HITLERI TJETËR DO TË JETË ARABIK – OPINION NGA FRROK ÇUPI

HITLERI TJETËR DO TË JETË ARABIK – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse do të ketë një Hitler tjetër, edhe ky do të rritet në Europë, madje ndoshta përsëri në Gjermani. Por kombësia e tij nuk do të jetë as austriake, as gjermanike. Arabikët e Europës, pak nga pak, po ngrenë më këmbë Hitlerin e tyre.

Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Heiko Maas, ka bërë thirrje që emigrantët e ardhur nga vendet arabike në konflikt, ‘të mësojnë mbi Holokaustin”. Vetëm tre vitet e fundit, në Gjermani kanë mbërritur më shumë se 1 milion emigrantë të larguar nga konflikti i luftës (sa civile aq edhe ushtarake), në vendet e Lindjes së Mesme. Qeveria gjermane që i ka ftuar, tani ka një thirrje për emigrantët: “Nëse doni të bëheni “gjermanë” në Gjermani, mësoni mësimin e Holokaustit”, - shkruan “Der Spiegel”.

Pse i kthehet Gjermania mësimit të Holokaustit?

Qysh prej rënies së nazizmit, Gjermania nisi të “ulë kokën” para njerëzimit, me të vetmin faj se “Hitleri na ishte me origjinë gjermane”. Edhe pse Hitleri kishte shkuar në atë botë, edhe pse të gjithë së bashku kudo i kishin hyrë përpjekjes për të ringjallur dhe shëruar jetën, gjermanikët ndjeheshin “fajtorë”. Qysh prej 73 vjetësh, Gjermania u përpoq ta përdorë sa më rrallë ose aspak, atë emër të frikshëm dhe turpërues. Por tani dhuna në Gjermani nuk është e vdekur; tani po ndjehet një lloj zgjimi. Qeveria gjermane e ka parë siluetën e Hitlerit te dhuna e emigrantëve arabikë. Kjo është arsyeja që i drejton për në Holokaust, ku do të marrin mësime.

Mësimi që këshillon qeveria gjermane është për të gjallët: “E shikoni Holokaustin, çfarë bëri ai i pari?! Sakën (turqisht) se e bën këtë gjë përsëri!”... “Hitlerin” mund ta prodhojë çdo komb e racë, ai i pari nuk ishte prodhim gjenetik.

Pse pikërisht Holokaustin?

Hitlerizmi  bëri namin në gjithë botën. Shkatërroi qytete e fshatra, degdisi të rinj, të moshuar e fëmijë; vrau e dogji miliona të tjerë, shkretoi shpresën... Mirëpo qeveria gjermane ka perceptuar se, rreziku i ri përvijohet në modelin “Holokaust”. Në atë kamp tmerri u dogjën, u varën, u pushkatuan ose u mbytën me gaz, 6 milionë hebrenj.

Hebrenjtë janë bërë sot shënjestra e emigrantëve arabikë që kanë ardhur në Europë, duke i ikur konfliktit të luftës në vendet e tyre. Në Gjermani, sipas ministrit të drejtësisë, emigrantët po kërcënojnë qytetarët me origjinë izraelite, kudo ku ndodhen. Po djegin flamujt e Izraelit dhe po shkaktojnë frikë.

E njëjta gjë po ndodh në gjithë Europën. Europa e “liberalëve” ftoi emigracionin në masë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut. Euroskeptikë si kryeministri i Hungarisë, Orban, dhe qeveritë e Polonisë, Finlandës, Çekisë, etj., kanë dhënë alarmin se, në një të ardhme të afërt Europa nuk do të banohet nga europianë.

Në Europë ka nisur fshehja e hebrenjve, si në Luftën e Dytë

Siç krenohemi ne shqiptarët, me të drejtë, se fshehëm disa qindra njerëz me origjinë hebreje, po kështu po ndodh sot në Europë. Europianët janë detyruar të fshehin hebrenjtë nga rreziku i sulmeve nga refugjatët arabikë. Europa po ushqen masa emigrantësh, mes të cilëve po gjeneron urrejtje. Në Francë ka ndodhur dhe po ndodh fenomeni i “Dytë” i kobshëm: Emigrimi i brendshëm!

Gazeta pariziene, “20 Minutes” dokumenton “eksodin e brendshëm” gjatë vitit 2017. Në Seine Saint- Denis po largohen hebrenjtë francezë. Gazeta shkruan se një shqetësim emblematik po përhapet për hebrenjtë e Francës, si edhe i vëllezërve e motrave kudo në Europë. Kudo po përjetojnë “ferrin” në këtë ndryshim drastik demografik të kontinentit: Dje, ky qytet banohej nga hebrenj dhe francezë, sot në shumicë arabikë.

Sipas medias franceze, hebrenjtë po lënë shtëpitë, sidomos në Veriperëndim të Parisit, duke u arratisur për shkak të asaj që kryeministri Francez, Edouard Philippe, e quajti “armiqësi e hapur” ndaj hebrenjve. Kryeministri tha se “antisemitizmi në Francë, ka rrënjë të thella”. Njoftohet se në Seine-Saint- Denis janë mbyllur edhe sinagogat, me qëllimin për “të ruajtur gjithë popullin”.

Që nga vitit 2006, në Francë kanë emigruar 40,000 Hebrenj Francez - sipas AFP.

A vlejnë leksionet me “Holokaust”?

Europa, sipas direktivave të BE-së, ka hyrë në një rreth depresioni ku nuk ka kthim. “Mama Merkel” e Gjermanisë, që para humbjes së shansit për të krijuar qeveri pas zgjedhjeve, nisi tërheqjen e idesë së saj për “emigracion pa numër” dhe “shtete pa kufij”. Por tani është e pamundur.

Edhe “edukimi i arabikëve” sipas leksioneve të  Holokaustit, është i pamundur. Ministri gjerman i Drejtësisë tha se, “lënda Holokaust” duhet në provim si kusht për t’u legalizuar. Duket ide infantile. Që nga momenti kur Europa nisi “shkollën”për emigrantët e deri tani, është rritur shkalla e dhunës prej “të shkolluarve” që vijnë nga konflikte. Ndërsa atëherë dukej “tmerruese” përdhunimi i grave në Këln natën e Krishtlindjeve, tani dy të tretat e grave gjermane marrin me vete: O spray, o thika, o një tufë me çelësa kur dalin rrugicave. Edhe hebrenjtë, atëherë sulmoheshin në simbolet e tyre; ndërsa tani sulmohen për vdekje, direkt...

Vetë Hitleri i parë, vinte nga një origjinë dhune dhe mosedukimi e jetë normale. Emigrantët vijnë nga konfliktet, direkt në “Holokaust”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: