FSHF-ja i “zgjat” pushimet futbollit elitar, Nica rikthehet te Teuta

FSHF-ja i “zgjat” pushimet futbollit elitar, Nica rikthehet te Teuta
Komiteti Ekzekutiv në FSHF, vendosi që ndeshjet e para të 2018-ës, në Kategorinë Superiore të luhen më 27 janar, kohë kjo e mjaftueshme që skuadrat me pretendime të realizojnë ndryshimet e nevojshme 

Aranit Muraçi  

Skënderbeu në javën e parë të vitit tjetër, do të mësojë rivalin direkt që do të ketë në garë për titullin kampion. Ndryshe nga një sezon më parë, Partizani dhe Kukësi, pavarësisht përpjekjeve për të ndryshuar situatën, vështirë se do të konkurrojnë të besuarit e Ilir Dajës, në garë për titull. Partizanin e gjen java e parë në Vlorë, në përballjen direkte me Flamurtarin, që mban vendin e dytë. Kukësi do të jetë mysafir në Shkodër, ku përballë Vllaznisë që rrezikon rënien, do ta ketë gjithashtu të vështirë fitoren për t’iu afruar Skënderbeut kryesues. Megjithatë, në Gjirokastër, korçarët e kanë të vështirë fitoren, çka në një rast të tillë, sido që të jetë fati i Partizanit në Vlorë apo i Kukësit në Shkodër, do të rihapë garën për titull. Në të kundërt, pjesa e dytë e garës do të luhet për vend të dytë, si dhe për dy ekipe që do të diskutojnë rënien në një kategori më poshtë. Muaji janar do të gjejë ekipet kryesore si Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Flamurtari e Teuta në Antalia, ndërsa Vllaznia do të përgatitet në Malin e Zi.

Europa 

Pas largimit të trajnerit, Mladen Milinkoviç, nga stoli i Kukësit, shumë emra trajnerësh janë lakuar për takime të presidentit Safet Gjici. Klubi i Kukësit përgënjeshtroi dje, se ka emra konkretë trajnerësh, duke saktësuar se presidenti i kampionëve në fuqi nuk është takuar me emra të përveçëm. Ishin përfolur disa emra trajnerësh si, Kozniku, Cungu apo Ramadani, për të pasuar Milinkoviç në stol. Gjithsesi, Kukësi në ditët e para të muajit janar, nis përgatitoren e dimrit në Antalia, ku deri atëherë do të ketë gjetur pasuesin e Milinkoviç. Flamurtari dhe Partizani, dy ekipe të tjera me synime për Europën janë futur këto ditë në merkato intensive.

Pauza

Pushimet e dimrit do të jenë më të gjata se ç’ishin planifikuar nga klubet e Kategorisë Superiore, duke u dhënë disave prej tyre, mundësi të përgatiten më mirë për pjesën e dytë të garës. Ishin kërkesat e Partizanit, por edhe Kukësit, si më të interesuara për t’u ringritur pas pjesës së parë jo fort bindëse, që duket se ndikuan në këtë vendim. Komiteti Ekzekutiv vendosi që  java e 17-të e Kategorisë Superiore, të luhet më 27 janar 2018 dhe jo më 20 janar, siç ishte parashikuar më parë. Kësisoj, klubet e Superiores do të kenë më tepër se një muaj pushim, për përgatitjet e pjesës mbetur të këtij sezoni.

Mbijetesa 

Jo vetëm diferenca e pikëve, por edhe situata financiare dhe kalendari i ndeshjeve të para të vitit, jep pak shpresë mbijetese. Lushnja udhëton në Durrës, në javën e parë të janarit, në një përballje direkte për mbijetesë. Gjithsesi, Lushnja edhe në rast fitoreje, deri në fund, do të ketë një objektiv që shihet mision më tepër i pamundur, mbijetesa. Do të jetë pikërisht janari, vendimtar për fatet e skuadrës tjetër, që do të luftojë për mbijetesën. Pas mbylljes së parë të garës, janë dy emra të njohur të futbollit shqiptar, Vllaznia e Teuta, që rrezikojnë. Të dy klubet pritet t’i nënshtrohen ndryshimeve të janarit, për të ndryshuar fatin e tyre në pjesën e dytë të garës. Teuta pas largimit të trajnerit Gugash Magani, ka ulur në stol Stavri Nicën. Bashkia Shkodër, që ka nën administrim Vllazninë, nga ana tjetër, pas mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak miratoi buxhetin prej 550 mln lekë të vjetra për ekipin si dhe hapi rrugë privatizimit në muajin prill.

 

Kategoria Superiore

Java e 17-të/27 janar

Kamza-Laçi

Teuta-Lushnja

Vllaznia-Kukësi

Flamurtari-Partizani

Luftëtari-Skënderbeu

Klasifikimi

Skënderbeu       37

Flamurtari         28

Laçi                      27

Kukësi                 25

Partizani            24

Kamza                 23

Luftëtari             19

Teuta                  15

Vllaznia              15

Lushnja                8

Shpërndajeni me miqtë tuaj: