekë. Ku institucioni që ka krijuar më tepër detyrime të prapambetura Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, deri në 100.2 milionë lekë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: