“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flasin shokët Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, si dhe shoqja Ledi Shamku

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flasin shokët Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, si dhe shoqja Ledi Shamku
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me rubrikën që ne e quajmë PPSH, pra Përmbledhje Politike e Shartuar.

E hapim sot, me një lajm të mirë, që ma erdhi pardje nga Presidenti Meta.

Më në fund, Kryepeshkopi Janullatos, mori pasaportën shqipëtare, me të cilën mund të shkojë në çdo vend të botës, nëse merr vizë.

Shyqyr që vetë kryepeshkopi nuk e hodhi pasaportën greke, se nëse do ta bënte këtë gjë, me mijëra "patriotë" shqiptarë, që ishin kundër vendimit largpamës të shokut Meta, do turreshin ta bënin të vetën. Sigurisht për një jetë më të mirë, në vendin fqinj me ne.

E meqë ra llafi te jeta e mirë, po sjellim një lajm që ka të bëjë me rritjen e rrogës minimale, që do arrijë shifrën 430 $ më muaj, para në dorë.

Kjo për momentin do të ndodhë në Kroaci, por do vijë dita, e ne jemi shpresëplotë se, pas 15 vjetësh, ajo do arrijë po aq edhe në Shqipëri. Kuptohet, nëse qeverinë Rama, do e lënë të punojë rehat, sidomos sindikatat që përpiqen t'i fusin gurrë nën rrota", apo siç mund ta thoshim metaforikisht, "duan t'i injektojnë naftë të parafinuar, makinës qeverisëse".

E meqë ra llafi te nafta. Në Fier, punonjësit e Uzinës së këtij lëngu, kanë disa ditë që kanë dalë në protestë, pasi firma nuk i paguan, apo siç thotë populli, ju thotë, "merreni me lëng!" Rreth këtij fakti, ka shkruajtur shkurt në një rrjet shoqëror, (apo siç i themi neve në gazetari, network social) edhe një Ministër.

Gjiganti i Ekonomisë Socialiste, shoku Arben Ahmetaj, shkruan:

Na turpëruan fare këta punëtorët, sidomos te investitorët italianë.

Ata ishin të gatshëm të vinin të investonin këtu, që kur ju tha shoku Edi, se do ja kalonin mirë, pasi punonjësit shqiptarë nuk bëjnë greva. Ne po i prisnim.

Nuk i ndahet tersi, Kryeministrit dhe qeverisë sonë.

Sa na iku LSI-ja nga tepsia, që na ndalonte investimet e huaja, filluan sindikalistët në grevë, për disa qindarka. Pastaj ia vënë fajin Ramës, që nuk vijnë investitorët e huaj...!

Shoku Damian Gjiknuri do të vizitojë Kinën.

Rubrika jonë mësoi se, shoku Damian do të niset për në Pekin në Kinë.

Arsyeja e vizitës ishte e vështirë të mësohej, por pas metodave tona të hetimit, ia dolëm ta zbulonim edhe këtë. Qëllimi i vizitës do të jenë skulpturat e akullit në qytetin Harbin, që ndodhet në veri të Kinës.

Në këtë qytet bën mjaft ftohtë e, si rrjedhim, shumë artistë të shkuar atje nga vende të ndryshme, bëjnë vepra arti në akull. Mrekullia e tyre zgjat 3-4-5, muaj. Varet nga temperaturat... Ne, sa morëm vesh për këtë vizitë, folëm në telefon me shokun Ministër të Infrastrukturës.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Shoku Damian, përshëndetje! Morëm vesh se do shkoni të shikoni ato skulpturat në Kinë. Për qejf, apo për çështje pune, do e kryeni këtë vizitë?

Shoku Damian: E ku ka qejf puna jonë! Të ishte për qejf, shkoja në ndonjë ishull afër Kinës, siç shkojnë ata që fshehin paratë. Për punë do shkoj, për eksperiencë. Do më mbetet kaposhi i Baldushkut në fyt. Do nisem që në datën 1 janar, me kalendarin tonë. Viti i Ri kinez, besoj se do e kaloj atje, me shkopinj, e oriz.

Antena: Ku qëndron kjo përvojë, apo siç i themi neve në gazetari: Ku konsiston eksperienca që doni të transmetoni prej andej, këtu?

Shoku Damian: Siç e dini atje bëjnë disa skulptura në akull. Pashë që bënin në akull edhe ura. Më erdhi çudi që ato qëndronin pa u prishur. Urat që ndërtojmë neve, sa fillojnë ngricat, çahen dhe i merr lumi. Ndaj do pyes se si ia bëjnë që nuk i gjen gjë urat e tyre prej akulli.

Antena: Meqë më kujtuat urat, shoku Damian. Ne kemi në Tepelenë, një urë që ka ndërtuar Ali Hysi, apo siç i thonë, Ali Pashë Tepelena. Ka 200 vjetë që është bërë dhe nuk i janë prishur ende këmbët. Si shpjegohet kjo gjë?!

Shoku Damian: Për atë që e quani "Pasarela" e ke llafin? E di, e di. Atë Pasarelën që thua ti, e ndërtuan në kohën kur nuk bëheshin Pasarela Mode, me femrat e bukura. Tani, ata që ndërtojnë urat, lekun që ju japim ne si qeveri,

e harxhojnë më shumë me vajzat e atyre Pasarelave, sesa e hedhin për të ndërtuar Pasarelat-Ura. Kuptove, derman...?

Flet shoqja Ledi Shamku: Ja përse shoku Edi Rama nuk më vuri deputete.

Shoqja Ledi, vazhdon nesër...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: