KRYEPROKURORJA, ARTA MARKU, DHE PROTESTA E OPOZITËS – OPINION NGA ROLAND QAFOKU

KRYEPROKURORJA, ARTA MARKU, DHE PROTESTA E OPOZITËS – OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shumica e zgjodhi e vetme Kryeprokuroren e përkohshme, ndërsa opozita dështoi ta pengonte atë. Ajo që përflitej prej dy ditësh, në korridoret e politikës, por edhe në redaksitë e gazetave dhe televizioneve, se juristja 41-vjeçare, Arta Marku, do të jetë shefja e re e akuzës së shtetit, u bë realitet dje në Parlament, teksa votimi u mbyll me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime. Por çfarë tregoi zgjedhja e Markut në krye të prokurorisë? Detaji i parë që u dallua, ishte kur ajo doli përpara sallës së Kuvendit që gëlonte nga zhurma, protesta e opozitës me paketa tymuese disangjyrëshe, me thirrje kundër kësaj zgjedhjeje dhe fjala e vetme e dalë nga goja e saj “betohem”, u pa qartë që u tha nën tension. Nuk ka ndodhur në asnjë rast, që zgjedhja e titullarit të Prokurorisë, të mos shoqërohet me një solemnitet serioz dhe normal. Kjo e dëmtoi disi imazhin e parë. Arta Marku u bë kështu, prokurorja e parë në histori, që zgjidhet dhe betohet në sy të protestës. Edhe pse ajo mund të qëndrojë në detyrë për pak kohë, tashmë mbi supet e saj janë një sërë provash të forta, që lidhen me dosjet e aktivizuara si ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por edhe të disa dosjeve që lidhen me ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisjes së Partisë Demokratike, që nga ajo e CEZ, etj. Megjithatë, tashmë jemi përballë faktit që, Arta Marku mori çelësat e zyrës së rëndë në godinën pesëkatëshe dhe nga dje, ajo është kryeprokurorja e 8-të në historinë e këtij organi, që pas rrëzimit të komunizmit. E vetmja dalje publike e saj, ka qenë gjatë seancës dëgjimore përpara Komisionit të Ligjeve, në të cilën dha arsyet përse u fut në garë dhe çfarë pritet të bëjë. Fjalë për fjalë, zonja Marku tha:

“Zgjodha të jem pjesë e garës, sepse e shoh Prokurorinë në kaos dhe kam aftësinë të bëj aftësimin normal të të gjithë sistemit, deri në krijimin e KLP-së dhe Prokurorisë së Posaçme. Prokurorët janë të demotivuar sepse, për hir të së vërtetës, emërimet, transferimet dhe ngritjet në detyrë, nuk kanë lidhje me meritat. Kjo është për të ardhur keq, sepse në sistem ka prokurorë me integritet, të cilët mund t’i japin sistemit shumë”.

Por premtimin më të fortë, Arta Marku e tha për raportet me politikanët. Edhe pse nuk ia kërkoi kush, ajo ka bërë një betim publik, që askush nuk e ka bërë deri më sot.

“Kandidoj për këtë post, edhe për CV-në time, sepse është kulmi i karrierës së një prokurori, edhe pse mandati është i përkohshëm. Por edhe mendoj që ka nevojë sistemi për një shkundje, ka nevojë që sistemi të ketë njerëz si puna ima, pa asnjë mbështetje në krye të atij institucioni. Për ndërhyrjet politike, për një gjë jam e bindur, që nuk pranoj ndërhyrje nga askush, nuk kam pranuar dhe s’jam intimiduar nga askush, gjatë karrierës sime. Jam aty ku jam, me forcat e mia. Fakti që jam aty falë shpatullave të mia, e thënë më troç, jam e sigurt që nuk ka asnjë lloj ndërhyrjeje që mund të më intimidojë në detyrën time”.

Por ndërsa zonjën Marku do të na duhet ta presim, ajo që vlen më shumë të diskutohet, është sjellja e opozitës. Kjo ishte prova e saj e parë, që nga humbja në zgjedhjet e qershorit dhe si e tillë aty ishin përzierë qartë të gjitha elementet politikë. Ishte si një provë e madhe gjenerale, që tregoi edhe një herë se starti i protestës së vërtetë, vërtetë nis nga kryetari, Lulzim Basha, por ajo vazhdon të mbetet dhe të jetë simbolikë e Sali Berishës. Pamjet e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit që konsumoi nga dy mandate për secilin post, tashmë 73 vjeç e 2 muaj, teksa përpiqej të zinte vend në foltore dhe kundërshtimi fizik i gardistëve, tregojnë edhe një herë se, ai mbetet jo thjesht autori ekskluziv i kryeaksioneve të Partisë Demokratike dhe opozitës. Ai është promotori kryesor i protestave dhe antiteza është se, disa deputetë dhe deputete, në momentet kulmore që opozita përleshej me gardistët, pinin kafe bareve rreth Parlamentit. Detaji tjetër është se kundërshtarët më të mëdhenj në fushatën e elektorale, PD dhe LSI, u bënë bashkë. Qëllimi për të cilën protestuan ishte më lart se çdo lloj mosmarrëveshje. Megjithatë, edhe pse Monika Kryemadhi në disa raste, kaloi edhe vetë Bashën me protagonizmin e saj, dukej që mes PD-së dhe LSI-së, nuk është se ka koordinim. Kjo u konfirmua teksa menjëherë pas deklaratës së Berishës për të djegur mandatet, Kryemadhi e kundërshtoi. Por edhe PS-ja e PD-ja kanë frikën e vetë nga reforma në drejtësi dhe nga kryeprokurori, sidomos SPAK, LSI duket se është humbësja e madhe. E vendosur si një sanduiç mes PS dhe PD, LSI-ja po kalon prova më të mëdha se dy partitë e mëdha. Nëse PS-ja dhe PD-ja presin njëra-tjetrën 8 vjet, po LSI-ja, çfarë pret? Në këtë situatë që, për të qenë të saktë, si Rama dhe Basha synojnë asgjësimin e saj, i duhet të marrë vendime të duhura. Një parti realisht e tretë, ajo duhet të bëjë lëvizje të zgjuara që, vetëm Ilir Meta dinte t’i bënte, por që tani edhe sikur ta orientojë bashkëshorten, nuk mund të luajë rol primar. Më shumë se vetë lidershipi i LSI-së, problem i saj janë skalioni i dytë. Ka një apati mes tyre dhe vetë Kryemadhi e ndjen këtë. Vërtetë Floida Kërpaçi dhe Kejdi Mehmeti janë vajza të reja, plot dëshirë për protagonizëm, dhe që marrin rrogën në Kuvend, por sot realisht munguan fjalët dhe aksionet e figurave të rëndësishme të LSI-së, si Nasip Naço, Edmond Panariti, Edmond Haxhinasto e Lefter Koka. Pra, mund të themi se në ditën e zgjedhjes së kryeprokurores, Arta Marku, nisi beteja e madhe politike trepalëshe, PS-PD-LSI, që, në fakt është beteja e parë e madhe pas nisjes së reformës në drejtësi. Të presim betejat e tjera.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: