Juli Çenko: Ndjej keqardhje, polifonia është bastarduar nga njerëz pa vlera!

Juli Çenko: Ndjej keqardhje, polifonia është bastarduar nga njerëz pa vlera!
 Këndon me hijeshi këngën e bukur gjirokastrite, prej shumë vitesh, me xhamadanin tradicional, në koncerte, dasma dhe festa. Juli Çenko na sjell në këtë rrëfim për Albanian Free Press, traditën e bukur të familjes së saj, dashurinë e brezave për polifoninë, si dhe shqetësimin se, papërgjegjshmëria po e bastardon këtë perlë të folklorit. Këngëtarja e njohur e muzikës popullore e trevave të jugut, flet për fëmijërinë dhe për planet e saj të afërta.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju këndoni me dashuri, këngën e Shqipërisë së Jugut. Por si erdhët deri tek kënga?

Unë vij nga një familje gjirokastrite, që e ka pasur si traditë këngën polifonike, qysh nga gjyshi im i cili ka kënduar me grupin e të madhit Xhevat Avdalli; nga babai dhe xhaxhallarët e mi, të cilët këndojnë edhe sot. Kështu u linda dhe u rrita në mes të këngës dhe u ngjita në skenë në moshën 6-vjeçare.

Sot në muzikë ka rryma të reja, ritme të huazuara. Cili është mendimi juaj për këtë dukuri?

E kam të vështirë të flas për ritmet e huazuara, për sa kohë ato i pëlqen populli, publiku, sepse ne jemi vend ballkanik dhe rrymat ballkanike, pak a shumë, janë të pëlqyeshme kudo. Sa për polifoninë, ndjej keqardhje që jo vetëm është lënë pas dore, por është bastarduar dhe paragjykuar nga disa njerëz që nuk ia dinë vlerat, sepse polifonia ka qenë dhe mbetet, perla dhe thesari më me vlerë në Shqipërinë e jugut.

Koncertet e muzikës popullore, dikur, kishin mijëra spektatorë. Sot, kjo duket gati e pamundur. Pse?

Në aktivitetet e muzikës popullore sot, nuk ka shumë spektatorë, sepse ndodh ajo që thash më lart. U shkelën traditat e muzikës dhe edukimi nuk është ai i duhuri për brezat, për të respektuar e trashëguar muzikën tonë të bukur popullore.

Ju ka ndodhur të keni pasur ndonjë incident apo ndodhi në skenë?

Kam qenë me fat! Deri tani nuk kam pasur asnjë incident ose ndodhi në skenë, pasi gjithmonë jam munduar të jem serioze në prezencën time skenike, në veshje dhe sjellje.

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten? Keni ndonjë pasion tjetër?

Këngën nuk mund ta ndaj kurrë nga jeta ime. Por veç këngës, kam kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi, por e kam një pasion të veçantë. Ai është arredimi i shtëpisë, ndoshta mund të isha bërë interior design shumë e mirë ha ha ha.

Sa e vlerësuar ndiheni nga publiku?

Jam shumë e kënaqur. Ndihem e vlerësuar dhe mirënjohëse për respektin dhe mikpritjen e publikut shqiptar, ndaj këngëve dhe interpretimeve të mia, prej këngëve të para e deri më sot. Ndihem e privilegjuar për mbështetjen që kam marrë nga publiku.

Po ekonomikisht, ndiheni e shpaguar si duhet nga puna juaj?

Të them të drejtën, ekonomikisht nuk ndihem edhe aq e kënaqur. Për të arritur diku, normalisht, duhet shpenzuar, por si artistë, nuk jemi vlerësuar asnjëherë si duhet, në këtë aspekt.

Keni hasur xhelozi mes këngëtareve në karrierën tuaj?

Sa i takon xhelozisë së këngëtareve, unë kurrë nuk e kam parë këngën vetëm si biznes apo fitim. Për mua është pasion dhe është ëndrra e fëmijërisë time. Ndaj të gjitha këngëtaret i adhuroj dhe vlerësoj. Por respektoj veçanërisht ata të vjetrit, duke uruar të eci në gjurmët e tyre. Secili këngëtar ka cilësitë dhe karakteristikat e veta dhe përfaqëson krahinën e tij.

Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

Për brezin e ri do të dëshiroja shumë të dëgjonte, të adhuronte e të trashëgonte me pasion muzikën tonë popullore. Jam e lumtur që në qytetin tim, Gjirokastrën, janë ngritur grupe të reja të fëmijëve që këndojnë me pasion këngën polifonike.

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën?

Familja ime më ka mbështetur shumë. Për herë të parë, në Festivalin Folklorik, më 1983, më ka ngjitur gjyshi im i dashur, Demo Çenko, ndërsa në vazhdim më ka ndihmuar babai, duke më kujtuar shumë melodi e këngë të vjetra, në mënyrë që t’i risillja në skenë. Kështu, këto vlera nuk humbasin kurrë.

A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje?

Të jesh artiste dhe familjare, është shumë e bukur, por edhe tepër e vështirë, sepse je gjithmonë në lëvizje nëpër Shqipëri. Por faleminderit Zotit që fëmijët i kam rritur dhe kam pasur shumë të shtrenjtë ndihmën dhe mbështetjen e familjes.

Jetoni në Tiranë. Sa mall keni për qytetin nga vini?

Jetoj në Tiranë, por zemrën dhe shpirtin i kam dhe do t’i kem gjithmonë në Gjirokastrën time, ku u linda dhe u rrita; ku mora kulturë e qytetari, si dhe pasionin për këngën.

Si e përzgjidhni një këngë ose një videoklip?

Gjithmonë përzgjedh këngë tradicionale gjirokastrite, sidomos ato të dasmave, që nuk duhen harruar kurrë dhe përcjellin shumë ndjenjë dhe mesazhe në publik.

Merreni shumë me pamjen e jashtme gjatë aktivitetit? Kujdeseni vetë apo keni bashkëpunëtorë?

Të them të vërtetën, në pamjen time të jashtme, jam munduar të mos ndryshoj, të jem ajo Juli e thjeshtë dhe serioze, sidomos me kostum popullor tradicional të trevës time. Gjithmonë, veshjen e kam zgjedhur dhe e zgjedh vetë.

Cilat janë planet në të ardhmen e afërt në këngë?

Për të ardhmen e afërt mund të them se po përgatis një album të ri ku do të kem shumë këngë të reja ose të përpunuara, bashkë me grupin polifonik.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: