I dashur, Babagjysh!

I dashur, Babagjysh!
Nga Juela Meçani

I dashur, Babagjysh! nuk ka qenë një vit i lehtë ky që po mbyllet, aspak i thjeshtë e aspak me ngjyra! Për shumë njerëz që më rrethojnë, kanë nisur streset qysh në janar e ende pak ditë përpara fundit të këtij viti, telashet s'kanë të sosur. Por ti e di, gjërat nuk duhen parë të zeza, se të vijnë të zeza, ndaj letra ime për ty do i ketë ngjyrat e tingujt për të qenë pozitive. Babagjysh, një gjë mbi të gjitha, të kërkoj: Jepu shqiptarëve shpresë, sepse i ka braktisur fara e shpresës prej kohësh e thjesht po jetojnë për inerci! Ktheju besimin në Zot e ktheju besimin në njerëz! Nga njerëzit më optimistë në planet, janë kthyer në hijerëndë, dyshues, që kontrollojnë shpinën nga intrigat e merimangat e një sistemi mosvlerash, që tashmë ka piedestalin në qendër të çdo qyteti. Ktheju besimin tek miqtë, nga populli më mikpritës në planet, janë shndërruar në vetmitarë, familje të vogla që mblidhen vetëm për vaki e dasma, telefoni bie rrallë e më rrallë, thjesht për të dëgjuar një zë të dashur, por bie shpesh për ndonjë nder a favor. Babagjysh, ktheju besimin tek dashuria, tek ajo që s'njeh shtresa sociale, as llogari në bankë, as konjuktura familjesh me pushtet, dashurinë pa kushte, nga ato që zgjojnë botën nga plakja e që ushqejnë poezinë e shpirtit! Shtro tavolinat e salloneve të shtëpive me bollëk e hare, më shumë se restorantet e klubet ku shitet mirëqenia false e këtij vendi të vogël. Mbaje pak me hatër Shqipërinë këtë vit ,që po afron, i dashur bullafiq. Sepse njerëzit me fantazi të këtij vendi, harruan të jenë vigjilentë dhe tashmë janë marionetat e politikës, të cilën e ndjekin më shumë se sa ndjekin jetët e tyre, politikë që çdo ditë e më shumë po u ndërton një kafaz të ri! Zbukuroi fytyrat e shqiptarëve të ngrysur, me një dritë të re, që të harrojnë plastikën e klinikave estetike e ledhatimet qesharake nëpër foto, e të rikthehen të jenë vetvetja! E në fund, sill një anije plot me mirësi që të zbusë zemrat e mendjet e krisura të burrave, që çdo ditë po shkarkojnë palumturinë mbi gratë! A nuk je dhe ti, biri i një nëne?

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: