Klint Çollaku: Dëshira ime, kënga shqiptare pa plagjiatura

Klint Çollaku: Dëshira ime, kënga shqiptare pa plagjiatura
 

Është ende shumë i ri dhe karrierën e ka sigurisht përpara, por këngëtari Klint Çollaku e ka nisur me sukses atë, duke u shpallur më i miri i “The Voice 6”. Më pas, duke ngjitur në skenën e festivalit “Kënga magjike”, një këngë shumë të arrirë, të interpretuar me pasion, që mbetet nga këngët më të dëgjuara e klikuara të këtij fundviti dhe që rrëmbeu çmimin prestigjioz, "Jon Music". Menduam të njohim disi më mirë, djaloshin premtues të muzikës së lehtë, përmes një rrëfimi dinamik, siç janë të rinjtë e talentuar.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Po shkojmë drejt fundvitit. Ke nostalgji për fillimet e tua? Si ishin ato?

 

Është e mrekullueshme të mendosh, sesa i bukur dhe i suksesshëm ka qenë ky vit për mua. Më kujtohen shumë mirë fillimet dhe mallëngjehem, sepse e di që kam punuar fort për të arritur këtu ku jam dhe ka ende shumë punë për të bërë.

 

Sot, ti nuk je më thjesht një këngëtar i ri, por hyn tek këngëtarët më të suksesshëm. Sa mendon se të ka ndihmuar karakteri?

 

Mendoj se është një nga pikat kryesore pas talentit, sepse në saj të karakterit, kam qenë këmbëngulës dhe i vendosur në atë çka doja të arrija.

 

Si ka qenë fëmijëria jote dhe kur ke nisur të dashurosh muzikën?

 

Unë besoj se, që në momentin kur arrita të konceptoja sadopak, fillova të dashuroj muzikën. Në fëmijëri, frymëzohesha shumë nga muzika klasike. Kënga, “O sole mio”, e Luciano Pavarotit ka qenë e preferuara ime.

 

Sa e gjen veten në jetën e muzikës “live” të vendit? Ka ndonjë detaj që do doje të ishte ndryshe në industrinë e muzikës?

 

Më pëlqen shumë muzika live, por e mendoj vetëm si të përkohshme, jo si aktivitet që ta ushtroj gjithmonë. Mendoj se, muzika shqiptare po ecën mirë dhe ka plot artistë të rinj që sjellin këngë shumë të bukura. Do të doja të shmangen sadopak plagjiaturat në këngët shqiptare.

 

Ka  konkurrencë të egër në botën e muzikës së lehtë?

 

Nuk do të thosha “të egër”, është më tepër si një “luftë e ftohtë”, e cila nuk dëmton askënd dhe vetëm të ndihmon të jesh më produktiv.

 

Ke ndonjë ikonë të muzikës botërore? Po ndonjë këngëtar shqiptar?

 

Te një këngëtar vlerësoj shumë vokalin, por në disa raste, aftësia krijuese e një këngëtari është ajo çka e bën të veçantë dhe kjo më bën të inspirohem nga Ed Sheeran.

 

Vokali yt nuk ka kaluar pa u vënë re që në fillim. Sa kujdesesh për të?

 

Nuk kam ndonjë kujdes të veçantë. Ndonjë çaj disa orë para se të dal në skenë. Në fakt, nuk bëj as vokalica para se të performoj.

 

Ke ndonjë rit ose zakon skaramantik para se të hysh në skenë, për fat, si shumë këngëtarë? A mban ndonjë hajmali fatsjellëse me vete?

 

Gjithmonë i lutem shumë zotit, që gjithçka të shkojë mirë para se të dal në skenë dhe e besoj lutjen time. Në shumicën e rasteve, funksionon.

 

Ke pasur ndonjë zhgënjim nga bashkëpunëtorët në këngë?

 

Jo, deri më tani asnjë zhgënjim.

 

Ke ndonjë peng lidhur me muzikën?

 

Jo kam ende shumë rrugë për të bërë, por mund të kem ndonjë peng.

 

Dukesh në skenë një djalë me qytetari dhe stil klasik. Po në jetë, kështu je, klasik?

 

Jam shumë ndryshe nga skena. Në jetën e përditshme, jam mjaft sportiv dhe ekspresiv.

 

Pas interpretimit në festivalin “Kënga Magjike”, e pashë që ishte bërë share nga qindra njerëz që njoh, të çdo moshe. Pse mendon se ajo baladë u pëlqye kaq shumë?

 

Para se të futesha në studio për të dëgjuar këngën, bëra një pakt me veten. Nëse kënga nuk do të më emociononte qysh në dëgjimin e parë, nuk do ta pranoja. Por ajo këngë më emocionoi e mi mbushi sytë me lot, vetëm duke dëgjuar muzikën. Kjo ka ndodhur edhe me publikun kur e ka dëgjuar, ndaj mendoj se ka ngelur në zemrat e tyre.

 

Si lindi kënga dhe si u ndjeve në skenë?

 

Për këngën, “Më s’më gjen”, kompozitori Adi Hila ka punuar për një kohë shumë të gjatë, sepse donte të ishte i sigurt. Kur u sigurua, atëherë e dëgjova edhe unë këngën. Në skenë humba, s’kam parë asgjë edhe pse i kisha sytë hapur, por e shijova çdo sekondë dhe dhashë më të mirën.

 

U bëre i njohur nga fitorja në “The Voice”. Sa i detyrohesh këtij talentshow dhe si e kujton atë fitore?

“The Voice” ka qenë trampolina e cila më dha vetëbesimin që më duhej për të konkurruar në festivalin “Kënga Magjike”. Deri më tani është fitorja më e bukur e jetës time.

 

Përveç këngës së suksesshme në festivalin “Kënga Magjike”, ke në duar ndonjë bashkëpunim të ri muzikor?

Në duar jo, por në mendje patjetër. Por kjo do të mbetet surprizë dhe shumë shpejt do të lançohet.

 

Si do i kalosh festat e fundvitit? Të pëlqen kjo periudhë e vitit?

Do t’i kaloj me familjen në qetësi, sepse ndonjëherë edhe qetësia është e nevojshme. Kjo periudhë është e preferuara ime, për shkak të motit të ftohtë.

 

Si e kalon kohën e lirë, atë pak që të mbetet? Ke pasione që publiku nuk i njeh?

Dikur lexoja shumë, por tani më pëlqen t’u realizoj personave të afërt sete të ndryshme fotografike. Le të themi që, një pasion tjetër i imi është edhe fotografia. Por kur jam më i lirë se zakonisht, gjithmonë udhëtoj.

 

Cila është gjëja pa të cilën nuk mund të jetosh?

Nuk besoj se do të jetoja pa telefonin. Por kjo mbetet për t’u provuar.

 

Më trego, ke një vend ku do të doje të jetoje përrallën tënde, me një njeri që dashuron?

Janë dy vende shumë të kundërta, ose në ishujt Bora Bora ose në Amsterdam. Bora Bora për natyrën fantastike dhe Amsterdami për rrugët, për ndërtesat...për gjithçka.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: