Gjermania ndërton modele...ne s’dimë as “të kopjojmë”

Gjermania ndërton modele...ne s’dimë as “të kopjojmë”
 Koment/Nga Aranit Muraçi                    

Nga viti 2002 deri në vitin 2010, Gjermania investoi rreth 520 milionë euro për zhvillimin e sistemit të futbollit të të rinjve, ose gati sa buxheti i shtetit shqiptar në një vit. Shqipëria në 27 vjet nuk ka ruajtur dot as ekipet zinxhirë të klubeve para ’90. As që bëhet fjalë për cilësi, apo investime për zhvillimin e tyre. Ne Gjermani paratë u shkuan akademive në të gjithë vendin, veçanërisht klubeve të ligave kryesore. Shumica e akademive të dy bundesligave të para përbëhen të gjitha ekipe me lojtarë të moshave nga 12 deri në 23 vjeç.

Akademitë kryesore në Gjermani u përkasin klubeve që konkurrojnë në kampionat, ndryshe nga vendi ynë. Atje të gjithë janë të interesuar që të zbulojnë e ta zhvillojnë talentin, sepse vetëm ai shihet si vlerë për klubin dhe vendin që ka investuar për të. Garat ndërkombëtare janë të ashpra. Për t’i fituar ato shkon për shtat shprehja, “Ç’të mbjellësh do të korrësh!”.  Sigurisht në Gjermani përveç infrastrukturës punojnë njerëz të pasionuar, vizionarë, ndryshe nga ç’ndodh në Shqipëri, që shefat e klubeve i zgjedh partia në pushtet, ndërsa në ekipet e para të Kategorisë Superiore ndodh të bëhesh futbollist edhe “me mik”.  Nga të rinjtë, ashtu siç ndodh edhe në sistemin arsimor në Shqipëri, më të mirët vlerësohet edhe ata për të cilin prindërit janë gati të paguajnë që djali i tyre të zhvillojë thjesht pasionin pavarësisht talentit.

Në vitin 2011, në ekipin e parë të Kombëtares Gjermane, 19 nga 22 lojtarë ishin produkt i sistemit të akademive që shteti i tyre kishte investuar 10 vjet më parë. Në atë kohë fenomen që vijon edhe sot, Kombëtarja A e Shqipërisë, madje edhe ato U-21 e U-19, përbëheshin nga lojtarë emigrantësh shqiptarë, rritur e formuar në akademitë e vendeve të tjera kryesisht të vendeve fqinje e atyre perëndimore. Më shumë se gjysma, ose 525 lojtarë të Bundesligës gjermane vijnë nga akademitë e klubeve të tyre dhe 107 luajnë me klubet ku edhe janë formuar. Në vitin 2014, shumica e lojtarëve kryesorë të Kombëtares së Gjermanisë ishin produkt i akademive të Bundesligës.

Shqipëria kurrsesi nuk mund të ngrinte në këto vite tranzicioni një strategji për të konkurruar Gjermaninë që fitoi Kupën e Botës së vitit 2014 dhe që shihet si favorite për të fituar edhe Botërorin e vitit 2018. Por mund të ngrinte një strategji për të kërkuar kualifikimin historik, si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Kërkohej një strategji shtetërore si Gjermania, për të investuar vite më parë te të rinjtë, për të pasur sot një sport më të zhvilluar e konkurrues. Por para këtyre investimeve duhen fillimisht njerëzit e duhur që të kujdesen e të zhvillojnë më të talentuarit, në vend “të strategjisë” së deklaratave optimiste, si “kemi sportistë...apo studentë të shkëlqyer”, të cilët, në fakt, nuk konkurrojnë dot as me vendet e Ballkanit. Dhe më keq akoma, suksesi deklarohet nga të njëjti drejtues sporti a arsimi të cilët kanë gatuar në dekadat e fundit dështimin.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: