“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Ja përse kryebashkiaku i Shkupit, takoi shokun Erion Veliaj...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Ja përse kryebashkiaku i Shkupit, takoi shokun Erion Veliaj...
Satirë 

Siç edhe ju kemi spiunuar në rubrikën tonë, shoku Erion Veliaj, para disa ditësh, u lëpi nga një qen, teksa të zotët e tyre ishin përmbytur. Ka qënë kjo ngjarje që ka shtyrë Kryebashkiakun e Shkupit, që të nisej me makinë, e brenda 4 orësh, të ishte në Tiranë.

Ai ka takuar shokun Erion, i cili e ka mësuar që, në rast të ndonjë përmbytje të Shkupit nga lumi Vardar, të marrë një qen e ta përkëdhele edhe ai, me qëllim që qytetarët e Shkupit, pavarësisht kombësisë apo ngjyrës, të mendojnë se e kanë kryebashkiakun shpirt njeriu, tamam siç është ky i yni!

Bashkëllafosjen e tyre, e mësuan shumë njerëz në Shkup. Disa shqiptarë të këtij qyteti, sapo kanë mësuar se çdo ju ndodhte qenve të tyre, janë ndjerë keq e nuk kanë dashur që qeni i tyre të puthej nga një person i kombësisë maqedono-bullgare, si kryetari i bashkisë së Shkupit. (Siç ka akoma edhe maqedonas, që nuk do donin që, qenin e tyre ta prekte një shqiptar. Ky është fati ynë, ballkanik). Ja çfarë ka ndodhur atje;

Shqiptari, Hajdar Hajdari, ka lëshuar qenin, që e mbante të lidhur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe maqedonasi, Hajdarov Hajdarovi, kur ka mësuar se idenë, kryebashkiakut të tij, ia dha kryebashkiaku shqiptar i Tiranës. Të dy qentë u larguan nga të zotët e tyre, duke bredhur nëpër qytet. Një qen madje, u fut në fushë, teksa luante ekipi i Vardarit.

Nuk dihet se kujt i takon qeni që u fut në stadium, Hajdarit apo Hajdarovit. Ju kujtojmë se, ndeshja zhvillohej për Ligën e Europës, e shumë europianë e panë këtë ngjarje në tv.

Ajo çka dimë është që, në këtë pjesë të Ballkanit, ka njerëz që zihen akoma si qentë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: