Greqia dhe Italia, bizneset e huaja kyçe në vend

Greqia dhe Italia, bizneset e huaja kyçe në vend
Dy vendet fqinje, partnere kryesore prej dekadash për Shqipërinë, vazhdojnë të zënë vendin e parë në listën e kompanive me kapital të huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre këtu; qofshin tërësisht të tilla, apo edhe me kapital të përbashkët shqiptar

Greqia dhe Italia. Të dyja, të njohura si partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë për gati tre dekada me radhë. Por që vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite vendet të cilat “mbajnë gjallë” sipërmarrjen private në Shqipëri. Dhe kjo, pikërisht përmes ekzistencës së një numri të lartë biznesesh me kapital tërësisht të tyrin, apo edhe të përbashkët me ato shqiptare. Dukuri kjo që konfirmohet edhe nga të dhënat më të fundit zyrtare të autoriteteve shqiptare, sipas të cilave rezulton se janë pikërisht bizneset e këtyre dy vendeve fqinje, të cilat zotërojnë jo vetëm numrin më të madh kundrejt totalit të atyre që operojnë aktualisht në vendin tonë, por në të njëjtën kohë edhe që punësojnë më shumë njerëz, eksportojnë më shumë jashtë vendit, sikundër edhe realizojnë më shumë blerje përmes importeve. “Për vitin 2016, peshën më të mëdha të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta e japin Italia dhe Greqia me 56.5% të ndërmarrjeve kundrejt totalit të tyre; 60.5% të punësimit; 61.1% të eksporteve dhe 47.5% të importeve”, citon saktësisht Instituti i Statistikave lidhur me një dukuri të tillë. Për të detajuar më tej se vetëm Italia nga ana e saj, vjet ka realizuar çerekun e gjithë shitjeve të kompanive të huaja në Shqipëri (25.2%), apo ka punësuar rreth gjysmën e njerëzve që punojnë në to (49.6%). Kurse sa i përket Greqisë, të paktën një në dhjetë persona që punojnë në kompani të huaja në Shqipëri, figuron pikërisht i atyre me kapitalin e saj, ose e thënë në shifra, rreth 10.9% e totalit. Ndërsa po këto kompani, thuhet se realizojnë rreth 13.2% të xhirove të totalit të bizneseve të huaja në vendin tonë përgjatë një viti. Në këtë këndvështrim, mund të shihet fare mirë edhe përmes krahasimit statistikor kundrejt së tërës se pesha e bizneseve me kapital të huaj, grek apo italian, mbetet ende mjaft e rëndësishme për ekonominë shqiptare si e tillë. Dhe që nuk po mund të konkurrohet dot ende nga partnerë të tjerë tregtarë të vendit tonë, gjithashtu të rëndësishëm, siç është për shembull Turqia. “Turqia mbulon nivelin prej 10.4% të punësimit dhe 12.5% të shitjeve neto”, citojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me këtë shtet. Më tej, ata sqarojnë se në vitin e kaluar, nga Greqia ka patur 522 ndërmarrje gjithsej në vendin tonë, ku pjesa më e madhe prej tyre, respektivisht 314, kanë qenë me kapital të huaj gjithsej, kurse 208 kanë qenë me kapital të përbashkët. Kurse sa i përket Italisë, thuhet se nga 2.662 ndërmarrje që ka patur gjithsej në Shqipëri vitin e kaluar, 1.850 prej tyre kanë qenë me kapital tërësisht italian, kurse 812 të tjera me kapital të përbashkët, italo-shqiptar.

 

 

Grekët shkëlqejnë në transport edhe telekomunikacion, italianët në ndërtim

“Ndërmarrjet e mëdha të huaja e të përbashkëta janë të përqendruara kryesisht në aktivitetet ekonomike si call center, prodhimi i këpucëve dhe aktiviteti bankar”. Ky është pohimi i ekspertëve të Institutit të Statistikave, lidhur me ndarjen e sektorëve ku e ushtrojnë aktivitetin e tyre aktualisht në vendin tonë kompanitë me kapital të huaj. Për të detajuar më tej lidhur me dy vendet që kanë edhe numrin më të lartë të tyre, Greqia dhe Italia, sektorët kryesorë ku ato fokusohen. Kështu, sipas INSTAT-it, pjesa më e madhe e kompanive me kapital grek në Shqipëri janë të fokusuara në sektorin “transport dhe telekomunikacion”, respektivisht me 33% të totalit të tyre. Pasuar nga sektori “tregti”, ku aktualisht operon rreth 11.7% e tyre. Kurse për Italinë raportohet se 39.8% e kompanive të saj në Shqipëri operon në sektorin e ndërtimit dhe 28.6% në atë të tregtisë.

 

Ndërmarrjet e huaja, sa vijnë e pakësohen

 Në fund të vitit 2016, numri të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u ul me nivelin prej -5.1%

Ndërmarrjet me kapital të huaj, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, sa vijnë dhe po pakësohen. Këtë e bëjnë të ditur edhe shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se në fund të vitit të kaluar, 2016, numri të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u ul me nivelin prej -5.1%, krahasuar me vitin e mëparshëm 2015. “Në vitin 2016 ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta që operojnë në territorin e Shqipërisë janë në total 5.637 , ndërsa në fund të vitit 2015 ishin 5.939 të tilla, duke shënuar një rënie me nivelin prej -5.1%”, saktëson INSTAT. Më tej, ai sqaron se ndërmarrjet me pronësi 100% të huaj mbulojnë 71.4 % të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa ato të përbashkëta me mbizotërim të huaj mbulojnë 14 % të tyre. E thënë më thjesht, rreth dy të tretat e kompanive me kapital të huaj në vendin tonë, nuk kanë asnjë përqindje kapitali shqiptar në to. “Në vitin e kaluar 2016, ndërmarrjet që e kanë origjinën e tyre nga shtetet e Bashkimit Evropian zënë 2.5% të ndërmarrjeve aktive gjithsej në Shqipëri dhe 70% të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta”, pohojnë më tej ekspertët e INSTAT-it. Duke shtuar nga ana tjetër faktin se ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10.9% të totalit, kurse ato me origjinë nga shtetet e tjera zënë 19.1% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.

MADHËSIA

Të huajt që hedhin paratë e tyre në Shqipëri, preferojnë ta bëjnë këtë kryesisht për sipërmarrje të mëdha dhe më pak, për ato të përmasave të vogla. Kështu, sipas autoriteteve shqiptare të statistikave, rezulton se gjatë vitit të kaluar, kompanitë me kapital të huaj me 50 dhe më shumë të punësuar, kanë zënë jo pak, por mbi 30% të nivelit të të punësuarve gjithsej. Sikundër, ato kanë realizuar edhe 29.3% të shitjeve, apo kanë realizuar edhe 47.3 % të totalit të investimeve. “Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë ndikimin e dytë më të madh në shitjet neto, me nivelin prej 26.7%”, citon INSTAT. Duke përfunduar se për treguesit e tjerë, ndikimin e dytë më të madh e kanë realizuar ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me respektivisht 11.2% të punësimit gjithsej dhe 55.9% të investimeve gjithsej.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: