Flet shoku Erion Veliaj: Qeni që më lëpiu, do të taksohet si "qen luksi"

Flet shoku Erion Veliaj: Qeni që më lëpiu, do të taksohet si "qen luksi"
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" hapet me një lajm të gëzueshëm për të gjithë dashamirësit e Juventusit, pavarësisht se në çfarë pike bastesh janë duke luajtur. Kryeministri i vendit, megjithëse i ka ndërruar xhupat përditë, nuk ka tradhtuar këtë ekip, stemën e të cilës e mbajnë, me sa kemi numëruar, 10 të tillë.

E meqë ra llafi te xhupi. Kush pa pamjet e shokut Erion Veliaj, të shpërndara në media prej tij, ka vërejtur se ai kishte veshur një xhup pa mëngë, teksa shkonte në zonat e përmbytura.

Kjo nuk do të thotë që shoku Erion nuk ka punuar, pra e thënë popullorçe, nuk ka përveshur mëngët. Vërtet Ai nuk ka patur mundësi që të përveshte mëngët e xhupit, por nuk ka ndenjur duarkryq, ama. Ka përveshur ato të bluzës kineze, që kishte veshur...

E meqë ra llafi te Kina. Pas vendit të parë të peshëngritëses sonë, Romela Begaj, në Kampionatin Botëror, u ngrit si shumë herë të tjera, flamuri ynë, i cili dukej që ishte prodhuar nga vëllezërit tanë kinezë. Ata nuk na e kanë harruar asnjëherë ndihmën e madhe dhe të pakursyer që iu dhamë ne, në ndërtimin e socializmit shkencor. Miliona kinezë, ende mbajnë flamurin tonë në shtëpitë e tyre, për nostalgji të së kaluarës.

Kushedi sa femra kineze kanë fjetur me aktorin tonë, Rikard Ljarja, p.sh. D.m.th., me foton e tij.

Një flamur të tillë nga ato që mbajnë në shtëpi, i është dhuruar delegacionit të Federatës së Peshëngritjes, gjatë vizitës që të njëjtët kinezë, apo siç kemi thënë i thonë në gjuhën gazetareske, homologët, vizitë që ata kryen përpara disa muajsh në vendin tonë.

Ishte po ky flamur i vogël që u valëvit në Amerikë. Fakti që flamuri është dhuratë nga një kinez, që në përgjithësi janë të vegjël në trup, e shpjegon më së miri arsyen se përse flamuri ynë që u ngrit në Amerikë, ishte i vogël.

Ndaj "Media e Kazanit" bën mirë të pushojë dhe mos të lehë si qen se, me demek, ne nuk e kemi pasur flamur dinjitoz në podium.

E meqë ra llafi te qeni. Shoku Erion Veliaj, gjatë përmbytjeve, takoi edhe një qen, të cilin e mori në krahë dhe ai po e lëpinte. E kemi llafin që, po e lëpinte qeni, Erionin dhe jo Ai qenin.

Për të mësuar më shumë për këtë ngjarje, telefonuam të parin e bashkisë. Me të bëmë këtë bashkëllafosje.

Antena: Përshëndetje, shoku Erion! Deshëm të dinim diçka rreth historisë së fotos së qenit, me ju. A mund të na thoni ju lutem, ku e gjetët atë qen dhe...?

Shoku Erion: Përshëndetje redaksisë tuaj dhe lexuesve! Sapo jam kthyer nga vëzhgimi në terren. Të më falni që nuk e hapa shpejt telefonin, por nuk e dëgjova zilen, pasi po thaja flokët me tharëse. I ka puna këto...!

Antena: Përse nuk morët një çadër me vete?

Erion Veliaj: Ku ju kihet besë çadrave! Të mbeten telat e saj në dorë. Lidhur me ç'më pyetët,

teksa po vëzhgoja një zonë të përmbytur, në një shtëpi mbushur me baltë, jashtë saj pashë qenin. Sa më pa, tundi bishtin. Më njohu që nga larg që jam njeri i mirë, ndaj. Unë iu afrova. Ndërkohë, nga shtëpia dolën disa vetë. Ishin të plevitosur.

Antena: Sigurisht që, kështu do të ishin. Të të futet uji në shtëpi. Një rubinet të na rrjedhë, e na ikën mendja. Jo më të përmbytet gjithë shtëpia.

Erion Veliaj: Edhe mami kështu më ka thënë. Nuk ka si përmbytja. Njëherë, desh iu lagë dysheku ku kishte futur lekët. Lëre, se shpëtova mirë! Do bëja dasmë qeni, po të mos kisha lekët e mamit.

Antena: Meqë ra llafi te qeni...

Erion Veliaj: A po! Vetëm në e gjetsha atë qen, pa ia tregoj unë. Më lëpiu, zagari i poshtër! S'e kisha mendjen fare kur nxori gjuhën. Ia tregoj unë atij!

Antena: Ç'do bëni, shoku Erion?

Erion Veliaj: Qenin do e çoj në ish-Kombinatin e Mishit.

Antena: Moooos! Do e bëni sallam?!

Erion Veliaj: Jo, jo, por aty kemi qendrën tonë, ku mbledhim dhe sterilizojmë qentë. Qytetarët e dinë. Ndërsa të zotit të qenit do i vendos një taksë që t'i duket përmbytja, lule...

Antena: Do e taksoni? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua? Përse...?

Erion Veliaj: E mban mend besoj, që kam thënë se do taksohen gjithë ata që mbajnë qen luksi? Besoj se të kujtohet?

Antena: Po, më kujtohet. E ç'lidhje ka kjo?!

Erion Veliaj: A, ti mbete aguridhe! Të zotit të qenit që më lëpiu, i ishte përmbytur shtëpia. E megjithëse ishte në këto kushte, mbante qen. Pra, qeni kthehet në qen luksi në këtë situatë.

Ndaj do ta taksoj. Po t'ia mbajë, le të dalë ndonjë qen tjetër e të më lëpijë prapë, se ia tregoj unë. Në Urë Vajgurore do ta dërgoj, bashkë me qentë e tjerë që kam çuar. Unë vërtet e kisha në skenar që do merrja në krahë një qen, por jo të më lëpinte, ama.

Antena: Falja, shoku Erion! Qen i vogël ishte...

Erion Veliaj: I vogël, i vogël, por lëpirjen e bëri të madhe ama. Në lajme më shumë doli ai qen bir qeni që më lëpiu mua. Në vend të dilja unë, që iu lëpihesha të përmbyturve...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: