I ftohti, si të dallojmë gripin nga virozat

I ftohti, si të dallojmë gripin nga virozat
Virusi qarkullues i gripit stinor, këtë vit, ka pësuar ndryshime strukturore gjenetike të rëndësishme. Gripi stinor kërkon kujdes, përgjithësisht kalon në kushte shtëpie, duke marrë lëngje dhe antipiretikë, nëse temperatura kalon mbi 38.5 gradë Celsius. Prof. Pëllumb Pipero, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSU, “Nënë Tereza”, tregon se cilat janë masat që duhet të merren, në të dy rastet

Sonila Isaku

Stina e ftohtë e dimrit, përveç kushteve meteorologjike që e shoqërojnë, si ulja e temperaturave, lagështia etj., shoqërohet edhe me një sërë problemesh shëndetësore, për të gjithë popullatën në përgjithësi, por veçanërisht për moshat pediatrike, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë. Këshilla që ju jepet të gjithë qytetarëve, është të vishen mirë, sipas stinës, të mbajnë ngrohtë dhe të ajrosin, herë pas here, banesat, të mos frekuentojnë mjedise të mbyllura dhe të mbipopulluara, si dhe të shmangin vizitat e panevojshme tek të afërmit në spitale.

Sëmundjet

Problemet më të shpeshta shëndetësore, janë virozat stinore. Midis tyre, më i rëndësishmi është gripi stinor dhe natyrisht agravimi i të gjitha sëmundjeve kronike dhe komplikacionet e gripit stinor, sikundër është encefaliti, miokarditi, por dhe sëmundjet bakterore të rrugëve të sipërme dhe të poshtme respiratore, që janë si sëmundje të mbivendosura në grip. Aktualisht, dimë se, virusi qarkullues i gripit stinor, këtë vit, ka pësuar ndryshime strukturore gjenetike të rëndësishme. Gripi stinor kërkon kujdes, përgjithësisht kalon në kushte shtëpie, duke marrë lëngje dhe antipiretikë, nëse temperatura kalon mbi 38.5 gradë Celsius. Sëmundja kalon në harkun e 3-5 ditëve. Nëse temperatura zgjat më shumë dhe simptomat rëndohen, qytetari duhet të drejtohet te mjeku i familjes.

Gripi

Gripi dhe virozat kanë simptoma të njëjta me njëri-tjetrin, por gripi i ka më të rënda se sa virozat. Kështu, gripi karakterizohet nga një temperaturë e lartë, dhimbje koke të shpeshta, me hundë të mbushura e të rënduara. Po kështu, simptomë tjetër shoqëruese e gripit është edhe kolla e rëndë, dhimbje të mëdha të trupit, lodhje që mund të zgjasë për disa javë. Ndonjëherë, pacientët e prekur nga gripi, mund të kenë edhe dhimbje fyti, këputje ekstreme dhe mungesë fuqie. Një tjetër karakteristikë është se, simptomat e gripit mund të zgjasin edhe disa javë. Në rastet kur temperatura është mbi 38 gradë, për më shumë se 48 orë, duhet të kryhet konsulta me mjekun. Sa i takon këshillave të nevojshme në rastet e gripit, është larja e duarve sa më shpesh dhe të mos preken sytë, hunda dhe goja. Po kështu, edhe kryerja e vaksinës nga ato kategori të cilat janë të rriskuara për t’u prekur nga gripi, është një këshillë e nevojshme.

Simptomat e virozave

Infeksionet stinore karakterizohen me: prekjen e vijave të sipërme respiratore, siç janë faringitet, dhimbje të fytit, teshtitje, kollë, dhimbje muskujsh, temperaturë që shkojnë nga subfebrile. Por, krahas riniteve, faringiteve, të shpeshta janë edhe infeksionet e bajameve që janë të shtuara në numër. Sa i takon dhimbjeve të trupit, mungesës së energjisë apo dhimbjeve të kokës, ato janë më të pakta krahasuar me gripin. Sa i takon mundësive të trajtimit të virozave, këshillohet përdorimi i medikamenteve për qetësimin e dhimbjeve dhe uljen e temperaturës, përdorimi i antiasmatikëve, qëndrimi në qetësi si dhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve.

Dimri është stina tipike e këtyre infeksioneve.

Pacientët e rriskuar

Më të rrezikuar ndaj çdo lloj infeksioni stinor, janë po ato që janë përshkruar në grupet e riskut të sëmurëve që vuajnë ose predispozohen të infektohen nga gripi, siç janë moshat nën 5 vjeç, ose të sëmurët mbi 60 vjeç. Pacientët që kanë problem me sëmundje kronike, siç janë sëmundje të zemrës, veshkave, diabetit, të sëmurët që marrin në mënyrë kronike kortizon apo të sëmurët me sëmundje tumorale. Në përgjithësi, ata të sëmurë që kanë alternime të imunitetit, kanë probleme më të shtuara edhe me virozat. Nëse virozat e stinës bashkëshoqërohen me sëmundjet ekzistuese të pacientëve, atëherë rrezikshmëria për komplikacione të rënda është më e madhe.

Këshilla

Apeli im është mospërdorimi i antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut. Ndodh shpesh që të na vijnë pacientë, të cilët me të nisur temperatura, vetëmjekohen me antibiotikë. Dua të theksoj se, antibiotikët nuk veprojnë në rastet e virozave stinore, antibiotiku vepron kur situata komplikohet. Qytetarët, me të vërejtur shenjat e fillimit të virozës, të cilat i cituam më lart, duhet detyrimisht të shkojnë tek mjeku i familjes dhe më pas është ky mjek që i udhëzon për mjekimet e duhura dhe hapat e mëtejshëm, deri në kurimin e sëmundjes. Moshat e treta duhet të shmangin daljen nga shtëpia, të përdorin veshje të ngrohta, kapele, doreza. Edhe përdorimi i lëngjeve, kompostove të ngrohta, frutave që kanë vitaminë C, shmangia e mjediseve të mbyllura, shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, ndihmojnë në parandalimin dhe përhapjen e virozave stinore.

 

Simptomat e gripit dhe virozëve:

  • Virozat stinore në përgjithësi, por dhe gripi stinor në veçanti, kanë simptomatikë të ngjashme.
  • Temperaturë të lartë që zgjat 2-3 ditë, kur i sëmuri nuk ka komplikacione;
  • Dhimbje koke;
  • Dhimbje gjoksi;
  • Rrufë;
  • Teshtima;
  • Dobësi trupore;
  • Simptoma pak më të rralla janë: diarre dhe të vjella, të shoqëruara me anoreksi.

 

Këshillat e nevojshme

Shmangni mjediset e mbyllura (lokale, kënde lojërash, etj.,).

Sa më shumë lëvizje në mjedise të hapura dhe ajër të pastër.

Vendosni një regjim të ekuilibruar ushqimor. Sugjerohet përdorimi sa më shumë i frutave (sidomos i agrumeve), perimeve dhe tek fëmijët nuk duhet të mungojnë proteinat e mishit (mundësisht peshk ose pulë), si dhe proteinat e qumështit, por në sasi të ekuilibruara.

Mundohuni të shmangni, për aq sa është e mundur, kontaktet e afërta me individë të sëmurë.

Nëse jeni të sëmurë, qëndroni në shtëpi për të paktën 24 orë.

Nëse jeni të sëmurë, shmangni kontaktet me të tjerët, pasi virusi i gripit është shumë ngjitës.

Mbuloni hundën dhe gojën me shami kur të teshtini dhe kolliteni; hidheni më pas në vend të sigurt.

Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.

Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuara, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.

Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: