“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Anastas Angjeli: Piratët e Somalisë më morën peng, me gjithë banane

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Anastas Angjeli: Piratët e Somalisë më morën peng, me gjithë banane
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" ka mësuar se vizita e shokëve Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe Anastas Angjeli në SHBA, ka qenë frytdhënëse. Kështu është shprehur edhe një gazetare shumë e njohur, e një kanali të njohur në vendin tonë. Ndërkohë ne si rubrikë, morëm vesh se gjatë bisedimeve, shoku Caci, apo siç i thonë shkurt, Anastasi, u ka kërkuar amerikanëve, që bananet që ai sjell nga Afrika për të mirë të popullit, t'i sjellë më mirë nga Amerika Latine.

“Rruga nga Afrika ka rreziqe”, u kishte thënë Caci amerikanëve. Sipas asaj që mundëm të kapnim me antenën tonë, Caci kishte deklaruar se dy herë, piratët somalezë desh i kishin rrëmbyer anijen ku kishte banane.

Madje siç zbuluam vetë,  njëherë piratët e kishin kapur vetë Cacin në kuvertë të anijes.

Sapo morëm këtë të dhënë, ne telefonuam deputetin e mirënjohur për bananet e tij, shokun Anastas Angjeli. Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Alo, përshëndetje shoku Anastas! Morëm vesh se keni kërkuar që...

Anastas Angjeli: Po, po, e vërtetë është. Kërkova nëpërmjet kanaleve diplomatike, që bananet që importoj, të kalojnë nga Kanali i Panamasë.

Antena: Si u vendos? A e pranoi pala amerikane, propozimin tuaj?

Anastas Angjeli: Unë e bëra timen. Tani u takon këtyre, si miq që i kemi, të pranojnë. U thashë që bananet janë për popullin shqiptar, i cili është miku më i madh i popullit amerikan, pasi ka qenë i popullit kinez. Për bananet e popullit tim, desh lashë kokën njëherë. Më kapën rob e më mbajtën peng, piratët e Somalisë...

Pjesën tjetër të intervistës do të mund ta lexoni nesër, pasi shoku Caci u largua nga bashkëllafosja, për shkak të një pune, në dobi të vendit.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: