“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Jozefina Topalli: Taulant Balla ma hodhi me tortën për ditëlindje...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Jozefina Topalli: Taulant Balla ma hodhi me tortën për ditëlindje...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes", bashkë me urimin për shijimin e kafesë së sabahut, sjell edhe këto:

Kryeministri i vendit tonë, shoku Edi Rama teksa ishte për vizitë në Urën e Mifolit, urë që i ka rezistuar çdo pushtimi, madje edhe vitit 1997, dha lajmin se, zona përreth pritet të përmbytet jo më nga shiu i brendshëm, por edhe nga shiu i jashtëm, i rënë në Greqi.

I pari i qeverisë kishte veshur një xhup, ku në anën e zemrës që rreh për popullin, këtë herë, ishte stema e klubit të futbollit të Bajernit. Ne kemi mësuar nëpërmjet mënyrave tona të hetimit se, Kryeministri atë xhup e ka veshur gabimisht, nga stresi që ka përjetuar, për shkak të situatës së papritur të përmbytjeve. Ishte thjesht dita e parë e tyre. Fakti që të nesërmen e më pas, shoku Edi ka veshur xhup me stemën e Juventusit, tregon se është mësuar me gjendjen e krijuar, e nuk mund të gabojë në veshje.

Ne po hetojmë për të gjetur personin i cili ka futur në dollapin kryeministror, një xhup me stemën e Bajernit nga Mynyhu. Hallet që po kalon vendi në veçanti dhe qeveria në përgjithësi, bënë që Kryeministri mos ta vinte re se ç'veshi atë ditë.

Nuk është e lehtë për një Kryeministër, kur shikon se ç'po i ndodh vendit. Duket qartë se dikush e ka tradhtuar që, Ai mos të mbajë dot premtimin e bërë kur ishte në opozitë, teksa thoshte se në vend, nuk do përsëriteshin më motet me përmbytje të Sali rrumpallës, pavarësisht se si do të ishte moti...

Ne urojmë që ky xhup, të jetë fatsjellës për gjithë të përmbyturit kudo ku janë, pavarësisht emrit të lumit, që ju ka përmbytur pronat e vëna me djersë!

Qoftë ky xhup me fat edhe për klubin e basketbollit të Bajernit, që sa herë ndeshet në Euroligë, e kemi parë në televizion, shqepet duke humbur çdo herë. Një gjë e tillë nuk i ka hije një klubi me emër, aq më tepër tani, kur xhupin ia ka veshur, qoftë edhe gabimisht, një ish-basketbollist, si drejtuesi i qeverisë sonë.

E meqë ra llafi te televizioni, besoj se edhe ju e patë vizitën e ministrit të Shëndetësisë, bashkë me atë të Energjetikës, në dhomën e spitalit, për të parë një punonjës të shërbimit elektrik. Ai i gjori kishte rrezikuar jetën, për të mirë të njerëzve, apo siç i thonë në gazetari, të komunitetit. Bashkë me këta vizitorë, ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm që merret me energjinë (OSHEE).

Ne si redaksi, u ndjemë mirë që ai kishte kursyer spitalin, pasi nuk kishte veshur as xhaketë plasmasi, e as kishte vënë qese në këmbë.

Mosveshja e tyre nga ana e tij, nuk tregon aspak që, qeset e plasmasit janë të limituara në QSUT...

Shoqes Jozefina Topalli, siç edhe u transmetua edhe nga "Media e Kazanit", i dërguan si dhuratë për ditëlindjen para disa ditësh, edhe një tortë të bardhë, mbi të cilën shkruhej me shkronja blu, urimi për 100 vite të tjera kontribut për atdheun. Ne telefonuam shoqen Jozefina dhe bëmë këtë bashkëllafosje.

Antena: Përshëndetje, shoqja Jozefina! Së pari, urime për ditëlindjen e 35-të! Na bëri përshtypje ajo tortë, e ndaj duam t'ju pyesim: Përse fusha e tortës ishte e bardhë e jo blu, siç e ka ngjyrën flamuri i Partisë Demokratike?!

Jozefina Topalli: Së pari, shumë faleminderit për urimet! Tani që jam pa emocione, po e mendoj. Vërtet, mirë thoni ju. Partia jonë e ka ngjyrën blu. Ç'ne që torta ishte e bardhë dhe e shkruajtur me blu?! Moooos! Ma ka hedhur! Nuk më la rehat edhe tani...

Antena: Çfarë ka ndodhur?! Na i thoni edhe neve, ju lutemi!

Jozefina Topalli: Do i ketë mashtruar Taulanti, ata të rinjtë...

Antena: Cili Taulant? Si i ka mashtruar...?

Jozefina Topalli: Taulant Balla pra, ai zari i Ramës, do ju ketë thënë të rinjve që më sollën tortën, e ata nga sinqeriteti e kanë besuar. Ju ka thënë të ma sillnin tortën e bardhë. Lanti më ka ngacmuar përherë në Parlament, duke më thënë se, PD-ja duhet të ketë ngjyrën e bardhë, në respekt të "pardesyve të bardha" që e formuan, me porosi të Ramiz Alisë. Edhe mua më morën mendjen lajmet në gazeta, ku thuhej që më kishin dhuruar një tortë, me ngjyrën e partisë.

Antena: Si është e mundur që të gaboni, ju që keni vite në...?

Jozefina Topalli: Eh, stresi të heq kujtesën fare! Kisha harruar fare që, ngjyra e flamurit të demokratëve është blu, ku shkruhet me të bardhë "PD" dhe nuk është ngjyra e bardha, ku shkruhet "PD" me shkronja blu. A, mor Lanti...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: