Infermierët drejt Gjermanisë, 617 u larguan këtë vit

Infermierët drejt Gjermanisë, 617 u larguan këtë vit
INTERVISTA/ Flet për “Albanian Free Press”, presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi: Të ndryshojnë kurrikulat e fakulteteve të Infermierisë, të bëhet më shumë praktikë

Sonila Isaku

Plot 617 infermierë, kanë kërkuar të largohen këtë vit nga Shqipëria, për të punuar në perëndim, kryesisht në Gjermani. Presidenti i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi, thotë se shkaqet e largimit janë për një pagë dhe trajtim më të mirë, por ajo që po shqetëson kompanitë, sidomos ato gjermane që kanë punësuar infermierët e parë, është niveli jo i duhur i njohurive praktike që ata zotërojnë. Ndërkohë, sa u takon problematikave që kjo kategori e bluzave të bardha ka sot, ajo nis qysh në momentin e kualifikimit, ku praktika mësimore është me orë shumë të pakta në krahasim me pjesën teorike që zhvillojnë gjatë viteve të shkollës.

 Z. Skënderi, ju dje zhvilluat një tryezë të rrumbullakët ku diskutuat problematikat aktuale të sistemit infermieror në Shqipëri. Cilat janë këto problematika që rëndojnë mbi infermierët?

Urdhri i Infermierit organizoi dje një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, të cilët nuk denjuan të vijnë, por ne mblodhëm edhe të gjitha fakultetet e infermierisë, publike e ato private nga e gjithë Shqipëria dhe diskutuam mbi situatën e formimit infermieror në Shqipëri. Për rolin e infermierit, një nga shqetësimet kryesore mbetet formimi infermieror. Për infermierët tanë, kjo situatë vlerësohet më shumë nga Provimi i Shtetit, por edhe nga testimi dhe vlerësimi që bëjnë të huajt, sepse infermierët tanë sot po kërkohen dhe provohen në Europë dhe aty po dalin në pah edhe defektet e formimit tonë.

Infermierëve tanë u mungojnë aftësitë dhe shprehitë praktike, e ky është defekt i kurrikulës formuese të tyre. Sepse formimet dhe shkollat tona infermierore në Shqipëri, japin më tepër lëndë teorike, pasi janë të uzurpuara nga pedagogët mjekë dhe nëse në një fakultet europian, pjesa klinike dhe lëndët klinike që japin mjekët, zënë një nivel prej rreth 3-8%. Në Shqipëri, në të gjitha shkollat, ato zënë një mesatare e cila shkon nga 27-30%. Ne u mësojmë teori si mjekët, e jo praktikë siç duhet të bëjnë në fakt infermierët. Madje, gjithë futja e këtyre lëndëve klinike dhe paraklinike, u merr atyre kohën dhe aftësitë. Praktika profesionale në fakultetet tona, vazhdon vetëm nga 15 deri 20%. Kur në vendet europiane, kjo është 45%. Mendohet që ne u bëjmë gjysmën e nivelit të praktikës, që në fakt duhet të bëjnë infermierët, për të qenë profesionistë të vërtetë.

Vitet e fundit, kemi një “bum” kërkesash nga mjekët për të punuar në Gjermani. A po ndodh e njëjta gjë edhe me infermierët? Sa janë të tillë dhe sa kanë shkuar tashmë atje, për të ushtruar profesionin e tyre?

Aktualisht për këtë vit, ne kemi njëfarë informacioni që e ruajmë si statistikë dhe për këtë nisemi nga fakti, sepse çdo infermier që të shkojë jashtë shtetit, duhet që të marrë një konfirmim nga Urdhri i Infermierit, që ai njihet si i tillë këtu tek ne. Dhe unë di që për këtë vit, deri para tre ditësh, e kanë tërhequr këtë 617 infermierë nga Shqipëria. Nuk e di a kanë ikur të gjithë, por di që mjaft kanë ikur. Dhe mundësia për ta ditur si statistikë, është që ata kanë tërhequr formularin për të shkuar jashtë shtetit.

Sa infermierë “prodhon” aktualisht Shqipëria? A është ky numër i mjaftueshëm për tregun vendas dhe atë të huaj, të këtyre profesionistëve të kujdesit shëndetësor?

Aktualisht, ne prodhojmë rreth 2 mijë infermierë dhe tregu i punës sonë në Shqipëri, që për mua është treg i ngopur tashmë, kërkon 500 deri në 600 infermierë. Pra, ne e kemi këtë të mundshme. Ajo që ka dal tashmë si problem, është se teksa kemi marrëdhënie të mira me kompani të mëdha që kanë marrë deri tani 100 deri në 200 infermierë në Gjermani,  na thonë se ka një problem me infermierët shqiptarë. Tregu europian i punës është i hapur për të gjithë anëtaret e vendeve të Bashkimit Europian dhe për ne është më e vështirë, pasi nuk jemi të tillë. Por ata thonë gjithashtu se, infermierët tanë kanë dobësi të mëdha praktike. Është pikërisht ky problemi i parë që ne diskutuam dje. Duhet ndryshuar modeli i kurrikulave infermierore, duhet ndryshuar ideja e formimit profesional, duke mos e përjashtuar atë shkencor, por mbi të gjitha duhet të jemi infermierë, pastaj profesionistë.

Pse kërkojnë të ikin dhe të punojnë jashtë shtetit, infermierët shqiptarë?

Thonë se janë të pavlerësuar në Shqipëri, të pamotivuar e të papaguar për punën që bëjnë. Të gjithë kanë si motiv një pagesë më të mirë, për të siguruar edhe jetë më të mirë.

Po në lidhje me edukimin në vazhdim si i tillë, cilat janë rezervat dhe kërkesat tuaja? Si mund të përmirësohet në të ardhmen?

Nuk po përmbushet misioni i edukimit në vazhdim dhe se ai është kthyer tashmë në një gjobë, ku bizneset po e përdorin atë vetëm për të mbledhur pará. Unë e kam ngritur këtë problem jo vetëm për infermierët, por edhe për kolegët tanë mjekë, farmacistë dhe stomatologë.

E kam ngritur atë edhe në Bordin e Edukimit në Vazhdim ku jam edhe anëtar. Edukimi në vazhdim po keqpërdoret, është kthyer si një biznes për ata që e ofrojnë. Ka shumë grupe institucionesh apo shoqatash që e përdorin këtë, kur ai duhet të shkojë për ato shtresa që kanë nevojë, për të përtërirë njohuritë dhe po nuk shkoi kjo tek gjërat e reja apo eksperiencat e reja që e ndihmojnë institucionin, atëherë kjo ndikon në misionin e tij, i cili është pikërisht ai që ne duket të kemi edukim të vazhdueshëm që të kemi cilësi në kujdes, në dhënien e tij ndaj pacientit. Pra, ato takime që bëhen, nuk janë në funksion të nevojave dhe propozimi ynë është që të ketë një tematikë të caktuar, të konsultuar, e cila duhet të dalë nga studimi i nevojave të gjithë institucioneve. Që çdo person apo institucion që ofrohet të japë një edukim të vazhdueshëm, ai duhet të japë pikërisht atë që ne kemi nevojë. Nëse nuk jep atë, ai nuk duhet të ofrohet fare në këtë treg. Këto probleme shkojnë edhe tek forma edhe tek përmbajtja. Prandaj them që është kthyer në biznes. Ne si bord madje, kemi patur edhe raste të tilla që i kemi dënuar dhe ndëshkuar. U kemi hequr dy institucioneve të drejtën për një vit të mos e ofrojnë, sepse në mënyrë formale e kishin organizuar dhe kishin lëshuar certifikata. Kishin dhënë kredite, u kishin marrë lekë njerëzve. Këtu është problemi pra, që ne nuk e kemi gjobë këtë ndaj mjekut apo infermierit. Por kjo duhet t’i shërbejë edukimit të tij, sepse po nuk i shërbeu, që edukimi si i tillë të pasqyrohet në punën e tij të përditshme, nuk ka vlerë.

 

APELI

 “Nuk na duhen kaq shumë pedagogë mjekë, por pedagogë që të mësojnë infermierinë”

“Problemi është më i thellë. Ai zbret tek formimi bazë. Thashë edhe njëherë që shkollat tona infermierore janë uzurpuar nga mjekët, të cilët e kanë të vështirë të hapin rrugë dhe të lëshojnë vendin e tyre të punës, sepse neve nuk na duhen më në shkollat tona të infermierisë, kaq shumë pedagogë mjekë, të cilët dhe shpesh janë edhe pa eksperiencën klinike. Neve na duhen pedagogë infermierë, që mësojnë infermierinë dhe atë do ta bëjnë vetëm infermierët. Dhe që aty fillon praktika mësimore. Sepse praktika e infermierit do të bëhet me manekinë, në laboratorë, në fakultete, sepse nuk mund të përdoren pacientët si manekinë. Pastaj është pjesa tjetër e kësaj praktike, edhe me praktikën tjetër që ne realizojmë me institucionet, mungon serioziteti i institucionit, sepse nuk e kanë detyrim ligjor”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: