KUÇEDËR – OPINION NGA EDISON YPI

KUÇEDËR – OPINION NGA EDISON YPI
Nga Edison Ypi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fake jetë, fake vdekje, ende s'ngordhe moj kuçedër ? E mira është të jetosh më tepër! Madje, të mos ngordhësh kurrë! Që të mbetesh në jetë të jetëve, as e gjallë, as e kalbur, as e vdekur, as e groposur, dyqind vitet e ardhshme! Ik ngrysu e gdhihu, dimër behar, jashtë mes shkurreve te varrezat në Shtish Tufinë. Pas kësaj vuajtjeje paraprake, do të kapin reumatizma dhe artrite që do bëjnë të dhembin kockat dhe mishrat. Kjo lemerisje kockore do vazhdojë, derisa këto dhimbje të barazohen deri diku, me dhimbjet reumatizmale e të paktën njërës prej atyre mijëra familjeve të pafajshme, që i shkatërrove qelive të burgjeve dhe baltave të internimeve. E tmerruar nga dhimbjet, duke nxjerrë nga goja britma komitetesh dhe urdhra pushkatimesh, do shtysh edhe nja katërqind vjet të tjera, derisa të gjitha kockat të jenë zbutur dhe sytë e thatë e të ftohtë, të kthehen si i ke pasur, - gremina që rrëzuan fate, hone që varrosën ëndrra. Më tutje, nuk do jetosh dhe aq keq. Do hash, sipas shijes tënde prej krimineleje të lindur dhe dëshirës prej kurvi të tyt shoqi; menu sloganesh, varur mbi mure të pista kooperativash bujqësore, bukë me baltë varri, sipas sloganit; “bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”. Gjatë kësaj kohe edhe do vishesh e do mbathesh. Behari s’është problem. Në dimër do hedhësh supeve një kapotë të grisur zborri, gjithë zhul. Do mbathësh pa çorape, çizme të shqyera llastiku nga të minatorëve. Që të mos të ngjiten zorrët, edhe do pish diçka, ujë pellgjesh. Kjo lloj jete fshataro-ushtarake, ka një problem, i mungon një komponent. Lë mënjanë një element, pa të cilin vampirizmi yt mbetet i mangët, “kllasën punëtore”. Mos u shqetso! “Kllasa punëtore” do vijë shumë shpejt, kur trupi të mbushet plot me morra. Jo morra të çfarëdoshëm. Morra proletarë, nga ata të fjetoreve të veprave të pesëvjeçarëve. Për tu ngrohur, nuk do kesh sobë. Do ngrohesh sa të mundesh, duke u dridhur, kur të kujtosh gjakun që ke derdhur dhe krimet që ke bërë. Do kalojë koha dhe me jetën e re të krimeve të vjetra, do jesh mësuar. Do nisësh të lexosh dhe libra. Për shembull, atë librin me letrat e zgjedhura të kurvit. Leximet do të prekin shpirtërisht. Sidomos letrat që kurvi i dërgonte popullit të Gjirokastrës dhe rrugaçëve anembanë botës. Do presësh edhe miq. Bashkë me miqtë do bëni qokat e dikurshme, do festoni datat jubilare etj. Miqtë veteranë do ngrihen nga varret për të ardhur pranë teje. Ti kruspull në mes, veteranët plot baltë varri rrotull teje, do kujtoni objektivat, sukseset, telat me gjëmba, rrahjet, spiunimet, internimet, arrestimet, burgosjet, pushkatimet, etj. etj. Pak nga pak do rrjedhësh nga trutë. Do fillojë ajo rrjedhje. Se Perëndia nuk mund edhe ta fali përjetësinë edhe ta lëri trurin qiqërr. Me rrëkeza nëpër turi të atij lëngut të trashë që quhet tru, do t’i lutesh Perëndisë për faljen e mëkateve, shpëtimin e shpirtit. Do jetë e kotë. Edhe ty që t’i numurosh, edhe Perëndisë që t’i dëgjojë mëkatet e tua. Koha e pafundme nuk mjafton. Perëndia do dëgjojë sa do dëgjojë, dhe nga marazi, do nisë të qajë, dhe shpirti do t’i plasë, dhe kohën do ta ndalë, dhe botës fundin do t’i sjellë! Do pyesin: Ç'moshë kishte ? Do përgjigjen: S’kishte moshë. Ishe e zeza e njerëzisë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: