Hiqej si konsulli shqiptar në Brazil, prangoset biznesmeni 37-vjeçar

Hiqej si konsulli shqiptar në Brazil, prangoset biznesmeni 37-vjeçar
Policia Federale ka arrestuar në Ribeirão Preto të Brazilit një 37-vjeçar të dyshuar se vepronte si konsull i rremë i Shqipërisë.

Biznesmeni Eliezer Marins u arrestua në flagrancë dhe paraqiti “letrat kredenciale”, por Ministria e Punëve të Jashtme të Brazilit tha se nuk i njihte këto dokumente.

I arrestuari u dërgua në Qendrën e Paraburgimit të Përkohshëm të qytetit dhe do të përgjigjet për falsifikim të vulës, krim që parashikon  deri në gjashtë vjet burg.

Zyra e “konsullit” u mbyll të martën dhe askush nuk u përgjigj telefonatave.

Hetimet filluan rreth një muaj më parë, pasi Ministria e Jashtme njoftoi policinë për një njeri që ishte paraqitur në mënyrë të paligjshme si agjent konsullor i një vendi europian në Ribeirão.

“Që dikush të paraqitet si anëtar i trupit konsullor, është e nevojshme që personi të ketë indikacionin e vendit të origjinës, edhe nëse është brazilian dhe, pas kësaj, të njihet dhe të pajiset me autorizim nga Ministria e Punëve të Jashtme”, ka shpjeguar për mediat braziliane një nga drejtorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Edson Geraldo de Souza.

Policia konfiskoi edhe një automjet luksoz të 37-vjeçarit, me shenja që e identifikonin si “konsull të Shqipërisë”.

Policia tha se ka nisur një hetim për mënyrën si është organizuar falsifikimi dhe për aktivitetin e dyshimtë të “konsullit shqiptar”.

Në listën e Ministrisë së Jashtme shqiptare, Eliezier Martins nuk figuron si konsull në Brazil. /a.a/ Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: