Emergjencat e motit, përmbytet autostrada, evakuohen dhjetëra qytetarë

Emergjencat e motit, përmbytet autostrada, evakuohen dhjetëra qytetarë
Shkodër, 3 elektricistë bien në kontakt me energjinë. Përmbyten me dhjetëra institucione shtetërore si dhe nënstacioni i Kasharit duke lënë pa energji gjithë zonën

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë. Në disa qarqe të vendit janë regjistruar edhe përmbytjet e para, ndërsa institucionet janë në gatishmëri. Nga të dhënat e Shtabit të Emergjencave rezulton se zjarrfikësja e stacionit nr.3 të Kodër Kamzës u  bllokua në Valias në thellësinë 1.5 metër  me ujë pasi kishte shkuar të evakuonte 13 banorë, 5 prej të cilëve fëmijë. Të gjendur përballë kësaj situate është njoftuar prefektura dhe ushtria për ti shkuar në ndihmë.

Pasditen e djeshme si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë është bllokuar edhe autostrada Tiranë-Durrës në  afërsi të kilometrit të gjashtë, pasi niveli i ujit shkoi deri në lartësinë e trafik-ndarëses. Për këtë arsye policia devijoi trafikun në rrugët dytësore. Shumë mjete mbeten të bllokuara në rrugë, ndërsa niveli i ujit rritej.  Edhe rruga drejt aeroportit pati probleme me trafikun. Disa biznese në zonë janë përmbytur. Gjithashtu është përmbytur nënstacioni i Kasharit duke lënë pa energji Kamzën, Laprakën dhe Kombinatin. Në autostradë janë përmbytur edhe disa biznese dhe banesa. Po kështu nga raportimet e bëra nga vetë qytetarët rezulton se me dhjetëra fëmijë janë në makina, të cilat janë bllokuar në autostradën Tiranë- Durrës. Për të përballuar situatën e rënduar nga shirat në këtë aks, Forcat e Armatosura janë vënë në gatishmëri të problemit me tre motor-pompa të komandës në afërsi të Kthesës së Rinasit për të larguar ujin.

Situata më problematike është paraqitur pranë një qendre tregtare në aksin Tiranë- Durrës ku dhjetëra qytetarë që kanë mbetur të bllokuar, si pasojë e përmbytjes, do të shpëtohen me mjete lundrimi. Nga të dhënat mësohet se janë rreth 300 qytetarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, që kanë mbetur të bllokuar, ndërsa Forcat e Armatosura janë angazhuar në një operacion evakuimi. Për të larguar qytetarët nga ambientet e qendrës tregtare u përdorën gomonet.

Në veri të vendit, dëmtimi i një automati për shkak të lagështirës ka sjellë  plagosjen e tre elektricistëve në rrethin e Shkodrës, duke pësuar djegie gjatë riparimit të një defekti.  Elektricistët kanë pësuar plagë ndaj ka qenë e nevojshëm edhe  transportimi i tyre drejt Tiranës. Ata po riparonin nënstacionin Shkodra1. Plagosja e elektricistëve vjen ndërkohë që një elektricist ka humbur jetën pasditen e djeshme në Fier duke riparuar një defekt në shtyllë.

Edhe në Tiranë ka probleme me banesat e ulëta. Për shkak të shikueshmërisë së ulët ndodhi edhe një aksident në zonën e Unazës së Re në Tiranë, por fatmirësisht pa viktima. Po kështu një tjetër aksident ka ndodhur edhe në Rrugën e Elbasanit pikërisht pranë rreth-rrotullimit të Fakultetit Ekonomik.

Nga të dhënat rezultojnë se përmbytje ka pasur edhe në disa institucione si Komisariati nr. 5 në Tiranë, Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”,  Spitali Infektiv në Shkodër i është prishur çatia për shkak të  erërave të forta.

Të gjendur përballë këtyre situatave, Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve të njoftojnë në numrin 112 në rast se ndodhen në vështirësi për shkak të reshjeve të shumta.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit Rama njofton se deri në orën 21:30 të mbrëmjes së sotme vijon që të jetë e bllokuar autostrada Tiranë-Durrës nga përmbytja dhe aksi Bogë-Theth në Qafën e Thorës nga dëbora. 10 banesa janë përmbytur në Kamëz, janë evakuuar 37 persona, 20 në Gjirokastër, 7 në Berat dhe po evakuohen 10 në Tiranë. Një  elektricist i OSHEE humbi jetën gjatë punës në Fier dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë punës në Shkodër.

Pezullohen lundrimet

Moti me reshje e erëra të forta ka shkaktuar probleme edhe në portë dhe lundrimin e anijeve të tonazhit të ulët dhe të mesëm. Kapitaneria e përgjithshme e porteve në Durrës ka urdhëruar pezullimin e lundrimit për të gjitha anijet e peshkimit. Lundrimi është  pezulluar dhe në portet e Vlorës dhe Sarandës, ndërsa vonesa disaorëshe janë shënuar ne mbërritjen e dy trageteve që janë nisur një natë më parë nga portet e Barit dhe Ankonës drejt Durrësit. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi është larguar prej ditës së mërkurë drejt Italisë, ndërsa deri të hënën, nuk do të kryejë itenerarin e parashikuar. Po kështu edhe trageti Sarandë – Korfuz nuk do ketë lundrime për 3 ditë.

Shtohen reshjet e shiut, ministria e Arsimit mbyll shkollat

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, njoftoi pezullimin e procesit mësimor në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar, të premten më 1 dhjetor 2017. Shkak është bërë përkeqësimi i motit në të gjithë territorin e vendit.

“Sipas njoftimeve nga Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), por edhe nga shërbimet meteorologjike që bashkëpunojnë me Emergjencat Civile, pritet që moti ditën e premte të shkojë drejt përkeqësimit, pasi priten reshje të dendura shiu. Për pasojë, institucionet e arsimit parauniversitar do të jenë të mbyllura gjatë ditës së premte, në datën 1 dhjetor” - thuhet në  njoftimin zyrtar të ministrisë së Arsimit.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: