KË PO RREH MONIKA? – opinion nga Frrok Çupi

KË PO RREH MONIKA? – opinion nga Frrok Çupi
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse të hënën që kaloi të gjithë konstatuan një ‘rënie’- sipas interesit, të paktën u duk se u ngjit një lidere. Monika Kryemadhi kishte qenë aty që nga vitet e para të politikës pluraliste të vendit, por jo si kjo sot. Sot ajo është një ‘rrezik shumë i madh’. Duket si tigri që pret në xhungël anës së rrugës automobilistike; ekskursionistin e parë që del nga makina- e fshiu. Politikanët deri të hënën ishin në një udhëtim plot kënaqësi, plot siguri, aq sa ndjeheshin mbretër të xhunglës...

Kë po rrezikon Monika?

Disa mendojnë se po merr pushtetin sot. Sikur të ndodhte ‘mrekullia’ sot- kjo do të thotë ‘Monika e rrezikuar’. Stili i saj sapo ka nisur, ende nuk ka një klimë për atë lloj politike. Por deri tani ka mundur stilin e kryeministrit, i cili e pret gjahun në ‘shtegun’ e tij të frazimit, të të folurit jashtë rregullit, të figurave letrare të Faik Konicës. Në këtë gjueti ra edhe kryetari i PD, Basha nga ku nuk mundi të dalë. Disa e konsideruan edhe ‘Zhan D’Arc’ duke dashur t’i ndjellin fund të keq. Kryeministri Rama nuk reagoi ndaj ‘dhunës” së Monikës, jo nga toleranca, por u ndodh para të papriturës se si dikush tjetër shpalosi ‘stil të veçantë’.

Ku e kemi parë stilin e Monikës?

Kushdo, ndoshta pak njerëz, që kemi menduar si mund të jetë një opozitë ‘ndryshe’, kemi parë parti të vogla në Perëndim se si janë ngjitur përmes një ‘kapjeje impulsi’ të kohës dhe një stili të veçantë. Më kujtohet një parti e re në Islandë, një shtet me popullsi të vogël; emri i Partisë është ‘Piratë’. Nuk ka më shumë se rreth një vit, por po fiton të drejtën që të hyjë në qeveri. Ajo ka zgjedhur emrin ‘Piratë’ me qëllim që të transmetojë te njerëzit kurajën për të miratuar zyrtarët e korruptuar në vend dhe për të risjellë në buxhet paratë e humbura. Kanë edhe një pikë tketër: “Lirimin e Snowden nga burgu”. Kaq thjesht dhe drejtpërdrejt. Këtu politika ka krijuar klishe të mërzitshme; frazizëm, fjalime linear që nuk thonë gjë, artificialitet, dhe më në fund “politikë korrekte” që nuk e kap askush. Monika e mundi këtë stil. Nuk e vutë re të hënën: Si në Parlament, edhe në televizione pasdite- me të njëjtën skemë dhe objektiv.

Monika doli nga radari i ‘të mëdhenjve’.

E vini re zotin Lu, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara? Që atë ditë po vjen rrotull partive, pa mundur të kërcënojë më si më parë. A mund ta kërcënojë Monikën? Ajo doli edhe jashtë kornizës së zotit Lu. Zoti lu tani nuk është më i zoti as të marrë zonjën Vllahutin dhe të shkojë në zyrën e Monikës. As ka për ta bërë kurrë, sepse ndihet e sfiduar në gjini dhe në stil. Monika ka shansin e mirë që ka një kohë të gjatë në politikë, edhe pse nën hije. Por gjatë kësaj kohe ka vëzhguar çfarë është kush; madje edhe të fuqishmit e BE dhe të ambasadave. Ajo e di se tashmë BE është një krijesë artificiale që ushtron presion vetëm mbi njerëz të dobët. Ajo e di edhe se si tërhiqen ata para njerëzve që nuk iu thonë: “Më fal o i huaj; më fal që bëj hije në vendin tim”.

Monika shpërdoroi ‘dhunën’.

Kjo ka ndodhur edhe një herë para 27 vjetësh kur Demokratëve anti komunistë nuk iu hynte në sy dhuna. I rrahgën studentët, i kërcënuan intelektualët, i plasën nëpër qelitë e ftohta akull e pa drita, iu thanë se do t’u hapin dosjet, iu vranë shokët para syve..., sa e sa dhunë. Monika i përket atij brezi, por jo vetëm kaq; të atij brezi ka plot të qullët. Monika ‘zbuloi’ se nuk është paragrafi, rregulli, ligji..., që të shpëton ose të burgos..., por ‘është shpirti’- tha ajo. Kjo ishte risia më e madhe e stilit të saj kësaj here. Nëse dhuna policore ose dhuna e politikanëve do të kapej pas paragrafësh, ajo fiton kurdoherë. Ndërsa me shpirtin as mund të ‘përleshen’, dhe as e njohin çfarë është. Aq më pak të njohin ‘shpirtin e Kushtetutës’ siç tha Monika, që do të thotë se ‘shteti ka shpirt’. Idetë e thëna kësaj here prej saj e sjellin individin afër shtetit; dhe vice versa.

Monika po tenton të fitojë ‘avanguardën’.

Nuk i bëtë një pyetje vetes: Pse Monika nuk e pranoi prorozimine  zotit Berisha mbi “djegien e mandateve”? Jo pse nuk i pëlqen si opsion; por sepse i pëlqen shumë. Është një opsion që ka lëng politik dhe stil. Por përderisa nuk e tha ajo e para, nuk mund ta pranojë. Kësaj here ka vendosur të mos jetë numri 2. Vitet e gjata si nr 2 pas të shoqit, Meta, e kanë lodhur dhe tani po shkëputet prej asaj epoke. Por kësaj here Monika po fiton paritet edhe brenda opozitës. Projekti i saj për ta vënë LSI si opozitë ‘e parë’, para PD, me sa duket ka nisur që të Hënën.

Monika po dominon edhe simbolizmin e saj.

Simbolizmi i Monikës u zhvillua bashkë me zhvillimin e femrave alias ‘Kardashian’ në politikë. Janë zhvilluar dy palë zgjedhje ku rolin kryesor e kanë luajtur studiot e bukurisë dhe të stilit. Kanë trashur të pasmet, kanë holluar këmbët, kanë sajuar veshje seksi, kanë bërë flokë si përbindësha..., pse? Për të shkuar në arat me baltë te zgjedhësit. Monika nuk mbeti shumë pas prej këtyre. Por që të hënën u duk se ka hequr dorë nga ‘ngrefosja’ që në fakt është kualitet i burrave në politiken shqiptare. Me një simbolizëm të kundërt i hodhi që në Parlament edhe çizmet e shtrenjta- sipas medias së gossipit... Ka edhe një simbolizëm të vjetër Monika: emrin. Shumë vajza që lindën në vitin 1968 morën emrin e papërdorur deri atëherë: Monika. Monika ishte emri i gruas së Samde Norodom Sihanuk- mbret i Kamboxhias. Në vitin’68 çifti mbretëror vizitoi Shqipërinë. Monika Sihanuk ishte grua e bukur dhe e kuruar mirë, saqë prindërve që prisnin fëmijë u mbeti në mëndje. Monika (jo Sihanuk) ka vendosur, me sa duket, ta hedhë poshtë pamjen e koketës dhe të dalë në revolucionin politik.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: