JERUSALEMI SI JALTA – OPINION NGA FRROK ÇUPI

JERUSALEMI SI JALTA – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pas kësaj, bota nuk do të jetë siç ishte. Kjo është ngjashmëria mes dy datave: Njëra shkurt 1945, në një qytet të Ukrainës dhe tjetra në Dhjetor 2017, në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

Vendimi i parë mbi botën pas Luftës, 4-11 shkurt ’45 në Jaltë, i dha Shqipërisë statusin e “të shurdhit dhe të verbit”. Që aty, Shqipëria nuk do të dëgjohej, as do të shihej më. Ndërsa votimi i qeverisë shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i dha Shqipërisë të njëjtin status, por kësaj here të kërkuar nga vetë qeveria.

Cilat janë ngjashmëritë mes dy ngjarjeve që, siç përmendëm Jaltën si “fatkeqësi”, po kështu do të përmendet “Jerusalemi”, përsëri si pikë fatkeqe për Shqipërinë.

1.

Kësaj here, Jerusalemi është vetëm një simbolikë. Shtetet e Bashkuara vendosën ta njohin si kryeqytet të Izraelit, dhe Shqipëria doli kundër, duke u radhitur rastësisht me Islamikët, si kundërshtarë të Izraelit. Qeveria e Shqipërisë është kundër Amerikës, jo kundër Izraelit. Kjo e qetëson pak shpirtin e qeverisë, e cila mund të thotë se “nuk jemi antisemitistë”. Edhe një fije tjetër ku mund të mbahet qeveria me prejardhje komuniste: Siç u mbrojtën hebrenjtë nga partizanët komunistë, edhe ne nuk jemi kundër. Sigurisht, këtë e thonë duke spekuluar me kodet e kombit.

2.

Si në Jaltë edhe në Uashington, të enjten që kaloi, kishte tradhti. Kjo është e përbashkëta tjetër. Në Jaltë u tradhtuan shqiptarët, ndërsa në Uashington tradhtuan shqiptarët. Josif Stalini, lideri i Bashkimit Sovjetik, në tryezë me Roosvelt dhe Churchil, deklaroi se popuj të vegjël e të parëndësishëm si Shqipëria, nuk duhet të kenë votë dhe nuk duhen konsideruar. Tradhtia erdhi nga aleati i ngushtë i udhëheqjes komuniste. Kësaj here, qeveria e Shqipërisë tradhtoi Amerikën, aleatin kryesor. Para Stalinit, presidenti Willson i Amerikës kishte kërkuar në Europë që “të njihet Shqipëria” edhe pse komb i vogël. Por qeveria postkomuniste tradhtoi përsëri Amerikën në emër të një komunizmi të ri. Pas ditës së tradhtisë, media proqeveritare në Tiranë, po “kruhet” me Amerikën: “Po ja, Trump nuk po thotë gjë kundër vendimit tonë!” Këta presin atë që nuk ndodh; qeveria e Shqipërisë futet në shurdhëri të plotë për aleatin madh dhe për aleatët e tjerë që nuk e honepsin tradhtinë e vockël.

3.

Përderisa konferenca e Jaltës ka hyrë në histori si “pika e Globit” që ndau botën, e njëjta gjë mund të thuhet për “Jerusalemin” dhe votën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përsëri Shqipëria vihet në anën e humbur. Në përfundim të Luftës së Dytë, edhe vendet e Lindjes që u inkuadruan në “bllok”, nuk ishin komuniste, megjithëse kishin luftuar Hitlerin. Për shembull, Hungaria, në votimet e para pas Luftës, votoi vetëm 17 për qind në favor të komunistëve. Plus shtete të tjera si Çekia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Letonia..., që sot u renditën pro Trump-it. Shqipërisë ia numëruan votat komunistët dhe as që dihet si votoi më 2 dhjetor 1945... Edhe kësaj here, në Uashington ishte qeveria e Shqipërisë që vendosi të radhitet kundër Trump, d.m.th., kundër aleatit më të madh dhe më jetëgjatë që ka kombi shqiptar. Mos harrojmë se. Amerika është aleati më jetëgjatë i kombit tonë. Megjithatë. qeveria e kreu aktin pa pyetur as popullin, as instrumentet e tjerë të shtetit. Madje as Kosovën për të cilën thonë se “i digjet xhani” ... Tani, ja ku jemi: Nga kurrizi kemi lënë Amerikën..., por nuk dimë kë kemi përballë dhe në krah.

4.

Ku po ndahet bota?...

“Jalta”, kësaj here, duket se është rajoni ynë dhe konkretisht Shqipëria. Bota tani po ndahet në pro amerikanë dhe pro Brexit; pro sovranitet dhe pro atdhe, dhe pro familje... Të tjerët përballë janë elitat e vjetra dhe mashtruese politike, ata që duan kufij të hapur; ata që e kanë çuar Europën të shkelë parimet e veta; ata që stimulojnë qeveri që nuk mbajnë fjalën para të qeverisurve. Në krye të lëvizjes majtiste, qëndron miliarderi George Soros, i cili paguan shuma të mëdha për kryqëzatat kundër Trump-it, kundër Brexit, kundër konservatorëve. Qëllimi i tij është ndërtimi i një komunizmi të ri me mbeturinat e komunizmit të vjetër, plus libertarianët anarkistë...

Me sa duket, vijat e ndarjes botërore kalojnë këtu nëpër Tiranë. Qeveria e Tiranës e akaparuar nga Soros, nuk mund të bënte gjë tjetër. As opozita! Edhe në vitin ’45, e humbëm opozitën. Bashkimi Europian (BE) që ka humbur Europën - i ndikuar fuqishëm nga majtizmi i Soros,- ka ngulur spirancat në trojet që nuk janë pjesë e BE-së, si Shqipëri, Maqedoni, Serbi...

Kjo po ndodh. Nuk është një gjë aq e pa kapshme kjo që po ndodh.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: