Incidenti me policinë, Krimet e Rënda e dërgojnë dosjen për hetim në Elbasan

Incidenti me policinë, Krimet e Rënda e dërgojnë dosjen për hetim në Elbasan
Hetimi për dosjen e incidentit të Audit të blinduar me punonjësit e policisë në Elbasan, nuk do të kryhet nga Prokuroria për Krimet e Rënda, pasi ajo është transferuar në prokurorinë e rrethit.

Gjithçka erdhi pas shpalljes së moskompetencës për hetimin e çështjes nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Kjo e fundit ka konstatuar se nga këqyrja e pamjeve filmike nuk ka elementë që mund të fajësojnë autorët për tentativë vrasje.

Ndryshimi i klasifikimit të akuzës nga “tentativë vrasje” në “kundërshtim të forcave të rendit” e bënë hetimin të realizueshëm nga Prokuroria e Elbasanit.

Incidenti ndodhi mbrëmjen e 18 shtatorit të këtij viti në hyrje të tregut ushqimor në Elbasan, për të cilën janë arrestuar 4 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Enea Bekteshi, i cili ka pranuar përpara gjykatës se drejtonte Audin e blinduar.

Të arrestuar janë edhe shtetasit Valmir Dedja, Klement Xhaferri dhe Ledio Zabeli, ndërsa është shpallur në kërkim Suel Çela.

(Foto: Google)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: