Buxhuku: Dëme kolosale. Shteti t’i orientojë të gjitha financat tek përmbytjet

Buxhuku: Dëme kolosale. Shteti t’i orientojë të gjitha financat tek përmbytjet
Flet për “Albanian Free Press”, kreu i organizatës së njohur të biznesit, Konfindustria, Gjergj Buxhuku

Z.Buxhuku. Pas përmbytjeve, ju keni kërkuar një rishikim urgjent të buxhetit 2018. Ku jeni bazuar për këtë?

Jemi bazuar pikërisht tek fakti se ai parashikon fonde të mjaftueshme për menaxhimin e situatave të fatkeqësive natyrore. I ka minimale ato. Edhe vitet e tjera kështu i ka patur. Vetëm me një ndryshim të lehtë në vitin 2016, si pasojë e përmbytjeve në vitin 2015. Por fondet aktuale janë krejtësisht të pamjaftueshme. Dhe nëse do të duhet, të gjitha burimet financiare të shtetit, të orientohen sa më shpejt për përballimin e përmbytjeve, sepse dëmet janë kolosale.

Në fakt, kryeministri ka paraqitur si një zgjidhje atë të sigurimit të detyrueshëm të banesave kundër efekteve të përmbytjeve.

Kjo absolutisht që nuk është zgjidhje, madje kjo është zgjidhja më e gabuar. Kjo është një histori së cilës i duhet dhënë fund njëherë e mirë. Në kuptimin se është e vërtetë që tregu i sigurimeve në vendet e zhvilluara funksionon në rastet e caktuara, por jo në ato të fatkeqësive. Edhe atje ato nuk i mbulojnë kur ka raste të fatkeqësive natyrore. Kjo është e padiskutueshme edhe atje. Tregu i sigurimeve tek ne është i ndërtuar në mënyrë të gabuar në thelbin e tij. Është një treg i cili së pari nuk i ka kapacitetet më minimale, të domosdoshme për të bërë mbulimin e fatkeqësive të tilla, të cilat duhet thënë se realisht janë shumë të kushtueshme, me vlera të mëdha. Por ai është edhe një treg i cili masën 60%-70% e ka të mbuluar nga tregu i sigurimit të detyrueshëm i automjeteve. Dhe një zgjidhje e tillë do të ishte më shumë një lëvizje lobesh, për të përfituar nga këto fatkeqësi natyrore, sesa në funksion të zgjidhjes së problemit real.

 Gjatë viteve të kaluara, si ka ndodhur me dëmshpërblimet e shtetit, të paktën për ju si biznese, meqë i përfaqësoni ato?

Përgjithësisht, skemat e dëmshpërblimeve nga qeveria ose nuk kanë funksionuar, ose kanë qenë në një masë të vogël.

Kujt i takon sipas jush zgjidhja e një situate të tillë dhe si konkretisht?

Duhet patur parasysh mirë që përgjegjësia është tërësisht e shtetit për parandalimin dhe kufizimin e pasojave të këtyre fatkeqësive natyrore. Sepse së pari, sipas të dhënave që kanë ardhur pranë nesh, praktikisht të gjitha këto projektet e tenderuara nga qeveria, kanë patur një efiçencë shumë  të dobët në praktikë. Dhe përsëritja e përmbytjeve, në një masë të madhe, vjen pikërisht nga efiçenca shumë e ulët e investimeve në këtë sektor, të cilat nuk kanë qenë të vogla, madje të mëdha, por inefiçente. Por duhet patur parasysh edhe fakti që shteti duhet të marrë masa drastike lidhur edhe me ndërtimet pa leje. Dhe e fundit fare, nëse duam që shteti t’i japë një zgjidhje rrënjësore këtij problemi është që ai të veprojë me dorë të fortë ndaj atyre që kanë vepruar kaq keq me fondet publike. Por edhe të mobilizojë burime financiare të konsiderueshme për t’i bërë investime të qëndrueshme sa më shpejt nga ana e tij. Duhet vepruar urgjentisht nëpërmjet buxhetit të shtetit.

BILANCI

 “4715 banesa të dëmtuara, 10 622 hektarë të përmbytur”

Bilanci paraprak i  gjendjes së përmbytjeve të ditëve të fundit në vendin tonë, sipas Emergjencave Civile rezulton se është mjaft i rëndë. Konkretisht, sipas tyre, ka 590 familje të evakuuara, 1552 persona të shpëtuar, 4715 banesa të dëmtuara, 41 biznese, 10 622 hektarë të përmbytur, 5526 hektarë me prani uji. Duke shtuar nga ana tjetër se për t’i bërë ballë kësaj situate në terren janë 6400 forca, si dhe janë përfshirë dhe rreth 1089 mjete. Këto forca kanë evakuuar 596 familje dhe kanë shpëtuar 1.552 persona.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: