“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Ja përse u dorëhoqën mjekët te Urgjenca: Nuk e duan mjekësinë falas

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Ja përse u dorëhoqën mjekët te Urgjenca: Nuk e duan mjekësinë falas
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një seri ngjarjesh, të cilat nuk janë thënë ashtu siç duhet. Nënrubrika jonë, "PPSH", pra "Përmbledhje Politike e Shartuar", hapet me një lajm të gëzuar. Ne, si redaksi, zbuluam se një vajzë, të cilën e akuzuan dhe ende po vazhdojnë të thonë se, kishte shkuar me 300 meshkuj, e kishin përfolur kot, pa të drejtë fare.

Faktet e mbledhura këto ditë, nxorën në dritë se, vajza në fjalë kishte shkuar jo me 300, por vetëm me 178 vetë. Ne u përpoqëm që, kësaj vajze, t'i merrnim një mendim, por ajo u nis me aeroplan jashtë, me një mision tepër jetik për çështjen, apo siç i thonë në gazetari, kauzën dhe për vendin ku punon. Ata që e shanë këtë çupë, duhet të mbyllin gojën fare, apo e pakta të largohen sa më parë nga puna që bëjnë, pasi nuk i ka hije burrave, të merrem me llafe, si burrat pa punë, të cilët shikojnë gjithë ditën telenovelat e vendeve të huaja.

Sqarojmë se, ky lajm nuk ka të bëjë aspak me ato llafet që dolën se qeveria kishte dhënë 300 milionë euro për djegien e plehrave, e në fakt doli që kishte dhënë vetëm 178 milionë...

Ja përse u dorëhoqën mjekët te Urgjenca

Disa mjekë dhanë dorëheqjen, e u larguan nga puna. Ngjarja ka ndodhur pardje në drekë. Jo më kot, po e theksojmë kohën e dorëheqjes së tyre.

Këta mjekë kanë përfituar nga fakti që Kryeministri ynë ishte në Bruksel, e kanë shkruajtur një letër ku ankoheshin se Urgjenca në QSUT, nuk ka kushte. Theksojmë se, pardje Kryeministri nuk ishte në Tiranë, por ishte larguar jashtë vendit. Një ditë të iki urgjent, e ja ç'ndodh te urgjenca.

Arsyeja e dorëheqjes nuk është aspak ashtu siç e paraqiti "Media e Kazanit". Me demek nuk ka mjedise të përshtatshme pune, e tërci e vërci, si këto.

Reformat e ndërmarra nga qeveritë e vendit, e kanë ndryshuar për mirë mjekësinë tonë. Kujtojmë p.sh., reformën e ministrisë së Shëndetësisë në kohën që atë e drejtonte, plot largpamësi, shoku Nard Ndoka, i cili i detyroi gjithë infermieret, qoftë edhe në moshë pranë pensionit, të linin në mendere të pacientëve, gjilpërat, e të shkonin me vrap të paguanin mijëra euro, për të marrë diplomën e masterit, në universitetet private.

Një tjetër reformë e suksesshme, ka qenë Mjekësia Falas, e cila pati rezultate të mëdha. Kjo gjë ndikoi në mosmarrjen e ryshfetit. Ka qenë ky faktor që ka çuar largimin nga puna të këtyre mjekëve të urgjencës. Të pafuqishëm për të marrë pará nga pacientët që shkojnë pa lekë në spitalet falas, ata janë vetëlarguar nga puna.

Është e vërtetë se rrogat janë disi të ulëta, por siç edhe e ka thënë Kryeministri, ato këtë mandat do të rriten me disa për qind. Këtu duket qartë se, këta mjekë janë treguar të paduruar. Nuk kanë pritur rritje të rrogave të tyre.

E ç'mund të presësh tjetër nga mjekët e urgjencës. Ata janë mësuar që çdo gjë, ta bëjnë me urgjencë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: