Dëbora dhuron sot bukuri... aty ku para 74 vitesh udhëtimi i Enver Hoxhës u kthye në tmerr (Foto)

Dëbora dhuron sot bukuri... aty ku para 74 vitesh udhëtimi i Enver Hoxhës u kthye në tmerr (Foto)
Ashpërsia e maleve, bardhësia e dëborës janë gjithmonë të pranishme gjatë stinës së dimrit në Fushë Studën, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Fotot janë publikuar gjatë ditës së sotme nga Administrata e Zonave të Mbrojtura-Qarku Elbasan.

Kjo zonë u bë e njohur gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, pasi aty qëndroi i fshehur për disa kohë Enver Hoxha me partizanët dhe me britanikët, që ishin në aleancë gjatë kohës së luftës kundër pushtuesve nazistë.

Në të dhënat dhe shënimet e mbajtura nga dy palët tregohen detaje të udhëtimit përmes dëborës që ra atë natë gjatë të njëjtës periudhë, 1943/44, nga Biza ku u strehuan fillimisht por kjo bazë u zbulua nga gjermanët, për në  Fushë Studën, ku dhe forcat partizane qëndruan për ca kohë.

Mediat britanike janë interesuar dhe kanë botuar kohët e fundit vazhdimisht histori dhe imazhe të tilla nga ky udhëtim, në Fushë-Studen  

Më kryesorja, “nëna-natyrë” është treguar vërtet bujare me Shqipërinë, duke i dhuruar bukuri të tilla siç edhe i zotërojnë zona të ndryshme të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Në territorin e parkut përfshihen gjashtë ish-Komuna, aktualisht pjesë administrative të bashkisë Librazhd, ndërsa i tërë parku shtrihet në një gjatësi 22 km.

Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore te vogla me bukuri madhështore.

Rreth rajonit të parkut sot jetojnë rreth 15 mijë banorë.

Por në këtë park kanë shtëpinë  një numër i llojeve të ndryshme të rralla dhe endemike të bimëve, kafshëve dhe kërpudhave. Aty rriten specie të rralla kafshësh ku më i famshmi është Rrëqebullit i Ballkanit, por edhe ariu i murrmë,  ujku gri, dhia e egër, derri i egër, trofta e egër.

Parku përmban ahun, bredhin, pishën, dhe specie të ndryshme lisi, si dhe lloje të tjera të veçanta.

Përgatiti: a.muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: