Fundvit festivalor!

Fundvit festivalor!
 

Nga Juela Meçani

Ishte viti 1993 dhe e kuptoni lumturinë time të madhe kur regjisori i mirënjohur i televizionit shqiptar, Leonard Gjata, më bëri me dije se do të isha vajza më me fat e vitit. Isha përzgjedhur për të prezantuar Festivalin e Këngës në RTSH, i 32-ti event kulminant i artit shqiptar, që mbyllte një vit të një demokracie shqiptare të sapolindur. Pallati i Kongreseve ishte ëndrra ime e madhe dhe befas isha afër realizimit të saj. Skenaristi Mishel Koçiu, një djalosh me shije dhe modern në koncept, priste nga unë dinamizëm, edhe duke njohur faktin se kisha nisur emisionet e mia live dhe nuk i druhesha të qenit direkt. Ajo që kujtoj me shumë emocion ishte edhe perdja elektronike me mijëra drita, si yje, një risi absolute në skenografi, e që ishte porositur jashtë kufijve. Por vulën e lumturisë time e pata kur bashkë me mua, do të kisha kolegë prezantues në skenë, aktorin e madh Ndriçim Xhepa dhe prezantuesen historike, Silvana Braçe. Trupa e baletit? Me balerinë të jashtëzakonshëm që kishin shpërthyer në ato vite, dalë nga spektaklet e bujshme televizivë. U nisëm drejt Maqedonisë për veshjet, sepse në ato vite nuk bëhej fjalë për stilistë apo veshje marke nëpër butiqe, e kështu, u drejtuam drejt atyre matanë kufirit, edhe kjo një risi për kohën. Korridoret e Pallatit të Kongreseve gëlonin nga artistët, ne ishim aq pa komplekse, uleshim në moketin e sallave e bisedonim, qeshnim, ose dhe shfrynim nervat e stresit të provave. Të gjithë bashkë, asnjë nga ne nuk vuante nga divizmi që sot shikohet rëndom, i famshmi “Grupi X” me Aleksandër Gjokën në krye këndonin “Ecën në shi”; ndërkohë që Aurela Gaçe ishte një talent i ri që sillte “Pegaso”; Redon Makashi printe Grupin “Arb” dhe e madhja Ema Qazimi i këndonte live shpirtit të thellë shqiptar. Nga jashtë kufijve, Mihrije Braha, Sabri Fejzullahu, i ndjeri Agron Berisha bashkë me bashkëshorten që e shoqëronte kudo, me të famshmen “Miss Albania”, Alma Bektashi sillnin frymën perëndimore në orkestrime më të përparuara, por ishte dhe një nga daljet e fundit në skenën shqiptare për të ndjerën Anita Bitri. Rovena Dilo tërë hijeshi e sensualitet ia linte vendin Nertila Kokës, që i këndonte dashurisë së vrarë, ndërsa Redina Tili, sot e harruar, sillte stil e modë, e veshur si djalë me kostum e papijon, teksa ironizonte vajzat që ndërronin fustanet për të mikluar djemtë. Në të gjitha netët e festivalit, nuk mbaj mend një herë të vetme, të flitej për fitues të paracaktuar, edhe pse isha brenda ambienteve ku mund të mësoja shumë. Të gjithë ishin aq në nivel të lartë, saqë ishte shumë e vështirë edhe të imagjinoje një fitues. Në ato vite nuk luaje dot me shijen e publikut, atë nuk e shtrembëroje dot kurrsesi, sepse të plasnin fishkëllimat menjëherë në sallë, live, ashtu si edhe këngët. Nuk kujtoj as ndonjë servilizëm ndaj politikës ose politikanëve, shprehur kjo me lajka ose tekste në prezantim, vetëm e vetëm për t’i hyrë në qejf pushtetit, edhe pse ishim një festival “i varfër” në buxhet, aq sa kujtoj se kam marrë vetëm dy honorare prej tij, sa dy paga të asaj kohe, vetëm 28 mijë lekë të reja. Por ishin vite, kur unë nuk arrija dot t’i përballoja turmat e spektatorëve të cilët më prisnin jashtë të më takonin, shije që sot është harruar e ruhet vetëm për disa këngëtarë. Nuk e di pse zgjodha që këtë fundvit të ndalesha në memorien time mbi festivalin e këngës, sepse përsëri, si një refren, bashkë me këngët, erdhën edhe debatet, që bënë të harrohen talentet që u zbuluan, këngët të cilat do të bëhen ndoshta hite, ose u harruan edhe bukuroshet që hyjnë e dalin nga skenat si yje kometë, pa lënë asnjë gjurmë.

“O dashuri/sekreti i moshës që na rinon/ti papritur vjen dhe krejt papritur si era shkon/Oh, eja, eja dashuri, eja, eja përsëri/merrma dhimbjen time dhe më ndiz një zjarr të ri”. Këto vargje të Jorgo Papingjit, muzikuar nga Vladimir Kotani këndonte fituesja Manjola Nallbani në festivalin postkomunist. Ishte lumë me duartrokitje, sepse ishte guxim i madh që bashkë me lirinë në besim e politikë, ajo i këndonte lirisë në dashuri, në një vend ku ende nuset djemve ua gjenin prindërit dhe virgjëria ishte tabu’. Pas shpatullave të saj, veshur me kadifen mbretërore që sot është rikthyer në modë, luante në kitarë Françesk Radi, dora vetë, bashkë me virtuozin Edison Miso dhe orkestra ishte rigorozisht live. Në festivalet e atyre viteve kishte sfidë të hapur ndaj kohës, dukurive, varfërisë, vesit. Kënga dhe këngëtari edukonte, mësonte, nxiste, provokonte, një masë të etur për ndryshime të mëdha. E po ta mendosh thellë, e kur më shumë se sot, duhen motivime të tilla. A nuk mjafton vetëm kjo që diskutimet pa bereqet të shuhen? Këngët e hedhura në publik përmes rrjeteve sociale dhe portaleve, pasi përtypen e ripërtypen, ashtu si bëjnë lopët, sa shanse ka të lënë gjurmë që të ngrejnë peshë një publik të lodhur, të konsumuar, të velur me muzikë gjatë gjithë vitit? Kujt i shërben që festivalet të kthehen në qoka mes grupimeve fikse, të cilat, me timer, zgjasin me pesëvjeçarë? Pesëvjeçari i Flor Mumajezit, ai tjetri i Elgit Dodës, ai i Klejdi Bahitit, si dikur kohët e arta të Shpëtim Saraçit nga rridhnin mbi dhjetë suksese për festival. Ishin kohët e teksteve të Rozi Radit, por tani e ka radhën Olti Curri. Por vargjeve të ndjera të këtyre ekspertëve të showbizz-it dhe artit, pse u hiqet vëmendje dhe bjerren të humbasin, sepse zbehen nga një tallava polemikash, vit pas viti? Fundviti festivalor shqiptar, që dikur shihej si një mbyllje dinjitoze e një kohe mjalti krijuese, sot është kthyer në një spektakël humori me të cilin mediat bëjnë “gallatë” e fitojnë klikime pa pagesë, por ndërkohë, arti, artistët e ata që derdhin djersë pas kuintave, humbasin gjithmonë e më shumë shansin të jenë pjesë e arkivës së artë të muzikës shqiptare. E nëse nuk hyn në arkiva, përse të mundohesh kot?

Shpërndajeni me miqtë tuaj: