Gerard Merdani: Mbiemri i famshëm, një mal i madh përpara

Gerard Merdani: Mbiemri i famshëm, një mal i madh përpara
Gerard Merdani është një i ri i shkolluar në Milano, që sot është inxhinier makinash. Por si biri i të madhit Sherif Merdani, nuk i shpëtoi dot pasionit për muzikën dhe këngën. Pavarësisht moshës së re, Gerard Merdani, mes një këngë dhe tjetrës, është një djalë me këmbë në tokë, që e fitoi jetën vetë, që pëlqen udhëtimet, por jo klubet e natës. Vjen në këtë intervistë ekskluzive, pas suksesit më të ri në festivalin “Kënga magjike”, ku na rrëfen se si erdhi deri në këtë skenë, i dyzuar mes dy pasioneve, kompozimit dhe motorëve të makinave.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Të jesh djali i një këngëtari të njohur, shpesh nuk është e lehtë, nuk mund t’i shpëtosh krahasimeve. Je këngëtar i ri, por a e ndjen peshën e të qenit djali i Sherif Merdanit?

Gjithmonë e kam menduar si thikë me dy tehe. Nga një anë, më shumë dyer të hapura, më shumë njohje, sepse je rritur në mjedis artistik; nga ana tjetër, është gjithmonë krahasimi, sepse presin shumë nga ti. Kam këtë mbiemër të famshëm dhe do të jetë gjithmonë një mal i madh përpara, përgjegjësi e madhe. Kur del në skenë, duhet të matesh mirë, por duhet të mbetesh edhe vetvetja, - një 23-vjeçar me pasion këngën.

Si ka nisur pasioni për muzikën?

Pasioni im për muzikën ka nisur qysh në vogëli. Ishim në Rumani ku im atë ishte diplomat. Për 5-vjetorin, im atë më kishte premtuar se do të më blinte një nga ato makinat për fëmijë e të vija vërdallë nëpër shtëpi. Si shumë fëmijë isha i pasionuar pas filmave vizatimorë. Ishte një episod kur Tommy fillonte këndonte me organo dhe unë, 5-vjeçar e imitoja. Babi më dëgjoi një ditë dhe heshti, duke menduar se unë isha i intonuar. Me mendjen e tij vendosi të më dhurojë një organo e jo makinën që prisja. Vjen dita e ditëlindjes. Unë i sigurt që do të merrja për dhuratë makinën, por në fakt mora pianon elektrike. Mbaj mend që aty ku kishte shkuar ta blinte, pronari ishte habitur se ishte dhuratë për një djal kaq të vogël. Fillova mësimet me tim atë, që ishte virtuoz në fizarmonikë, që është vegël tepër e vështirë. Me këto mësime, vazhdova deri në moshën 7 vjeç e gjysmë, kur ne u kthyem në Shqipëri dhe unë fillova mësimet me një profesor, privatisht.

Në shkollën 8-vjeçare, ke studiuar për muzikë?

Kam mësuar në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” që ishte me klasa gjysmë muzikore. Kam bërë solfezh dhe piano, deri në klasë të nëntë e më pas në gjimnaz me profesor Robert Radoja. Më pas, nga angazhimet e shkollës së lartë, e braktisa pianon.

Ti, çuditërisht, ke studiuar për inxhinieri në Milano. Si erdhi ky ndryshim drejtimi?

Babai nuk ka qenë dakord asnjëherë të bëhesha muzikant profesionist. Mendonte se jetojmë në Shqipëri dhe nuk do mund ta përballoja jetesën me muzikë. Kur mësoja te “Dëshmorët e Lirisë”, erdhën disa kërkesa që unë të kaloja në Liceun Artistik dhe ai i ishte i prerë. Jo! Ai donte të kisha një profesion dhe muzika të ishte një pasion ekstra.

Por unë mësova se ti kishe edhe prirje për lëndët ekzakte...

Kam marrë nga të dy, me sa duket. Nga mami kam marrë edhe prirjet për matematikën. Ha ha ha...

Në tërë këto dilema, çfarë thoshte nëna jote?

Mamaja ka qenë dhe është nga mbështetëset e mia më të zjarrta në muzikë. Më ka përkrahur qysh në fillimet e mia, 13-14 vjeç, kur shkoja në studio regjistrimi, ato të lagjeve, dhe regjistroja këngë të kompozuara nga unë e që mamaja m’i sponsorizonte, me shuma modeste.

Pra, ti kompozoje vetë që adoleshent?

Jam shumë autokritik, në pjesën e muzikës. Por ajo që më pëlqen më tepër tek vetja, është pikërisht pjesa e kompozimit. Kënga që interpretoj tek “Kënga magjike”, është e para që unë nuk kam kompozuar vetë. Ato të mëparshmet kanë qenë kompozime të miat.

Pra, je drejt rrugës së qeni kantautor?

Jam i vetëdijshëm që nuk më mungon talenti në të kënduar, por pres më shumë nga këngët dhe vetja nëse i kam kompozime të miat. Më pëlqen “paketa” që formon Geri; kompozimi, tekstet, melodia, marrëdhënia me skenën, ndikimi në publik.

E gjen veten me këtë “paketë” në mjedisin shqiptar?

Në rastin e këngës së fundit te “Kënga Magjike”, po; sepse i është përshtatur shijeve të publikut. Jemi munduar t’i afrohemi këtij tregu muzikor. Nuk do të jem kurrë fansi i këngëve në shumicë sot në treg, me tekste me dialektalizma, turbo-folk. Nuk e bëj dot këtë.

Ti nuk jeton me muzikën tënde; si e ke menduar ta mbushësh këtë vakuum, ta mbash zërin në formë?

Kam nisur ta mendoj, sepse është e vështirë. Nuk jam angazhuar me këngën me kohë të plotë, e kjo të pengon nëse do të krijosh një emër. Tani është koha e duhur për këtë. Unë kam një emër të dashur në muzikën shqiptare. Madje ime atë, shpesh, pasi më dëgjon, më thotë se unë pa dashur, e imitoj disi dhe ky është Alban Skënderaj. Edhe ai është një këngëtar i kompletuar, që ka një “paketë” me elementë skenikë dhe vokalë. Albani është një shembull për mua, që dua ta ndjek. Kam qenë në koncertet live të Alban Skënderaj, si në sheshe apo salla, po ashtu edhe në klube e disko. Kam ndjekur performancat e tij, kam ndjekur edhe ato të këngëtarëve komercialë apo me emër me miliona klikime në rrjet. Kam vënë re edhe ndryshim të audiencës, shumë domethënës, që i ndjek këta këngëtarë. Unë atë publik dua, të ketë ato shije. Le të mos bëjë miliona klikime, të jetë publik i kultivuar, me shije për muzikë të mirë. Mendoj se mund të ketë vend edhe për këtë tip arti, që dua të bëj unë.

Është pikërisht koha të jem më i angazhuar. Fakti që do të jem në natën finale të “Këngës Magjike”, pra u kualifikova, është ogur i mirë që të jem më i motivuar. Më pas, do të vlerësoj punët e reja, për një hit të ri me videoklip, në pranverë e më pas në verë. Dua t’i ngjis shkallët dalëngadalë që të jenë të qëndrueshme.

Ke bashkëpunëtorë të preferuar në këngët që priten të vijnë?

Kënga e fundit është një bashkëpunim me kompozitorin, Genti Myftaraj, me të cilin e kemi gjetur gjuhën. Kemi bashkëpunuar më parë, sepse ai ka orkestruar këngë të kompozuara nga unë. Por në këtë bashkëpunim, pashë që Genti kishte shkuar drejt gjuhës së publikut më tepër se zakonisht, duke dalë pak nga pop-rrok apo baladat, që janë specialitet i tij. Nëse do të kem diçka nesër, do të vazhdoj bashkëpunimet me të, sepse e gjej veten mirë.

Këngët e mëparshme kanë qenë me tekste të tuat, të frymëzuara nga jeta?

Nuk shkruaj dot, po nuk mora një motiv nga ngjarje të jetuara ose nga mjedisi që më rrethon. Unë jam autodidakt dhe kam një të mirë, nuk ndikohem nga shkollimi muzikor.

Je shumë i ri, vetëm 23 vjeç, por ke një jetë të strukturuar, me një punë të përditshme në fushën e makinave. Pas pune, çfarë pasionesh ke?

Përveç këngëve, kam pasionet tipike të djemve. I çmendur pas makinave, ku kam vite që investohem në këtë fushë. Lexoj, studioj mbi makinat. I kam pasion.

Pra, presim ndonjë videoklip nga ty me makina luksi e femra të zhveshura mbi to?

Joooo! Do më nxirrnin nga shtëpia pastaj! Nuk do të ndodhë kjo, asnjëherë. Ha ha ha... Jam tip i qetë, nuk frekuentoj shumë jetën e natës, dal rrallë, një herë në muaj ndoshta.

Pse, nuk e gjen veten?

Po, edhe kjo është. Në Shqipëri, jeta e natës është bastarduar. Këtu dalin për t’u dukur e për t’i parë të tjerët që po dalin, jo për t’u argëtuar. Në Itali, ku kam studiuar, dilnim në klube shumë të njohura, por aty shkon me xhinse dhe thjeshtë e jo detyrimisht të marrësh shampanja e të dalësh për t’u dukur. Unë bëj një jetë të thjeshtë, kam pasionet e mia, më pëlqen të shpenzoj, por vetëfinancohem. Ky është edhe meraku i prindërve, që unë ia plotësoj qejfin vetes shumë. Shpenzoj mjaft për udhëtime. Ato pará që do t’i lija klubeve, më pëlqen t’i shpenzoj në udhëtime e të kem kujtime nga vende të ndryshme.

Që në fillimet e tua, muzikë të lehtë ke preferuar?

Është kuriozitet që pak e dinë. Unë e kam filluar me muzikë rap, kam qenë solist me një grup që këndonte këtë muzikë, që sot duket kaq larg nga personazhi im. Ishim tre djem në fund të shkollës 8-vjeçare, e morëm pjesë në Top Fest 6. Mua zëri më është pjekur vonë, rreth moshës 16-vjeçare. E shikoja veten pa zë, ndaj zgjodha muzikën rap. Imagjinoni dikë që këndon rap e në shtëpi ka sonatën e Bethovenit për të studiuar për në shkollë. Janë dy botë të ndryshme. Kur e kujtoj sot, qesh me veshjet tona karakteristike. Ajo ka qenë dalja ime e parë në skenë, përpara qindra spektatorëve. Më pas, isha në gjimnazin “Ismail Qemali”, sepse kisha tim atë afër, meqenëse ishte diplomat në ministrinë e Jashtme. Aty shpërtheu Geri këngëtar. Kompozova një këngë që e regjistrova dhe ia tregova babait, i cili u habit shumë. Një herë, ishte i ftuar tek “E diela shqiptare” dhe ne i bëjmë një surprizë, si familje. Dal unë të këndoj me të. Ishte një këngë anglisht dhe ai u habit, sepse në shtëpi nuk këndoja kurrë. Këndoja përpara shkollës, merrja pjesë në Rinfest e më pas tek The Voice. Në atë periudhë ndiqej shumë. Më dha shtysë të jashtëzakonshme, që ndoshta nuk dita ta shfrytëzoj. Ndërkohë, unë kisha shkuar anembanë Shqipërisë, në turne me babanë, ku salla mbushej gjysmë me spektatorë që kishin moshën e tim eti dhe gjysma me të rinj, që më kishin ndjekur në The Voice. Kënga që bëri bujë, ishte dueti me Gjergj Kaçinarin, i cili pati shumë sukses. Më pas, në Top Fest, me një tjetër këngë duet të kompozuar nga unë, që shkoi në dy javë mbi 150 mijë klikime, gjë që në ato vite ishte sukses i madh. U bë hit ajo këngë. E dëgjoja kudo, në plazhe, autobusë, zile celulari. Mendoni pak, kjo këngë nuk kaloi as në gjysmëfinale. Zhgënjim i madh për mua! Ajo këngë meritonte shumë dhe është nga ato ku më pëlqen më shumë vetja.

Të ndikoi ky zhgënjim?

Sigurisht. Më la disa vite “pushim”. U riktheva përsëri në Top Fest, këtë herë këngë solo. Hyra pa pretendime, por edhe ajo këngë pati sukses. Ishte në Top Listë nëpër radio. Por edhe në këtë rast, kënga pati sukses në publik, por jo në klasifikim zyrtar.

Po tek kjo këngë, me të cilën konkurroni, ke pretendime?

Vij për një fillim të ri. E quaj një fillim të ri për veten. “Kënga Magjike” është një skenë mjaft prestigjioze dhe e konsideroj gjithsesi, fitore pjesëmarrjen.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: