Infeksionet e bajameve në dimër, çfarë duhet të kemi kujdes

Infeksionet e bajameve në dimër, çfarë duhet të kemi kujdes
Sëmundshmëria është e shprehur më shumë te fëmijët, veçanërisht në periudhën e vjeshtës dhe pranverës. Por çfarë ndodh kur pikërisht ato që prodhojnë antikorpe për të luftuar infeksionet, infektohen vetë?

Sonila Isaku

Bajamet mund të infektohen, të enjten dhe të inflamohen, duke dhënë atë që në gjuhën mjekësore quhet Tonsiliti. Ai është mjaft i shprehur te fëmijët, veçanërisht në periudhën e pranverës dhe të vjeshtës, dhe nganjëherë është fenomen që përsëritet, ndërsa prevalenca e tonsillitit është më e ulët gjatë stinës së verës. Dr. Birkena Qirjazi, (Prof.Ass.) mjeke otorinologe në Shërbimin ORL në QSUT, jep të gjitha këshillat e nevojshme për këto raste.

Shkaku

Shkaku i tonsilitit mund të jetë infeksioni viral ose bakterial. Shpesh ky i fundit, pason një virozë të rrugëve të sipërme respiratore. Në shumicën e rasteve dhimbja e fytit ka etiologji virale. Viruset mund të japin temperaturë të lartë, rash dhe exudat faringeal. Streptokoku i grupit A është shkaku i tonsilitit në 5-20% të rasteve (gjatë epidemive 40%). Lloje të tjerë streptokoku mund të shkaktojnë epidemi, por nuk lënë pasoja. Mononukleoza është diagnostikuar në 1-2% të sëmurëve me tonsilitit. Bakteret shkaktojnë 15-30% të rasteve me faringotonsilitit.

Simptomat

Inflamacioni dhe enjtja e tonsileve, nganjëherë i mjaftueshëm për të dhënë bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, por që në shumicën e rasteve, çon në dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje, temperaturë dhe ethe, si dhe humbje të oreksit. Shpesh tonsiliti mund të shoqërohet me dhimbje veshi, dhimbje koke, erë të keqe nga goja, apo shfaqje të limfonodulave në qafë.

Tek fëmijët mund të vihen re edhe të vjella, të përziera apo dhimbje abdominale. Zakonisht, sëmundja zgjat 2-4 ditë, por mund të shkojë deri në 2 javë edhe kur pacienti është në terapi.

Trajtimi

Trajtimi i tonsilitit varet nga shkaku. Tonsilitet virale që në fakt janë dhe më të shpeshtat, nuk kanë nevojë për trajtim me antibiotikë, pacientit i rekomandohet konsumi me shumicë i lëngjeve dhe marrja e ndonjë qetësuesi për dhimbjen apo temperaturën. Në rast se infeksioni tonsilar ka origjinë bakteriale dhe në mënyrë të veçantë Streptokoku i grupit A, fillohet kura me antibiotikë që zakonisht zgjat 7-10 ditë. Përmirësimi i klinikës ndodh përgjithësisht 2-3 ditë pas fillimit të terapisë, por antibiotiku duhet marrë në të gjitha dozat e rekomanduara.

Parandalimi

Meqë shkaktari kryesor i tonsilitit është infeksioni viral, mënyra më e mirë për ta parandaluar është respektimi i rregullave të higjienës. Mënjanimi i vendeve të mbyllura e super të populluara (p.sh., qendrat tregtare), në periudha virozash, është gjithashtu e rekomanduar sidomos për fëmijët.

 

Infeksioni bakterial nga streptokoku i grupit A, është sëmundje infektive. 24-orëshin e parë, pacienti duhet izoluar për të mos përhapur infeksionin tek pjesëtarët e familjes apo shokët e punës.  Mbani fëmijën e sëmurë në shtëpi, derisa të këshillojë mjeku, në mënyrë që të shmanget kontaminimi i fëmijëve të tjerë.

 

Cilat janë grupet në risk?

  • Streptokoku: fëmijët mbi 3 vjeç dhe adultët e rinj (15 deri 24 vjeç);
  • Mononukleozë: fëmijët dhe adultët e rinj;
  • Gonorrhea: personat seksualisht aktivë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: