“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Nexhmije: Desh vdiqa kur dëgjova lajmin e diamantit, për mamin e një ministri

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Nexhmije: Desh vdiqa kur dëgjova lajmin e diamantit, për mamin e një ministri
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot, me bashkëllafosjen e bërë me shoqen Nexhmije, të venë e shokut Enver.

Sapo mora vesh lajmin se shoqja Nexhmije iku nga kjo jetë, u nisa drejt shtëpisë së saj.

Për të shkuar te ish-Pularia ku jeton ajo, e cila na bënte që të rrinim si pulat, rastësisht kalova andej nga qendra, ku ka qenë edhe shtatorja e Enverit, përpara se ta hidhnin. Vendin ku në kohën përpara Pavarësisë kanë qenë stallat e  ushtrisë osmane dhe që tani është Dhoma e Biznesit, e kishin rrethuar e brenda saj, disa punëtorë po punonin në të ftohtë.

Si është kjo jetë! Shumë punojnë si kali, e disa rrinë majë kalit, mendova.

"Mesa duket, do bëhet ndonjë pallat. Sigurisht, ndonjë ish-i partisë sime do e bëjë. Edhe kur ishte gjallë Enveri, gjithmonë pas shpinës së tij i kanë bërë gjërat për veten, ata", - më tha shoqja Nexhmije, kur i thashë që pas shpinës së ish- shtatores së Enverit, po ndërtonin.

Gjithsesi, kthehemi në kohën që nuk e kisha takuar akoma, shoqen në fjalë.

Rrugës u vonova, pasi po bridhja nëpër dyqane që të gjeja një pako kafe.

Në një dyqan, mora vesh që lajmi nuk ishte i vërtetë. Epo meqë u nisa, po shkoj, - thashë - e me këtë rast, edhe bashkëllafos dhe bëj punën.

E që mos ta zgjas, trokita në derën që ma hapi vetë shoqja Nexhi.

Ja bashkëllafosja.

Antena: Prsh, shoqja Nexhmije! Mendova se ikët nga kjo dynja...

Nexhmija: Prsh edhe juve! Ashtu mendova edhe unë, kur e dëgjova lajmin për ikjen time. Në fillim u trondita, por pastaj e mora veten. Bëra një filxhan lëngë gështenje dhe tani jam më mirë, për ideal të partisë.

Antena: Se më kujtuat. Solla një pako kafe ta keni për vete, e për njerëzit që ju vijnë...

Nexhmija: Në asnjë mënirë! Kam 27 vjetë që s'pi kafe. Kam frikë mos m'i numërojnë filxhanët, e më fusin prapë në qip.

Antena: Në rregull, ju e vendosni! Kush e përhapi lajmin për vdekjen tuaj, shoqja Nexhmije?

Nexhmija: Nuk e di! Kisha vënë trastën te dyqani i lagjes dhe erdha në shtëpi, të shikoja gjellën që kisha vënë në kamineto.

Antena: Ç'është kaminetoja?

Nexhmija: Është furnelë me vajguri. Aty më ka thënë partia që të gatuaj. Sa hyj në banjë, kur ç'të dëgjoj nga televizori që kam në kuzhinë. Iku nga kjo dynja Nexhmija, thoshte. Desh më ra garuzhda në vrimën e banjës. Në fakt edhe unë s'kam qënë mirë me tensionin, këto ditë.

Antena: S'keni qenë mirë? Përse? Apo pleqëria...?

Nexhmija: Para disa ditësh, më shkoi tensioni 24, sapo mora vesh që mamasë së një ish-ministri, i kishin falur flori 24 karatësh, e madje edhe diamant.

Antena: Eh, kështu e ka jeta shoqja Nexhmije...! Sa e bukur kjo fotografia këtu në të majtë tuaj! Jemi që jemi, a nuk zhvillojmë një intervistë, siç e bëtë para disa kohësh me kolegun tim, Albert Zholi, duke treguar fotot tuaja?

Nexhmija: Posi. Ja në këtë foton me përmasa 44x44 cm p.sh., shoku Enver ka qenë mbi mushkë dhe po shkon në...

Antena:  Më falni, shoqja Nexhmije! Por në foto s'ka asnjë mushkë. Duhet të qetësoheni, se paskeni probleme akoma me shikimin. E çuditshme! Shoku Enver këtu qëndroka në ajër. Ka ndenjtur, tamam si heronjtë, në legjenda.

Le që, kot nuk ishte udhëheqës legjendar.

Nexhmija: Thashë "ka qenë mbi mushkë". Mushka ja kishte me hile shokut Enver dhe partisë, ndaj e kam hequr nga fotografia, siç hiqnim ata që na dilnin që kishin qenë armiq...

Antena: Paska qënë mushkë reaksionare, d.m.th. Ku qëndronte armiqësia e saj?

Nexhmija: Ajo mushkë ma sëmuri burrin. Rrinte shpesh majë mushkës Enveri im. Nga kjo gjë i filloi t'i dhimbte edhe kërbishtja.

Antena: Kot për kuriozitet, t'ju pyes. Po me mushkën e vërtetë, ç'ndodhi?

Nexhmija: Mushka ngordhi. Mezi e mbante në shpinë Komandantin. Ishte shëndoshur shumë ca kohë gjatë luftës, Enveri im.

Antena: Përse ishte shëndoshur? E kishin pickuar bletët në male?

Nexhmija: Ma shëndoshën inglezët. I jepnin të hante konservat me mish që ju hidhnin atyre me avionë. Që atëherë i filloi diabeti. Ishim pa përvojë.

Nuk e dinim që ushqimet e konservuara, të fryjnë.  Vonë, kur e mori vesh Enveri, vendosi që të hiqej fare mishi nga tregu...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: