“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Lulzim Basha: Modelet dhe këngëtoret kërkojnë të bëjnë foto me mua

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Lulzim Basha: Modelet dhe këngëtoret kërkojnë të bëjnë foto me mua
Satirë

Dje shkova dhe takova udhëheqësin e Partisë Demokratike, shokun Lulzim Basha. Doja ta pyesja për përgatitjet e protestave të janarit.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Lulzim! Desha t'ju pyes për...

Shoku Lulzim: Shshshshsh, ule zërin! Mbylle derën dhe eja brenda!

Antena: Çfarë ka ndodhur?! Mendon se ju përgjojnë? Nëse po, kush?

Shoku Lulzim: Ulu dhe mos fol fort! Ndryshe, po e morën vesh që jam këtu, do vijnë. Ti pe gjë poshtë te korridori i selisë?

Antena: Pashë ca alamet vajzash, në fakt. Nga këto modelet dhe këngëtoret. Njëra, më e operuar se tjetra. Ju tha roja që, shoku Luli nuk është në zyrë.

- Mirë, do ta presim, - i thanë ato. Ato po prisnin dhe mua "m'u prenë këmbët". Ishin aq të bukura e sigurisht që s'do më mbanin këmbët! Po përse duan që t'ju takojnë, shoku Lulzim?

Lulzim Basha: E, ç'më gjeti! Apo janë edhe pak ato!

Antena: Do t'ju marrin në ndonjë paradë mode, edhe juve? Apo, meqë ju shikojë si një njeri plot energji dhe se ndonjëherë mund të bëheni me pushtet?

Shoku Lulzim: Edhe për këtë që the ti, sigurisht. Arsyeja kryesore që duan të më takojnë, është se duan të bëjnë foto me mua, një nga një, secila prej tyre.

Antena: Foto me ju! Po përse?

Shoku Lulzim: anë marrë vesh që u martua me një miliarder ajo Angjela Martini. Mirëpo, përpara se të martohej ajo me atë të kamurin, doli një foto që Angjela kishte bërë me mua. Besoj se e more vesh lidhjen, apo...?

Antena: Të kuptoja kaq lehtë unë... Aguridhe hesapi! Pak më i qartë, ju lutem!

Shoku Lulzim: Këto vajzat duan të bëjnë foto me mua. Meqë Angjela bëri foto dhe u martua me miliarder, këto mendojnë se unë isha fatsjellës për të. Kështu që, duke dalë në foto me mua, do mund të martohen edhe ato me miliarderë. Kupton? Mua po më zien koka me përgatitjet e protestave më të mëdha, që janë parë ndonjëherë, ato duan burra...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: