Festat e fundvitit, shqiptarët ski dhe pushime dimërore nëpër Evropë

Festat e fundvitit, shqiptarët ski dhe pushime dimërore nëpër Evropë
Krishtlindje dhe një Vit i Ri mes bardhësisë së dëborës. Aty ku ke mundësi të bësh ski. Nëpër resorte ku gjen jo vetëm ngrohtësi, por edhe çmime të leverdishme, si dhe njerëz nga vende të ndryshme që pushojnë si ti. Kjo është ajo që shqiptarët po përpiqen të gjejnë në këtë pragfestash. Duke synuar të realizojnë të ëndërruarat, ato që quhen edhe “pushime të bardha” 

Teleferikë. Pista skish. Një industri e tërë në shërbim të tyre. Dyqane pa fund ku mund të blesh pajisjet e duhura për të bërë ski. Resorte dhe hotele, ku mes borës së ftohtë gjen jo vetëm ngrohtësi, por edhe një klimë të përsosur pushimesh... Këtë duket se po kërkojnë shqiptarët në prag të festave të këtij fundviti, teksa i kanë shtuar më shumë se një vit më parë kërkesat e tyre për paketa turistike, ku mund ta realizojnë një “ëndërr” të tillë. Destinacionet? Kryesisht në rajonin përreth vendit tonë, të tilla si Bansko në Bullgari apo Kolashin në Mal të Zi etj. Një fakt të tillë e pohojnë për “Albanian Free Press” vetë drejtues të disa prej agjencive turistike në kryeqytet, sipas të cilëve, përmes këtyre paketave shqiptarët realizojnë më së miri ato që njihen edhe si “pushime të bardha”. “Preferenciale vazhdojnë të mbeten zonat e rajonit, për faktin se jo vetëm që janë më afër nesh gjeografikisht, porse kanë edhe  çmime konkurruese, apo një traditë të vjetër në pushimet dimërore, të cilën neve nuk e kemi akoma”, citon lidhur me një fakt të tillë menaxherja e një agjencie turistike, Fiori Z. Teksa jep si variant të vetëm të realizimit të kësaj “ëndrre” në Shqipëri vetëm zonën e Korçës. Ajo, sipas saj, vazhdon të mbizotërojë si e vetmja zonë, e cila ka krijuar një traditë të pushimeve dimërore në vend prej dy dekadash, në përgjithësi me trajtim familjar, pra përmes bizneseve familjare. Ndërsa më pak të preferuara në këtë sezon të vitit janë zonat e veriut të vendit, si Thethi dhe Valbona, të cilat fare mirë mund të shërbenin për një turizëm dimëror të mirëfilltë dhe mjaft cilësor. Por mesa duket, për arsye infrastrukture, edhe gjatë  këtij sezoni dimëror, zonat e veriut të vendit kanë mbetur sërish jashtë frekuentimit masiv të qytetarëve, siç ndodh në verë për shembull, pasi aty nuk ka as zona skish. Kësisoj, këto zona janë kthyer vetëm në zona të preferuara të turizmit veror. Nga ana tjetër, agjencitë turistike raportojnë se gjatë këtij fundviti po ecin shumë mirë edhe paketat e tregjeve të Krishtlindjeve, ku më i miri për këtë vit u zgjodh ai i Zagrebit, shoqëruar me një çmim të posaçëm botëror. Kësisoj, qytetarët shqiptarë që ia mundësojnë nga aspekti financiar vetes një pushim 2-ditor, kanë bërë mjaft prenotime për të vizituar jo vetëm këtë treg, por edhe të tjerë të ngjashëm në mjaft vende të Evropës.

ZGJEDHJA

Vendet e ngrohta, gjithmonë të preferuara në fundvitin e ftohtë

Vendet e ngrohta mbeten gjithmonë të preferuara nga shqiptarët edhe në fundvitin e ftohtë si destinacion për të kaluar pushimet. Dhe siç referojnë vetë përfaqësuesit e agjencive turistike sivjet është “viti i Tajlandës”, pasi për këtë vend po paraqiten mjaft paketa të leverdisshme dhe prandaj shumë shqiptarë kanë prenotuar që pushimet e fundvitit t’i kalojnë në Bankok. Por të shumtë janë edhe ata që kanë zgjedhur Dubain apo edhe Tenerifet për to, deri edhe Republikën Domenikane. Një trend shumë perëndimor ky, veçanërisht italian, që mesa duket po përqafohet edhe nga audienca e shtresës së lartë shqiptare, e cila mund t’ia lejojë vetes tarifa të tilla.

DESTINACIONET

Krishtlindjet në borë:

 Kolashin

Mavrovë

Brezovicë

Prevallë

Bansko.

Krishtlindjet me autobus:

Budva Ulqin

Dubrovnik

Sarajevë

Beograd

Selanik

Vjenë

Pragë

Paris

 Krishtlindje me avion

Paris

Vjenë

Viti i Ri me autobus:

 Mavrovë-Strugë

Sarajevë-Blejasnica

Beograd-Sarajevë

Selanik

Budva

Mavrovë

Strugë

Sofje-Plodviv

Stamboll

Halkidiki

Manastir-Bitola

Dubrovnik

Bansko

Viti i ri me avion:

Dubrovnik

Zhabjak

Meteora

Bogë

Bitola etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: