Jahmir Hyka: Keqardhje për Dinamon, te Tirana ndoshta kthehem një ditë

Jahmir Hyka:  Keqardhje për Dinamon, te Tirana ndoshta  kthehem një ditë
Intervista/Futbollisti kuqezi  flet për eksperiencën e largët në SHBA dhe mbi mundësitë e rikthimit në Shqipëri, si dhe për udhëtimin e vështirë për të qenë pjesë e kombëtares nën drejtimin e Panucci-t 

Intervistoi: Aranit Muraçi

Dinamo, klubi që u themelua në vitin 1950, aktualisht po përjeton momentet më të vështira në histori.  Dinamo nxori dhe promovoi emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, që nga Zihni Gjinali, Ilir Pernaska, Vasillaq Zëri, Sulejman Demollari, e deri te Jahmir Hyka. Dinamo fitoi plot 18 tituj kampionë në Shqipëri, por ka disa vite që ekziston në kushte mbijetese.  Një nga xhevahirët e fundit të këtij klubi, Jahmir Hyka, pasi doli nga akademia e Dinamos, vazhdoi karrierën me klube të tjera të njohura në Europë, si Rosenborg, Olimpiakos, e pas kthimit në formë huazimi te Tirana, kaloi në Bundesligë me Mainz 05, për të provuar karrierën me Lucern në Zvicër.

Pikërisht aty kaloi momentet më të mira në karrierë. Megjithatë, ai kujton klubin ku u dallua si talent dhe nisi karrierën që sot e ka kapërcyer përtej oqeanit, në një kontinent tjetër. – “Ekipi im i parë ishte Dinamo, ku kam luajtur nga mosha 8 deri në 16 vjeç.  Më pas u largova  në Norvegji, ku edhe nisi karriera ime profesioniste.  Më tej kalova në Greqi, me Olimpiakosin dhe u ktheva te Tirana, ku pas një sezoni të mirë, shkova te Mainz, te një nga klubet e njohura  në Gjermani. Kuptova se nuk isha gati për nivele aq të larta, ndaj u  transferova te Luzern në Zvicër.

 Pikërisht aty kam kaluar momentet më të mira profesionale”,-  rrëfen Hyka,i cili ra menjëherë në sy të stafit drejtues të kombëtares sonë, duke u bërë menjëherë pjesë e saj. - “Ishte emocionuese ftesa e prë. Debutova rreth 10 vjet më parë në një ndeshje në Shkodër, kundër Maqedonisë. Ishte Oto Bariç ai që më kishte ndjekur dhe më ftoi duke më dhënë mundësi të luaja me kombëtaren,” – shprehet Hyka, i cili është grumbulluar edhe më tej nga trajnerët e tjerë kuqezi, ndonëse jo rregullisht nga dy italianët De Biasi e Panucci.  Arsyeja lidhet me distancën  e largët nga SHBA. Hyka aktivizohet prej një sezoni në SHBA, te San Jose Earthquake, ku edhe realizoi një nga golat më të bukur të kampionatit amerikan, duke u kthyer në një hit për rrjetet sociale. Jahmir Hyka, këtë fundvit është kthyer në Shqipëri. Në një intervistë për “Albanian Free Press” ai flet mbi nostalgji për klubin e tij të parë, Dinamo, rikthimin e mundshëm për të mbyllur karrierën në Tiranë, si dhe për të ardhmen kuqezi që e pret me trajnerin e ri Christian Panucci:

 

Jahmir, një  klub si Dinamo që dikur nxirrte shume talente ku keni dale edhe ju, sot gati nuk ekziston. A është kjo humbje për futbollin e të rinjtë me të ardhme në Shqipëri?

Normal që po, po flasim për një klub me emër që ka nxjerrë shumë e shumë futbollistë të talentuar, gjithashtu edhe emra të shumtë që i kanë shërbyer kombëtares. Më vjen keq që është në këtë gjendje. Shpresoj që Dinamo të ringrihet edhe një herë në vendin që i takon.

A e përjashton mundësinë e rikthimit në Shqipëri dhe a do t’i përgjigjeshit ndonjë ftese apo oferte të Tiranës, ish-skuadra tjetër e juaja, që sot po ashtu ndodhet në  një kategori më poshtë?

Për momentin jam shumë mirë në Amerikë, ku edhe kam një kontratë që shkon edhe për 2 vjet të tjera. Normalisht që dëshira është  të vazhdoj sa më gjatë karrierën e mbetur jashtë Shqipërisë. Por në futboll nuk mund të bësh plane afatgjata. Prandaj, një ditë mbase edhe mund të kthehem .

A  e keni pasur problem që gjatë eksperiencës suaj të fundit në SHBA, të vini e të luani me kombëtaren, qoftë edhe  për ndeshjet miqësore?

Është e vërtetë, që  është pak larg dhe nuk është i lehtë udhëtimi në distance të tilla. Por e kam thënë që kam qenë dhe do të jem gjithmonë i gatshëm për të qenë pjesë e Kombëtares, sa herë që do të kem një ftesë. Sepse është krenari të përfaqësosh vendin tënd.

Ndërkohë nga Amerika e largët, si përjetohet futbolli në Europë e veçanërisht në Shqipëri?

Unë jetoj me futbollin dhe sigurisht distanca nuk është problem për të qenë gjithnjë pranë këtij sporti, për të ndjekur të gjithë zhvillimet, në ekipet ku kam luajtur më gjatë, apo edhe në ligat kryesore të Europës. Sidomos interesi për kombëtaren e Shqipërinë vjen vetvetiu, fill pasi interesohemi për familjen. Për një futbollist profesionist ky sport është pak a shumë pjesë e familjes.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: