Familjet e ushtarakëve ndihmë të prekurve nga përmbytjet

Familjet e ushtarakëve ndihmë të prekurve nga përmbytjet
Efektivët e Forcave të Armatosura, por edhe familjet e tyre janë solidarizuar për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga përmbytjet. Nëpërmjet një nisme të ndërmarrë nga vetë FA-të, përmes një kontributi financiar, ata i kanë ardhur në ndihmë më shumë se 200 familjeve. Ndihmat, të cilat konsistojnë në veshmbathje, ushqime, detergjente si dhe vlerë monetare, do t’u shpërndahen familjeve që kanë nevojë për mbështetje gjatë këtyre ditëve të vështira.

Ndihmat me produktet bazë për banorët e zonave të prekura nga përmbytjet e fundit, janë mbledhur nga çdo strukturë apo repart i Forcave të Armatosura, dhe do të shpërndahen nga Komanda Mbështetëse.

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, u shpreh se, pas përballimit të emergjencës, kjo është një tjetër fazë, ku FA-të janë sërish të angazhuara. “Unë jam shumë e kënaqur, që marr pjesë në këtë nismë, që në fakt është nismë e efektivëve të FA-ve, për t’u bërë ballë, bashkë me 16 vende të Europës, me 13 organizata ndërkombëtare, me dhjetëra kompani private, me qindra qytetarë, të cilët kanë kontribuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur. Kjo ndihmë sot është një ndihmë modeste, por shumë domethënëse e efektivëve tanë, për t’u bërë bashkë, me të gjithë ata që duan t’i japin një dorë dhe të ndihmojnë në rehabilitimin e të gjithë atyre qytetarëve të prekur nga përmbytjet.”- tha ministrja Xhaçka.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: